Në kuadrin e 9-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës


MANIFESTIM I BUKUR FESTIV MES SHQIPTARËSH NË TREVISO


Nga Ndue Lazri


Një sallë e mbushur plot e përplot me njerëz, ku janë ulur mbi 500 vetë. Të tjerë që rrinë në këmbë e të tjerë jashtë sallës që presin një mundësi për të hyrë. Rreshtat e karrikeve që ishin vënë në sallë nuk mjaftojnë dhe aktivistët e palodhur të shoqatës Iliria, tri herë me radhë detyrohen të shtojnë rreshta të rinj karrikesh. Flamujtë kombëtarë shqiptarë dhe flamuri i Republikës së Kosovës jo vetëm janë ekspozuar në skenën e madhe, por edhe valëviten nëpër sallë. Njerëz të gëzuar e të veshur si për festë, fëmijë të shumtë që kanë ardhur me familjet e tyre, tinguj muzike të këngëve e valleve shqiptare e kosovare, aktivistë të të gjitha shoqatave shqiptare në zonë, midis të të cilëve spikasin flokëbardhi i urtë e patriot Selim Musaj, Agim Mulosmani, Beqir Çikaqi, Mardena Kelmendi. Miradie Avdullahi, Sami Binakaj e shumë të tjera.


Madje kjo festë i ka shtrirë krahët edhe më tej, duke tërhequr autoritete te diplomacisë e politikës, aktivistë e simpatizantë edhe përtej kufirit shtetëror. Kanë ardhur edhe konsulli i republikës së Kosovës në Austri, Imer Lladrovci, deputejta e parë shqiptare e parlamentit të Kroacisë, Ermina Leka, Heset Ahmeti, kryetar i shoqatës Iliria në Koper të Sllovenisë etj.


E zonja e shtëpisë, kryetarja e shoqatës Iliria në Treviso, avokatja Ermira Zhuri, është në çdo çast në krye të situatës, u del përpara mysafirëve, i shoqëron në vendet e tyre dhe pastaj del në paraskenë e uron mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve, me urimin: Gëzuar Pavarësinë e Kosovës.


Fillon kësisoj koncerti i madh, që i ngjan më shumë një manifestimi festiv kulturor e artistik. Prezantuesja e programit, e mirënjohura Silvana Braçe, fytyra ikonë e TV shqiptar për dekada të tëra, ka ardhur që nga Brukseli, ku një ditë më parë ka prezantuar një koncert tjetër të shqiptarëve në këto ditë kur anembanë globit, ku ka shqiptarë, festohet 9-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Mbajnë përshëndetjet e rastit konsulli Lladrovci dhe deputetja Leka. Më ftojnë edhe mua për një përshëndetje në emër të Federatës FNAI. Me mua kanë ardhur në këtë festë edhe aktivistet e shoqatës Shqiponja në Reggio Emilia e të Federatës, Brunilda Diko e Liljana Selfo, si dhe poetja Lili Bimi. Publiku është entuziast dhe i pret përshëndetjet me duartrokitje të gjata. Pastaj fillon programi artistik. Është shumë simbolik inskenimi i protestës ndaj ndalimit të padrejtë të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, realizuar nga grupi artistik i shoqatës Iliria në Treviso. Një njeri i lidhur me zinxhirë dhe me zgjedhën e fiksuar rreth qafës japin qartë idenë e lirisë së dhunuar të ish liderit kosovar.


Kostumet kombëtare të zonave të ndryshme të Shqipërisë e Kosovës, vallet dinamike, si ajo e shpatave e Rugovës, vallja e Tropojës e shumë të tjera krijojnë një atmosferë kombëtare e patriotike shumë të ngrohtë. Grupi i valleve i ardhur që nga Sllovenia dhe i drejtuar nga Suela Hoxha, interpreton me mjeshtëri artistike Vallen e Shqipeve, në fund të së cilës një flamur i madh kombëtar mbush gjithë pamjen e skenës.


Koncertit i dhanë gjallëri e bukuri të veçantë edhe këngëtarët Arian Agushi me emrin artistik Gold Ag, Albina Jahjaga, Feim Graishta, Agron Tefta, Agim Morina etj., të cilët, me zërin dhe ritmet e tyre e ftonin publikun të vallëzonte në sallë. Nuk mungoi në koncert edhe zëri i poetëve e recituesve, që sollën poezi patriotike, që i kushtohen Kosovës, heronjve të saj në luftën për shpalljen e pavarësisë dhe përvjetorit që festohet në këto ditë. Ishin poetët Miradie Avdullahi dhe Mexhid Hoxhaj, si dhe recitueset e reja Shpresa dhe Altina Gashi.


Në një moment të caktuar, kur numurat e parashikuar në program përfundojnë, prezantuesja Silvana Braçe e fton publikun të qëndrojë akoma në sallë për të vallëzuar sëbashku nën tingujt e këngëve e valleve kombëtare. Dhe, siç kemi parë edhe në shumë raste të tjera, ku shqiptarët mblidhen të festojnë, kënga e vallja vazhdojnë deri vonë, ndonëse festa ka disa orë që ka filluar.


Në mbrëmje, zonja e nderuar Antoneta Kola nga rrethinat e Shkodrës, e cila ka vite që ka hapur një restorant në periferi të Trevisos, shtron një darkë në lokalin e saj. Sipas traditës shqiptare ajo del vetë tek dera e lokalit dhe i pret mysafirët sikur po i priste tek shtëpia e saj. Gatimet e saj janë specialitete shqiptare e iltaliane dhe përfundojnë me një tortë gjigande në të cilën është shkruar Gëzuar Pavarësinë, Kosovë!.


Kjo ishte ndër festat e para me të cilat hapet seria e festave të organizuara këto ditë nga shoqatat shqiptare. Do të pasojnë festa e shoqatës së vëllezërve kosovarë Zëri i Atdheut në Reggio Emilia, ajo e shoqatës Skënderbeg në Fermo etj. E në të gjitha shpaloset gëzimi e hareja dhe lajtmotivi i bukur: Gëzuar Kosovë!


16649575_10210261819216174_5851203959138314474_n 16807638_10210261831576483_6256520991220070909_n 16806685_10210261831536482_5089557819527557581_n 16807176_10210261831496481_2988883328306546547_n 16649167_10210261832416504_2771539570503191780_n 16806647_10210261832496506_7306671089648866590_n 16806773_10210261839376678_6489871511652674657_n 16730331_10210261839416679_2623925020237192707_n