Banka e Shqipërisë vendosi sërish sot të ulë normën bazë të interesit për lekun, në përpjekje për të stimuluar ekonominë, që duket se po jep shenja këputjeje. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani u bëri thirrje bankave të japin kredi, por edhe qytetarëve dhe firmave që të marrin kredi për të rritur konsumin. Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë normën bazë të interesit për lekun, duke e çuar atë në kuotën 4. 25 %. Ky vendim synon të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për përmbushjen e objektivit të inflacionit afatmesëm. Njëkohësisht lehtësimi i politikës monetare ofron një mbështetje më të madhe për zhvillimin e kërkesës në sektorin privat të ekonomisë. Rritja ekonomike e vendit do të përcaktohet kryesisht nga ecuria e konsumit dhe investimet private, tha Fullani.


Vendimi i sotëm i Bankës u ndikua fort edhe nga rënia e madhe që inflacioni shënoi në muajin shkurt kur zbriti papritur në kuotën e 0,6 përqind.


Guvernatori tha se rritja ekonomike në vend në muajt e parë është pozitive, por tepër e ulët. Të gjithë organizmat e huaja vlerësojnë se Shqipëria mund të ketë sivjet një rritje ekonomike prej 0.5 deri në 1 përqind. Pak ditë më parë ishte Fondacioni Bertelsmann që vlerësoi se kjo qeveri ka shkatërruar edhe të vetmen arritje të Shqipërisë në këto vite, rritjen e mirë ekonomike.


Të dhënat e tërthorta statistikore për sektorin monetar fiskal dhe tregtisë tregojnë për një rritje të ngadaltë të ekonomisë në tremujorin e parë të këtij viti. Kontributi i kërkesës së huaj gjatë kësaj periudhe ishte i dobët si pasojë e presioneve në këto vende. Kërkesa e brendshme private mbetet e ngadaltë për shkak se konsumatori është prirur drejt kursimit, tha Fullani, që beson se njerëzit kanë para, por nuk konsumojnë.


Megjithatë të dhënat e fundit tregojnë se kreditë e këqija në Shqipëri kanë kaluar shifrën e 1 miliard dollarëve.