ERION KAME


Tema që dua të trajtoj nuk ka të bëjë fare me profesionin tim të regjisorit, por pika lidhëse është gjuha shqipe. Dhe meqë unë e përdor gjuhën shqipe si mjet shprehës në profesion dhe mjet komunikimi në jetën e përditshme, e ndiej si detyrë të fokusoj një problem. Nuk kam ndërmend të merrem me sintaksën, morfologjinë apo shtrembërime që i bëhen gjuhës sonë ngado që hedh veshët. Po ashtu nuk kam as ndonjë propozim spektakolar për ta pasuruar apo hequr ndonjë zanore këtu, e ndonjë bashkëtingëllore të pazëshme atje. Kjo… sepse nuk jam gjuhëtar. Por jam prind. Sepse kam kohë që dua ta bëj, por jam tërhequr… kushedi pse, por tani u mbush kupa.


Historia fillon një pasdite dimri, kur vajza ime në klasë të katërt, në shkollën Edith Durham, në qendër të Tiranës, kishte një paqartësi në lëndën e Gjuhës Shqipe dhe më kërkon ndihmë për një tregim që kishte aty. Para se ta qartësoja time bijë duhet të lexoja tregimin. Lexoj tregimin dhe ishte si të më zinte korrenti.


Gjergji dhe Joni, dy shokë klase duke shkëmbyer fotot e lojtarëve të kombëtares gjatë pushimit midis orëve. Joni blen nga Gjergji një foto për 1000 lekë. Joni që i fiton këto para do të blejë një biçikletë, por i duhen edhe shumë të tjera, sepse biçikleta kushton shumë më tepër se aq. Në ndihmë na i vjen Albana, e cila e këshillon që këto para ti fusë në bankë dhe të hapë një llogari, ashtu siç ajo ka bërë vetë pak kohë më parë.


Deri këtu, tregimi përveç mediokritetit artistik, pasi është shkruar në formë dialogu, dhe unë mund të flas shumë gjatë këtu, nuk ka ndonjë gjë kush e di se çë…


Këshilla e Albanës ishte shumë konkrete. Paratë do i fusësh në x bankë dhe do hapësh një llogari për fëmijë me x emër. Nuk u besoja syve ndërsa vazhdoja të lexoja. Emri i bankës përsëritej vazhdimisht e vazhdimisht, kurse Joni kishte dalë nga tregimi se ishte nisur menjëherë drejt bankës për të futur 1000 lekëshin që ta blinte sa më shpejt biçikletën. Jo vetëm që Joni bleu brenda pak muajve një biçikletë, por na u bë edhe kampion çiklizmi për moshat e reja. Tregimi në fund kishte një kërkesë Luaj me role tregimin dhe përsëri emrin e bankës në vend të autorit. Por vetë libri ka një autor (e). Ajo është Prof. Dr. Mimoza Gjokutaj. Kisha lexuar në librin e Gjuhës Shqipe 4 për Bobin, një parashutist fatkeq nga Amerika që këmba i fluturoi në ajër e ndarë nga trupi. Apo për Zanën dhe babin e vet që rruhet në banjë dhe i thotë së bijës që është lakuriq dhe smund tia hapë derën… dhe ajo e pyet pse nuk e rruan mjekrën me sapun?. Pa folur pastaj për emrat e autorëve anonimë dhe të palexueshëm me shumicë që ka ky libër. Gjithashtu, kisha dëgjuar për Gjuhë të tjera ku Gjergj Elez Alia ishte akoma te plaga e gjashtë, apo për Shabanin me një sharrë dhe arrë që shkonte në Sheraton për shans. Por tregimi i Gjuhës Shqipe 4 besoj që është kulmi. E kuptoj makabritetin te Bob parashutisti, perversitetin te babai me vajzën, apo përdorimin e germës Gj dhe Sh, respektivisht te Gjergji dhe Shabani, por Albanën, Gjergjin tjetër dhe Jonin nuk e kuptoj fare. Me besoni kur e them këtë, pasi kam ditë që dua të nxjerr problemin që ka ky tregim. Sigurisht jo problemin e tregimit, por po përpiqem të artikuloj: pse ndihem kaq i fyer dhe i acaruar. E meqë unë nuk po arrij dot të jem racional në këtë opinion timin, smë mbetet gjë tjetër veç të ulërij i dëshpëruar për edukimin, formimin e informimin e fëmijës tim. Pyetjet që më vijnë ndër mend janë të thjeshta dhe retorike.


