Mësohet më në fund emri i partisë së re të djathtë, që ka në grupin e
saj nismëtar deputetin Gazmend Oketa dhe ish-deputetin Aleksandër
Biberaj.
Partia do të quhet "Fryma e Re Demokratike". Një emër ndoshta jo shumë modern, por që sipas grupit nismëtar përkthen në mënyrë besnike frymën që kjo parti synon të sjellë në politikën shqiptare.
Prezantimi zyrtar i partisë "Fryma e Re Demokratike" do të bëhet të hënën e ardhshme në godinën që shihni në foto, që ndodhet përballë Parlamentit, fare pak metra larg selisë së Partisë Demokratike. Zyrat e partisë ndodhen në katin e tretë dhe të katërt të godinës dhe nga muret ndihet ende era e bojës. Ndërkohë që ka zyra akoma të pamobiluara plotësisht.
Po ashtu, e papërcaktuar mbetet për momentin edhe kryesia e kësaj partie dhe postet kyçe të saj, vecanërisht ai i komunikimit me median. Por, sipas Gazmend Oketës, kjo është e qëllimshme, për t'u dhënë mundësi figurave të ndryshme për t'iu afruar partisë së re dhe për të sjellë kontributin e tyre. Kurse komunikimi me median do të sigurohet, si deri më tani, nga Gazmend Oketa dhe Aleksandër Biberaj. Ndonëse Presidenti i Republikës Bamir Topi ka kërkuar që partia e re të mos quhet "Partia e Topit", besohet që pasi të mbarojë mandatin i tij presidencial, Bamir Topi të marrë drejtimin e partisë "Fryma e Re Demokratike".