Nga ditari i një ati françeskan më 1912-13


FATOS BAXHAKU


Atë Justin Rrota, OFM. Lindi në Shkodër në shkurt të 1889-s. U pagëzua nga dom Ndoc Nikaj, autori i romanit Shkodra e rrethueme, ose Bukurusha dhe prandaj u quajt Ndoc. Një biografi pak a shumë të plotë të tij na ka lënë pas atë Donat Kurti, mbledhësi i vyer i folklorit.


Ndoci studio në fillim në Shkollën Françeskane e më pas në Kolegjin Françeskan të Gjuhadolit. Për herë të parë gjithnjë sipas atë Kurtit zhgunin e veshi më 1904-n në Kuvendin e Rubikut. Dy vjet më vonë, kësaj here me emrin Justin, studioi për filozofi e teologji në Troshan. Nisi studimet në Austri për teologji, por shëndeti i dobët e detyroi të kthehej në qytetin e tij të lindjes. U shugurua meshtar në kujdesin e atë Gjergj Fishtës më 1911-n. Prej kësaj kohe ishte mësues i latinishtes dhe shqipes në shkollat françeskane në Shkodër e Troshan. U dallua për studimet e tij në fushën e gjuhës shqipe. Më 1936-n nisi të prekej nga një sëmundje e rëndë, që më pas i mposhti krejt gjysmën e majtë të trupit, megjithatë vazhdoi të punonte. Vdiq në Kuvendin e Arrës së Madhe në Shkodër më 21 dhjetor 1964 dhe u varros në krah të vëllait të tij në varrezat e Gjuhadolit.



Shkoder-1913,-At-Gjergj-Fishta-&-Justin-Rrota
Shtepi-katolike-e-shkaterruar-nga-bombardimet
Shkoder-1912,-ne-pritje-te-bukes
Gjon-Pali-i-plagosur-dhe-e-bija
Katedralja-e-Shkodres-e-bombarduar-nga-Malazezet
Shkoder-1913,-uria-nuk-ndalet
Mbrojtesit-e-Shkodres-ne-llogore

Libri i tij Ditët e mbrame të Turqisë në Shkodër, ase rrethimi i qytetit 1912-1913 ka pasur një aventurë më vete. Në vetminë e tij në luftën e ashpër me sëmundjen, atë Justini hodhi në letër shënimet që kishte mbajtur gjatë rrethimit të përgjakshëm të Shkodrës nga tetori i 1912-s e deri në prill të 1913-s. Dëshira e tij e madhe ishte që libri të botohej më 1963-shin, me rastin e 50-vjetorit të ngjarjeve që ai përshkruan. Kërkoi më kot lejen e botimit nga shteti i asaj kohe. Një vit më vonë autori mbylli sytë. Libri doli në dritë vetëm më 2012-n nga Botimet Françeskane.


Mbi ngjarjet e Shkodrës më 1912-1913 janë shkruar me mijëra faqe: studime, kujtime, riprodhime të shtypit të kohës, dokumente. Por libri i atë Justinit ka një mënyrë të vetën për ta parë luftën. Duke qenë se ai ndau tmerret e luftës së bashku me popullsinë civile, ai na tregon një natë tjetër të luftës, jo atë heroiken, rrëfime të mbushura plot heronj, por një rrëfim me një qytet që pak nga pak po mposhtej nga uria, nga i ftohti, nga izolimi. Shkodra e atë Justinit, pak nga pak, sa më shumë që kalonin muajt, nis të shndërrohet në një qytet fantazmash, ku njerëzit e paktë ecnin përmes të vdekurve të mbështetur në mur, nga frika se mos rrëzoheshin prej pafuqisë. Hera-herës atë Justini përzien një pikëllim të thellë me një humor të mëndafshtë e pesimist, është njësoj sikur të dojë të na thotë se në çdo luftë të dyja palët vuajnë njësoj, fitimtarët dhe të mundurit. Nga ky rrëfim i mrekullueshëm, i shkruar në një gegërishte melodioze, kemi nxjerrë disa episode.


 


Kryekomandanti


Në Shkodër Hasan Riza beu (pas vdekjes mori titullin Pashë) ishte një figurë fort e njohur. Irakiani ishte i prerë, një ushtarak i vërtetë i karrierës dhe i vendosur të mos e lëshonte Shkodrën me asnjë kusht. Atë Justinit i ka bërë përshtypje një histori që rrëfehej gojë më gojë në qytetin e pushtuar. Thuhet se ndërsa ishte në inspektim në llogoret e Bardhajve, në periferinë e sotme lindore të Shkodrës, Hasan Rizai pa një ushtar malazez të plagosur që mezi çapitej. Atëherë kryekomandanti osman i paska blerë për 150 grosh një kalimtari të rastësishëm një gomar, mbi të cilin ka hipur malazezin e plagosur dhe, pasi i ka dhënë një flamur të bardhë, e ka nisur për në krahun tjetër të llogoreve, atje nga ku artileria armike vazhdonte të qëllonte. Kjo ndodhi pati bërë shumë përshtypje në gjirin e ushtarëve osmanë.


 


Uja


Që në muajt e parë të rrethimit nisi të ndihej kriza e bukës. Urdhri i Hasan Rizait ishte që bukëshitësit të mos jepnin më shumë se një bukë për frymë. Furrat ishin përditë të rrethuar nga turmat e njerëzve të uritur.


Sikurse ndodh thuajse gjithnjë në situata të tilla nisi menjëherë edhe spekulimi me bukën. A ishte urdhri që çdo njeri të merrte një bukë? Atëherë në rregull! Shumë djem të shkathët e të fuqishëm e bënin shumë shpejt xhiron në tetë furrat e qytetit dhe pastaj u ktheheshin të uriturve që më kot prisnin në radhë. Doni bukë? Ja ku e keni, por dua edhe unë fitimin tim.


Atë Justini tregon edhe një histori tjetër: Një grua pas shumë përpjekjesh mundi më në fund të merrte një bukë. Por teksa kthehej e gëzuar në shtëpi, një djalosh ia rrëmben bukën dhe ia mbath me të katra. Teksa ikte djaloshi lëshoi përdhe paratë e bukës. Njerëzit shihnin se si gruaja shkrehej në vaj e dëshpëruar me paratë e bukës në dorë. Mjerisht sod parja nuk ban pare. Ska vlerë, shkruan atë Jus