·        Si ka mundësi të bëhet një gjë e tillë?


·        Si ka mundësi që një profesoreshë e doktoreshë si Mimoza Gjokutaj ka hartuar një gjë kaq të dobët profesionalisht dhe të ulët moralisht?


·        Si ka mundësi që kjo broshurë (smund ta quaj më lëndë të Gjuhës Shqipe), ka kaluar mes redaktorëve e recensëve?


·        Si ka mundësi që kjo broshurë ka kaluar filtrin e bordeve të Ministrisë së Arsimit, apo procedurat të cilat nuk i njoh?


·        Si ka mundësi që një sistem i tërë të jetë kaq i kalbur?


·        Si ka mundësi që një mal me njerëz që pretendojnë të jenë intelektualë, të kenë arritur deri këtu?


Dhe pyetjet e mia nuk kanë fund. Nxora disa përgjigje: këta njerëz kanë marrë para nga ky biznes dhe skanë dashur fare të dinë për programin mësimor. Në këtë mes duhet të ketë shumë para, përderisa është korruptuar një mori me njerëz. (korruptuar nuk është termi i duhur. Duhet të ketë një term më të rëndë, por nuk e gjej dot). Një organizëm i tillë, me karakter mafioz është shumë i rrezikshëm, duke filluar nga Banka e deri te punonjësit e thjeshtë të Ministrisë së Arsimit që kanë dijeni.


Kam edhe përgjigje të tjera, por nuk janë të duhurat. Njëra prej tyre ka të bëjë me nivelin mediokër të këtyre Profesoreshave dhe Doktorëve. Ka të bëjë me përgatitjen e ulët të tyre. Por sigurisht që nuk është kjo. Do ishte një ngushëllim. Do ishte shpëtim. Ku ma gjen. Por kjo është diçka tjetër, është diçka e keqe, e ligë, e paskrupullt, e padëgjuar, e shëmtuar, e turpshme dhe mund të përdorësh çdo lloj epiteti për të përshkruar ndyrësinë.


Ndoshta jam pak i rëndë dhe i ashpër në këto që them, por prapëseprapë mbetem i fyer e i acaruar dhe i pashfryrë në dufin tim, ndaj dua që lexuesi të më kuptojë edhe njëherë që kjo është një britmë më shumë se një opinion racional dhe analitik. Pasi akoma nuk i vë dot një emër.


Thua të jetë një formë e kapitalizmit dhe ne se kemi kuptuar dot, pasi jemi prapa, por këta Profesorë, Doktorë dhe lloj-lloj specialistësh e kanë përthithur shumë përpara nesh. E them se është turp dhe e frikshme kjo që po ndodh, pasi me siguri edhe në tekste të tjera ndodh e njëjta gjë. Ky lloj kapitalizmi, (dhe sigurisht që këtu sbëhet fjalë për kapitalizëm) është një sëmundje kancerogjene që ka kapluar ndër ethe edhe këtë soj intelektualësh shqiptarë. Mafia nuk është asgjë më pak se kaq.


Një pasdite dimri, vajza ime 9-vjeçare kishte një paqartësi në lëndën e Gjuhës Shqipe 4. Paqartësia ishte kjo:


-Babi, po unë a kam llogari bankare për fëmijë tek ajo bankë?


Mafia e arsimit ia ka arritur qëllimit.


Kjo është arsyeja për të cilën po klith këtu.


Kam një falënderim në të gjithën këtë. Dua të falënderoj mësuesen kujdestare, e cila e mirëkuptoi zemëratën tonë, pasi e kundërshtuam familjarisht me një letër, por është e pafuqishme në këtë sistem. Pasi ky është një sistem i ulët, i turpshëm dhe fatal. Njerëzit e implikuar në këtë biznes të paskrupullt, dhe këtu nuk përjashtoj as bankën në fjalë, e as hartuesit e Gjuhës Shqipe që meritojnë notën 4, duhet të vihen para përgjegjësisë, në të kundërt brezi i ri do ta marrë për të mirëqenë këtë pazar dhe nesër nuk do të bëjmë më me kampionë çiklizmi, por me viktima të një kohe ku ethet e fitimit shkelin mbi arsimimin, edukimin dhe mbi të ardhmen. Për mua është një situatë krejt e re, të paktën deri tani, nuk e kam hasur kurrë. Kjo është shumë e rrezikshme.


Ky shkrim GJUHA SHQIPE… u publikua me pare te Gazeta SHQIP.