banner_rama-fyleNuk jam mik në listën e ish- kryeministrit Berisha në rrjetin social Facebook, por jam mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Është ky reagimi i Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, në lidhje me një koment të postuar nga ish- kryeministri Sali Berisha, që e akuzonte zyrtarin e Komisionit Europian si pro-serb dhe që kishte bllokuar marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.


Fyle tha se komenti i bërë nga Berisha ishte fallco dhe i pabazuar.


Në konferencën e përbashkët për mediat me kryeministrin Edi Rama në përfundim të takimit të nivelit të lartë të dialogut mes Shqipërisë dhe BE-së, komisioneri Fule e cilësoi atë si një diskutim të mirë dhe të sinqertë.


Kemi parë se çfarë hapash ka ndërmarrë Shqipëria që nga takimi i shkuar dhe planet sa i takon përmbushjes së sfidave si në planin afatshkurtër dhe afatmesëm. Po kështu kemi diskutuar udhërrëfyesin e Shqipërisë për të përmbushur 5 prioritete kyçe, sikundër diskutuam për rëndësinë e gjithëpërfshirjes. Nuk e kemi fjalën thjesht për opozitën, por dhe për shoqërinë civile, theksoi komisioneri Fyle, duke vënë theksin në ngritjen e një mekanizmi që shoqëria të përfshihet në procesin e integrimit. Kemi rënë dakord që të takohemi sërish në takimin e tretë, që do të mbahet në qershor, theksoi Fyle.


Sipas tij, ardhja në Tiranë për Dialogun e Nivelit të Lartë konfirmon përkushtimin tonë për të punuar së bashku në procesin e integrimit të Shqipërisë në rrugën drejt BE duke rritur shanset e Shqipërisë për të marrë statusin në qershor.


Kam theksuar se konfrontimi nuk ndihmon në integrimin e vendit. Kam theksuar edhe kulturën e bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes jo vetëm në Kuvend, pasi kjo do të ndihmojë në ecjen përpara të procesit të integrimit, tha Fyle.


Ndërkohë kryeministri Edi Rama e cilësoi bashkëpunimin politik ndërinstitucional, me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe të gjithë aktorët e shoqërisë, si një sfidë kryesore.


Dua të siguroj edhe partnerët tanë se pakënaqësia që nuk e fshehëm për mos marrjen e statusit në dhjetor, nuk ka ndikuar negativisht përkundrazi ka ndikuar pozitivisht që ne të vazhdojmë përpara për ta konsoliduar atë rezultat impresionues që Qeveria jonë arriti në shumë pak muaj dhe për të bërë të mundur që këto prioritete të plotësohen, theksoi Kreu i Qeverisë.


Ndërkohë i pyetur nëse grupe ekstremiste do të ndikonin edhe në qershor që Shqipëria të mos marrë statusin e vendit kandidat, kryeministri tha se kjo duhet parë.


Sesa do të ndikojnë qarqet ekstremiste kjo mbetet për tu parë, por ne do të shkojmë me detyra të kryera në qershor për të marrë statusin e vendit kandidat. Vendimi merret nga shtete anëtare, ndërsa ne jemi këtu, po bëjnë një udhëtim brenda nesh, brenda Europës, theksoi Rama.


Referuar takimit të nivelit të lartë Shqipëri-BE, kryeministri shprehu një vlerësim për qasjen pozitive dhe vullnetin e treguar në tryezë për të mbështetur procesin nga kryetarja e Komisionit parlamentar të Integrimit, Majlinda Bregu, duke shtuar se shpresonte në një qasje të tillë pozitive nga opozita në tërësi edhe në sallën e Kuvendit gjatë debateve apo kudo tjetër. Në konferencën për mediat, Rama nuk ka lënë pas batutat teksa e cilësoi komisionerin Fule një bashkëkryetar të forumit të dialogut të nivelit të lartë Shqipëri-BE, por shtoi se bashkëkryesimi dhe bashkëbisedimi janë shumë më të sigurta se kryesimi dhe monologu.