Nënkryetari i Milanit, Adriano Galliani insistoi se nuk ka problem me sulmuesin Zlatan Ibrahimoviç.

Mediet italiane kanë spekuluar rreth shpërthimit të një konflikti mes suedezit dhe trajnerit Massimiliano Allegri pas humbjes 3-0 nga Arsenali të martën në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve. Ibrahimoviç ishte ankuar në taktikën e Allegrit, pavarësisht kualifikimit në çerekfinale.

Mirëpo, Galliani ka theksuar se gjithçka është në rregull mes Allegrit dhe Ibrahimoviçit. “Preferoj Ibrahimoviçin e hidhëruar. Kur ai nuk është i tillë, atëherë e humb karakterin luftarak”, deklaroi Galliani për Corriere dello Sport.

“Gjithçka është sqaruar mes Allegrit dhe Ibras. Në fakt, çështja ishte zgjidhur ende pa filluar mirë. Zlatan është djalosh fantastik, i cili fiton shumë sepse është gjithmonë i përqendruar dhe i vendosur për sukses”, përfundoi Galliani.