Nëse lëkura është e prirur për akne e puçrra dhe gjithmonë ka shkëlqim, nuk do të thotë se duhet ti lini rregullat bazë të pastërtisë saj.


Hidratojeni


Ata që kanë lëkurë të yndyrshme gjëja e fundit që mendojnë është ta hidratojnë për të mos rritur yndyrshmërinë. Por në të vërtetë është e kundërta. Duhet zgjedhur një krem hidratues specifikues për këtë lloj lëkure që të shmangë tharjen edhe më shumë (gjëndrat dhjamore reagojnë duke rritur prodhimin e yndyrës) dhe që do ta përkeqësonte situatën.


Fytyra duhet pastruar çdo ditë


Larja e fytyrës çdo mëngjes dhe mbrëmje nuk duhet të mungojë asnjëherë, sidomos për ato që e kanë fytyrën e yndyrshme. Në këtë rast këshillohet të përdoret një larës delikat në vend të sapunit të zakonshëm, për të shmangur një prodhim të madh të yndyrës, thotë një dermatologe nga Universiteti i Kalifornisë. Por cilët janë larësit më të mirë për këtë lloj lëkure: duhen shmangur ato që kanë tendencën të irritojnë shtresën e lëkurës, dhe të marrim produkte që përmbajnë acid salicilik, peroksid benzoil dhe acid glikolik. Në fillim rekomandohet që të provohet në një zonë të vogël të lëkurës dhe të përdoret ujë i ngrohtë për të shmangur irritime të ndryshme të saj, sugjeron dermatologia.


Duhet përdorur tonik


Është shumë e rëndësishme të përdoret toniku në pastrimin e lëkurës me yndyrë, sepse ai ndihmon në mbylljen e poreve (që te kjo lloj lëkure janë më të dukshme), duke shmangur kështu çdo lloj mbledhjeje të yndyrës, që mund të favorizojë daljen e akneve dhe puçrrave.


Duhet përdorur maskë


Një herë në disa kohë është mirë që të përdoret maskë për të eliminuar papastërtitë dhe daljen e puçrrave. Ideale është që të zgjidhet një produkt me bazë argjilën, e pasuruar dhe me acidin salicilik, që stimulon shtresën e lëkurës duke e pastruar atë nga yndyra.


Lëkura duhet të kontrollohet gjatë ditës


Stresi, djersa dhe shumë faktorë të tjerë e vënë lëkurën në një provë të vështirë gjithë ditën, aq më tepër lëkurën e yndyrshme, që më pas ka si pasojë daljen e puçrrave. Prandaj gjatë ditës duhet gjetur momenti për ti dhënë një pastrim lëkurës, në mënyrë që të shmanget efekti i shkëlqimit. Mjafton dhe një pastrim me një shami letre për të hequr yndyrën e tepërt.


19 qershor 2017 (gazeta-Shqip.com)