Vendimi

Këshilli i Ministrave shpalli dje Park Kombëtar zonën e gadishullit të Karaburunit dhe ishullit të vetëm në Shqipëri, atë të Sazanit. Po kështu, përveç vendimit për shpalljen e këtyre sipërfaqeve park kombëtar, qeveria mori vendimin edhe për shpalljen e ekosistemit natyror detar, sipërfaqet e ujit që rrethojnë gadishullin dhe ishullin. Kështu, të mbrojtura tashmë do të jenë sipërfaqet pyjore dhe të bimësisë të Karaburunit dhe Sazanit, sipërfaqe këto që kapin shifrën e 12570.82 hektarëve. Në lidhje me këtë pjesë, vendimi sqaron se pranë gadishullit të Karaburunit kjo sipërfaqe është 9848.95 ha dhe përcakton koordinatat e sakta që do të jenë në mbikëqyrje. Ndërsa për sa i përket ishullit të Sazanit, ajo llogaritet me një sipërfaqe 2721.87 hektarë. Vendimi thekson se Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Mbrojtjes dhe institucionet kërkimore-shkencore, duhet të marrin masa për të siguruar ruajtjen, monitorimin dhe zhvillimin e eko-turizmit nënujor në zonën e Karaburun-Sazan. Po kështu, vendimi thekson se administrata ekzistuese e zonës së mbrojtur Llogora-Karaburun kryen edhe funksionet e administratës së Parkut Kombëtar Karaburun-Sazan.








#