Ka muaj që Dukati dhe banorët e tij po ziejnë për cështjen e pronave të tyre shekullore. Ata po dalin për herë e më shumë në protesta duke bllokuar hera herës edhe rrugën nacionale, që duhet thënë se është e gabuar, por sic duket gjërat kanë agravuar deri atje sa ata, dukatasit, kanë humbur qetësinë dhe dihet, kur humbet qetësinë humbet edhe llogjikën dhe kalon në mosbindje civile ndaj shtetit. Mendoj se punët nuk duhet të shkojnë deri këtu pasi, po të jetë vullneti i mirë për t’i zgjidhur gjërat, ato zgjidhen për bukuri dhe pa kosto sociale. Dihet botërisht se krahina e Dukatit ku shtrihet edhe gadishulli i Karaburunit është përbërë nga rreth 100 fshatra, ku një pjesë e tyre kanë qenë në Karaburun. Në Karaburun dukatasin kanë pronat e tyre shekullore, kryesisht kullota të trashëguara brez pas brezi qw në kohët më të lashta. Kur Osmanllinjtë pushtuan Shqipërinë për 500 vjet me radhë, ata i gjetën dukatasin në stanet dhe kasollet e tyre shekullore në Karaburun dhe ashtu i lanë edhe pas regjistrimit të pronave. Në Dukat të tregojnë dokumenta arkivore të kohës së Turqisë, ku secili pronar kishte kullotat e tija me emër dhe mbiemër gjysh pas gjyshi dhe të ndarë në vetren dhe me kufitar në të gjithë Karaburunin. Dukatasit jetuan në trojet e tyre në Karaburun deri në vitet 50 të Shekullit të XX. Një pjesë e tyre kishin lindur brez pas brezi në stanet dhe kasollet e kullotave të tyre shekullore të Karaburunit dhe janë shpërngulur që aty vetëm kur nisi ndërtimi i Bazës Ushtarako – Detare të Pashalimanit dhe rrugë-kalimet për në Karaburun u bllokuan. Karaburuni është i vetmi gadishull i Shqipërisë me një gjatësi prej 12 km dhe gjerësi 3.5 km, ku lartësia më e madhe është ajo e Majës së Kores dhe më e ulta ajo e Ravenës. Karaburuni ka njohur prej rreth 2000 vjetësh e mos më shumë fise të tilla si pronar të ligjshëm të tij si, Rucajt, Petoshatajt, Bodajt, Mëhillajt, etj, etj, pasi Dukati është një fshat i madh dhe është quajtur gjithmonë Krahina e Dukatit. Dukatasit kanë 20 vjet që po durojnë duke pritur që pushteti tu kthej Karaburunin pasi u takon vetëm atyre dhe askujt tjetër mbi këtë dhe. Baza e Pashalimanit nuk mund të bëhet pengesë për kthimin e pronave të Karaburunit pronarëve të tyre shekullor. Ndërtimi i një rruge duke kaluar nga Llogaraja ose rëzës së Bazës do të ishte një mundësi e mirë për tu dhënë shansin historik dukatasve për të zhvilluar turizmin në këtë zonë të bukur të natyrës, por më parë duke ua kthyer Karaburunin dukatasve, të cilët e dinë mirë brez pas brezi se ku i kanë sinorët e tyre gjyshërore. Kjo cështje nuk duhet të zvaritet më, pasi durimi i dukatasve është sosur. Dukatasit nuk para i pranojnë shakarat dhe romuzet e pushtetve pasi janë racë e zgjuar dhe shakat dhe romuzet i kanë për sua. Askush nuk duhet ti ngas brirët me Dukatin pasi dukatasit janë sua që nuk i lënë punët në mes të rrugës. Të drejtën e tyre të ligjëshme ata e kërkojnë deri në varrë. Nëse Dukatit i kthehet Karaburuni, një turizëm i paparë elitar do të zhvillohet aty, duke u zhvilluar edhe infrastruktura përkatëse. Dukatasit janë punëtor dhe trima të cartur