Shqetësimet e ngritura nga Mark Nika, xhaxhai i protestuesit të vrarë më 21 janar, Aleks Nika, kanë marrë përgjigje nëpërmjet një letre nga Komisioneri për Zgjerim Stefan Fyle. Vasilis Maragos, drejtori i Njësisë për Shqipërinë në Komisionin Europian, i është përgjigjur letrës së zotit Nika në emër të komisionerit Fyle.


“Komisioni Europian i jep një rëndësi të veçantë çështjes që ju ngrini për forcimin e shtetit ligjor dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë, të cilat janë disa pika kyçe që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugëtimin e saj drejt integrimit europian”, thuhet në fillim të letrës.


Vasilis Maragos në vijim të letrës shprehet se: “Komisioni është duke ndjekur me vëmendje zhvillimet që lidhen me ngjarjet e 21 janarit 2011. Në progres raportin e vitit 2012 kapitulli për Shqipërinë është nënvizuar nevoja e hedhjes dritë për këto ngjarje përmes një procesi gjyqësor të besueshëm”. Më tej Maragos ka theksuar se në kontaktet e tij me autoritetet shqiptare, Komisioneri në mënyrë të vazhdueshme ka nënvizuar nevojën për pasjen e një sistemi drejtësie në Shqipëri transparent, të pavarur dhe eficent, gjë për të cilën ne do të vijojmë ta monitorojmë nga afër.


Në fund të letrës, Maragos shprehet se  komisioni do të monitorojë nga afër zhvillimin e procesit gjyqësor, që po zhvillohet në lidhje me 21 janarin.


20 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)


 


Fyle i përgjigjet Mark Nikës: Po monitorojmë nga afër çështjen e 21 janarit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip