Përfaqësuesi Agolli: Të jenë të certifikuara nga organizmat e huaj, në të kundërt rrezik për ilaçe të pakontrolluara


Ilda Hoxha


shendetesiaNdryshimi i një prej neneve në ligjin për barnat dhe shërbimin farmaceutik ka ngjallur debate të forta dje në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë. Një vit më parë, u miratua ligji i barnave dhe shërbimit farmaceutik, ku një prej pikave të tij ishte moslejimi i hyrjes në Shqipëri i barnave që prodhohen në vendet e Ballkanit dhe që nuk qarkullojnë në Europë. Mirëpo, ky nen po hidhet poshtë një vit më pas, ky Ministria e Shëndetësisë propozon që të futen medikamente nga vendet e Ballkanit edhe nëse nuk qarkullojnë në një nga vendet e Bashkimit Europian. Grupet e interesit kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të mos bëhet ky ndryshim, pasi në vend rrezikojnë të futen barna të pakontrolluara. I pyetur nga gazeta “Shqip”, përfaqësuesi i një prej kompanive farmaceutike, Rezeart Agolli, sqaron se nuk janë kundër hyrjes së barnave nga Ballkani, por me kusht që këto medikamente të jenë të certifikuara nga prej organizmave europianë ose amerikanë, si EMEA ose FDE. “Për të ruajtur sigurinë ndaj pacientëve shqiptarë, ne kërkuam që të vijnë barna nga Ballkani, por të jenë të pajisur me certifikatë EMEA ose FDA, që janë organizma, një europian dhe një amerikan dhe merren me kontrollin e sigurinë e barnave. Nëse këto barna arrijnë të sigurojnë këtë certifikatë shtesë, atëherë mund të hyjnë në Shqipëri lirshëm. Ne si kompani farmaceutike, që jemi në treg, sjellim të gjithë dokumentacionin dhe certifikatat të lëshuara nga këto institucione. Duke qenë se ky është një element sigurie më tepër për barnat, atëherë kjo mund të bëhet edhe për barnat që do të vijnë nga Ballkani, por jo të lejohen të futen lirshëm nga këto vende pa qenë të certifikuara nga këta dy organizma”, theksoi Agolli. Veç kësaj, ai shtoi se nëse lejohen të hyjnë barna nga Ballkani të pacertifikuara nga këta dy organizma, në vend do të futen barna të pasigurta. “Kjo mund të sjellë futjen e barnave të pasigurta në vend. Ka një agjenci që merret me kontrollin e barnave, por ligji e përcakton se barnat që futen në Shqipëri duhet të plotësojnë disa kritere të caktuara. Të jenë të certifikuara dhe të plotësojnë elemente shtesë të cilësisë. Zanafilla e sigurisë së barit nis që nga prodhimi. Barnat që do të hyjnë nga Ballkani duhet të jenë të certifikuara nga dy organizmat e huaj dhe më pas Agjencia e Kontrollit të Barnave të bëjë verifikimet e mëtejshme. Nëse bari i ka të gjitha elementet e sigurisë që në momentin e prodhimit dhe është i certifikuar nga EMEA dhe FDA, për ne nuk ka asnjë problem se nga vjen ai”, theksoi Rezeart Agolli për gazetën. Ndërkohë, një tjetër problem që u ngrit nga grupet e interesit ishte edhe ai i mungesës së mekanizmave të kontrollit për barnat. Sipas tyre, Agjencia e Kontrollit të Barnave është jofunksionale. “Futja në këtë agjenci e njerëzve jashtë sistemit ka bërë që kjo agjenci jo vetëm të mos funksionojë, por të jetë barrierë për bizneset, duke krijuar probleme të paqena”, theksuan grupet e interesit. Mirëpo, një tjetër çështje delikate ishte edhe ajo e ngritur nga kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi, e cila pyeti zëvendësministren e Shëndetësisë, Milva Ekonomi, për 700 barnat e ndaluara në Europë dhe flitet se disa prej tyre qarkullojnë në Shqipëri. Kësaj pyetjeje, Ekonomi iu përgjigj duke sqaruar se po bëhen kontrolle dhe brenda javës do të jepet një përgjigje. “Që nga dje (pardje) që morëm informacionin, po përpiqemi të bëjmë kontrollin e kodit të barit që ka hyrë në Shqipëri dhe kodin e barit në këtë listë, shumë shpejt do të kemi informacion dhe do të bëhet publik”, nënvizoi zëvendësministrja Milva Ekonomi.


Ky shkrim Futja e barnave nga Ballkani, debate në komision u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.