21 artistë nga vende të ndryshme të Ballkanit, prej të cilëve pesë artistë kosovarë, qëndruan për një javë në Pogradec, në kuadër të edicionit të dytë të Kolonisë Ndërkombëtare të Artistëve Pamorë.


Nga Alfred Beka më 21 shtator 2011 në ora 18:58

Qyteti i bukur i Pogradecit për një javë rresht ka qenë vendtakim i artistëve nga disa vende të Ballkanit. Që nga data 12 shtator, buzë liqenit piktoresk janë mbledhur piktorë, fotografë, skulptorë dhe grafistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria etj, në kuadër të edicionit të dytë të Kolonisë Ndërkombëtare të Artit Viziv ‘Pogradeci 2011’.



Peizazhi i bukur i këtij vendi, sidomos liqeni i Pogradecit, kanë shërbyer si frymëzim për artistët e mbledhur, të cilët gjatë një jave kanë kompozuar vepra të ndryshme artistike.

Ky aktivitet është organizuar nga shoqata Antik me mbështetjen e Prefekturës dhe deputetit të zonës Fatbardh Kadilli.



Saimir Ahmeti, udhëheqës i shoqatës Antik dhe organizator i kolonisë, u shpreh për Express se qyteti i Pogradecit është një nga qytetet më të lakmueshme në Shqipëri për artistët, sidomos nga pikëpamja vizive.



“Kjo duket qartë si në të kaluarën ashtu edhe në të sotmen. Subjekti i shumë veprave të pikturës, fotografisë por dhe artit në përgjithësi ka qenë pikërisht ky qytet që vërtet mund ta quajmë një ‘muze’ për çdo artist e krijues. Veç kësaj, Pogradeci, bazuar në resurset e tij turistike dhe potencialin unik që zotëron, ka qenë nga të rrallat zona turistike që prej sistemit të kaluar dhe veçanërisht në të tashmen shihet dhe zhvillohet si një destinacion i rëndësishëm turistik”, tha Ahmeti. Sipas tij, si pjesë e kulturës së trashëguar, në këtë kuadër, edhe arti gjen një arsye më tepër që të lindë e të zhvillohet në këtë ambient, duke u venë në shërbim të këtij motivi por edhe duke përfituar prej tij.



Një tjetër arsye, sipas tij, e organizimit të kësaj ngjarjeje është ambienti artdashës i këtij qyteti, i cili u siguron artistëve një komoditet dhe mikpritje nga çdo pikëpamje.

“Pogradeci është një qytet i hapur ndaj kulturave dhe vlerave artistike, u krijon mundësi atyre të vijnë, të shpërfaqen dhe të ballafaqohen me të, por që në fund lënë gjurmë dhe pasurojnë vetë jetën dhe kulturën e tij”, shtoi Ahmeti.



Në mënyrë më koncize, qëllimet e këtij aktiviteti, sipas Ahmetit janë: ballafaqimi profesional në planin mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar në fushat e artit viziv, sidomos për artistët e rinj; organizimi, shtimi dhe koordinimi i aktiviteteve kulturore dhe artistike cilësore të organizuara përgjatë sezonit turistik; krijimi i imazhit të Pogradecit si ‘destinacion turistik’ për artin dhe kulturën, ku gjatë vizitës në këtë rajon, mund të gjesh të ndërthurura artin, kulturën, traditën në gatim dhe shërbimet turistike.



Prej artistëve kosovarë në këtë eveniment kanë marrë pjesë piktorët Visar Mulliqi, Dafina Hajra, Leonid Palushaj, Mina Krasniqi dhe Dije Bllaca. Lidhur me këtë, Ahmeti u shpreh se prezantimi i artistëve kosovarë në këtë koloni është evident, jo vetëm në numrin e artistëve pjesëmarrës por dhe në sasinë e pikturave të realizuara dhe cilësinë artistike të tyre.



“Të pestë artistët gjatë një jave të qëndrimit në Pogradec kanë realizuar mbi 20 piktura të cilat u vlerësuan nga publiku dhe specialistët e fushës si mjaft të veçanta dhe profesionale. Është shumë e rëndësishme që shkolla kosovare e artit viziv të ballafaqohet me shkollat e tjera të rajonit”, tha Ahmeti.



Piktorja nga Prishtina Dafina Hajra u shpreh e entuziazmuar lidhur me vizitën dhe qëndrimin e saj njëjavor në Pogradec. Asaj i ka pëlqyer jashtë mase bukuria e këtij vendi, por edhe mikpritja pogradecare.



“Duke pasur parasysh që ishte hera e parë e imja si artiste e artit pamor që marr pjesë në një koloni të organizuar në Pogradec, mund të them që më të vërtet jam ndarë e kënaqur me mikpritjen, kolegët, bukurinë e qytetit, ku më të vërtetë kishte në vete një fllad liqeni frymëzues për ne artistët”, tha Hajra.



Ajo shtoi se ka përfituar mjaft nga ky qëndrim, duke filluar nga takimet me artistë të shumtë nga trevat e ndryshme shqiptare dhe ballkanike, pastaj njohja me teknikat e ndryshme të punimeve etj. Hajra tha se i është dhënë rasti që të mësojë shumë gjera gjatë qëndrimit të saj njëjavor në Pogradec.



Për grafistin nga Maqedonia, Burhan Ahmeti, kjo nuk ishte hera e parë që po merr pjesë në këtë koloni artistike. Ai tha për Express se edhe këtë vit organizimi ishte në nivel. Sidomos lëvizjet nëpër vende të ndryshme piktoreske që i kanë bërë gjatë atyre ditëve, sipas tij, rezultuan pozitivisht në realizimin e veprave të artit që u realizuan atje.



“Të jesh pjesëmarrës në aktivitete të tilla me krijues nga rajoni do të thotë shumë për çdokënd, qofshin ata me më shumë eksperiencë apo artistë që vinin për herë të parë. Ke mundësi dhe rast që të shohësh si punojnë e çka punojnë piktorët pjesëmarrës që vinin nga akademi të ndryshme të artit nga rajoni e më larg”, tha ai.



Ahmeti shtoi se në këtë koloni ka pasur rastin që të njihen për herë të parë me disa piktorë dhe miq shumë të mirë, të cilët, sipas tij, talentin dhe aftësitë e tyre krijuese i dëshmuan gjatë atyre ditëve si dhe në mbrëmjen e fundit me ekspozitën që u çel në Pogradec. Ai tregoi se ekspozita u mirëprit nga vizitorët e dashamirët e artit pogradecar, ku gati ç’do artist pranoi fjalë miradije për punët e prezantuara në ekspozitë.