dhe dinë ta ndërtojnë jetën edhe në majën e shkëmbit, mjafton që askush të mos u bjerë më qafë padrejtësisht dhe t’i mbajë peng pronat e tyre në Karaburun, sic po ndodh këta 20 vitet e fundit. Prallave të tilla si, Karaburunin do ta marrë NATO, Amerika apo Berluskoni, janë të kaluara në kohë, pasi me pronat e Dukatit nuk mund të luhet më. Dihet historikisht se kanë qenë dukatasit që kanë mbrojtur, kanë punuar dhe kanë jetuar me Bazën e Pashalimanit, si atdhetar dhe patriot të mëdhenjë që janë. Historitë e Dukatit dhe Karaburunit nuk kanë të sosur. Marëshalli i ish Bashkimit Sovjetik Zhukov vuri gishtin mbi Pashaliman dhe Hrushovi ishte dakort për vendosjen e raketave në ultësirën e Ravenës në Karaburun. Ish Kryeministri Mehmet Shehu vinte cdo të shtunë të sezonit të gjuetisë për të gjuajtur derra në Karaburun. Karaburuni ka disa shpella, disa gjire të mahnitshëm detar, ka guroren e mermerit të bardhë dhe shkure dhe pemë ku dallohet valanidhi. Pjesa nëdetare e Karaburunit perëndimor është e mbushur me korale të kuqe, të lakmuara nga piratët e koraleve. Në kohën e monizmit në Karaburun ishin vendosur 6 reparte ushtarake dhe baterit e altilerisë bregdetare. Karaburuni ka qenë fole e sigurt e misioneve ushtarake të Aleatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe e të ashtuquajturve diversant. Qafa e Llogarasë 1125 m mbi nivelin e detit ka pritur legjionet e Jul Cezarit kur ato zbarkuan në Plazhin e Palasës që sot mban emrin Plazhi i Cezarit. Cezarin e pritën barinjtë e Dukatit por nuk e lejuan të futej me legjionet në fshat, por e orientuan të zbristë majtas mbi Pashalimanin e sotëm dhe nga Oriku në ndjekne të Pompeut. Relievi dhe natyra brilante e Karaburunit do të ishte Shansi më i mirë për të zhvilluar një turizëm, ku me siguri të huajt do mbeteshin të befasuar nga natyra prrallore e Karaburuniut dhe bregdetit shkëmbor me plazhet dhe gjiret e vegjël por të magjishëm. Mos ja hiqni këtë shana Dukatit dhe pronarëve të tij të Karaburunit, pasi jeta nuk është që e gjatë sa duket. Dukati kërkon me këmbëngulje pronat e tij dhe kthimin në Karaburunin stërgjyshror. Lojrat me kullota në përdorin do të ishin të turpshme për ata që do guxonin të konfliktoheshin me Dukatin. Dukati do t’i vazhdojë protestat edhe më të mëdha pa u ndalur dhe pa u tërhequr deri në kthimin e Karaburunit në juridiksionin e pronarëve të tij të njohur shekullor. Dukati nuk i pranon lojrat me pronën pasi dukatasit janë shqiptar të vjetër të një race boreale, që erës së jugut I thotë “liva” dhe që ka pritur dhe përcjellë personalitete të mëdha botërore, që nga Jul Cezari i famshëm, dhe që tokën e të parëve di ta ruaj dhe ta kërkoj deri në fund pa u tërhequr. Kush bënë shurdhin ndaj kërkesave të Dukatit e ka gabim. Prona është e shenjtë dhe Karaburuni është edhe më i shenjtë për dukatasit, prandaj do të ishte mirë t’i jepej zgjidhje problemit sa më shpejtë. Dukati nuk mund të duroj më, ai kërkon Karaburunin shekullor të gjyshërve dhe stërgjyshërve të tij dhe ka të drejtë deri në fund.





Gazetar, Drejtor i Bibliotekes Publike "Shevqet Musaraj".







29 Gusht 2010