Brenda këtij viti përdoruesit shqiptarë të internetit do të mund të lundrojnë në Internet duke përdorur teknologjinë “3G”. Autoriteti i Komunikimit Elektronik dhe Postar ka mbyllur fazën e konsultimit publik me kompanitë e interesuara për ofrimin e këtij shërbimi, të cilat kanë qenë mjaft të interesuara për implementimin e kësaj teknologjie. Sipas AKEP-it futja e teknologjisë UMTS është e domosdoshme për zhvillimin e mëtejshëm të teknologjisë së informacionit dhe sidomos të internetit pa tel. Sipas drejtuesve të AKEP-it, kriteri kryesor që 1 kompani të autorizohet për ofrimin e shërbimit “3G” është që kjo kompani të jetë e gatshme të hedh këtë shërbim në treg brenda fundit të këtij viti. Sipas AKEP-it ka kapacitete për dhënien e 4 licencave për shfrytëzimin e kësaj teknologjie, por do të jetë një vendim i Ministrisë së Telekomunikacionit për përcaktimin e numrit të autorizimeve që do të jepen dhe për përcaktimin e çmimit. Ndërsa pritet një vendim qeverie për përcaktimin e pagesave për përdorimin e frekuencave.



8 Qershor 2010