DURRES- Durrësi, një metropoli dytë në Shqipëri, meriton një kandidat të denjë për kryebashkiak dhe me vizion të qartë për të ardhmen.
Kryetari aktual i bashkisë Vangjush Dako rikandidon nën siglën e koalicionit "Aleanca për të ardhmen e vendit" duke deklaruar se ka përmirësuar jetën e qytetarëve. Dako: "Rivali im për kryebashkiak mbahet mend vetëm për shpifje e fyerje". Përballë tij është Ferdinand Xhaferraj, i cili ka dorëzuar mandatin e ministrit dhe të deputetit për qytetin e tij të lindjes. Ai premton "bashkëpunim me qytetarët" por shton dhe se "nuk mund të hesht për korrupsionin e kryebashkiakut aktual".

KANDIDATI I PS: DO T'I JAP FUND URBANIZIMIT KAOTIK
Durrësi, një metropoli dytë në Shqipëri, meriton një kandidat të denjë për kryebashkiak dhe me vizion të qartë për të ardhmen. Vangjush Dako, përfaqësues i Partisë Socialiste është i bindur se është zgjedhja e duhur për bashkëqytetarët e tij. Ai deklaron se arritja e tij kryesore në katër vitet e mandatit që po mbyll si kryebashkiak i qytetit bregdetar, është përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve. Në një intervistë dhënë për "Gazeta Shqiptare", Vangjush Dako pohon se "nuk ka qytetar të Durrësit që të mos ketë përfituar nga projektet e realizuara nga Bashkia gjatë këtyre 4 vjetëve. Dikush ka përfituar nga ndërtimi i një rruge, dikush tjetër nga një lulishte, të tjerë nga ndriçimi i bllokut të banimit, dikush nga projektet sociale etj". Ndërkohë, kandidati i Partisë Socialiste ndihet optimist dhe praktik teksa thotë se ka projekte të mëdha për Durrësin. Kryebashkiaku aktual premton se gjatë 4 vjetëve të ardhshëm do të përmbysë tendencën e deritanishme të urbanizimit kaotik, do të ketë në vëmendje ruajtjen e zonës historike, si dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbëruara. Duke iu referuar problemeve me të cilat po përballet, Vangjush Dako thotë se bllokimi i projekteve të Bashkisë është aksion politik i pastër. Sipas tij, privatizimi i kabinave të plazhit është thjesht një premtim elektoral nga ana e qeverisë. Gjithashtu, Dako sqaron se vota e LSI-së nuk do të ndikojë në zgjedhje dhe se anëtarët e simpatizantët e kësaj force politike e kanë më të lehtë të votojnë për të, pasi gjithnjë i ka konsideruar si pjesë e së majtës.
Ju synoni mandatin e dytë për kreun e Bashkisë së Durrësit. Cilat mendoni se janë arritjet tuaja gjatë mandatit të parë dhe çfarë mendoni të realizoni në një mandat të dytë?
Përgjigjen do ta përmbledh në një të vetme. Arritja kryesore, të cilën e pata edhe premtimin themelor në fushatën e shkuar, është padyshim përmirësimi i cilësisë së jetës së bashkëqytetarëve të mi. Sot me bindje unë mund të deklaroj se nuk ka qytetar të Durrësit që të mos ketë përfituar nga projektet e realizuara gjatë këtyre 4 vjetëve. Dikush ka përfituar nga ndërtimi i një rruge, dikush tjetër nga një lulishte, të tjerë nga ndriçimi i bllokut të banimit, dikush nga projektet sociale sikurse janë shkollat, çerdhet, qendrat për të moshuarit e të pastrehët, e kështu mund të përmend edhe shumë projekte të tjera. Mund të them pra se forca jonë qëndron te shërbimet ndaj qytetarit. Gjatë mandatit të dytë do të vazhdojmë rrugën e nisur 4 vjet më parë. Mund të deklaroj se kemi projekte madhore për Durrësin, për t'i dhënë këtij qyteti atë që meriton, duke e orientuar atë drejt një qyteti mesdhetar. Gjatë 4 vjetëve të ardhshëm do të përmbysim tendencën e deritanishme të urbanizimit kaotik, do të kemi në vëmendje ruajtjen e zonës historike, si dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbëruara. Përparësi do të ketë zona e ish-Kënetës dhe Spitalla. Në këto rajone nuk do të ketë më kanal të ujërave të zeza e të bardha të hapur. Ulja e ndotjes mjedisore do të jetë një tjetër projekt i yni dhe kjo do të realizohet nëpërmjet përmirësimit të rrjetit infrastrukturor.
Para disa ditëve, z.Astrit Patozi, kreu i grupit parlamentar të PD-së drejtoi një thirrje në adresë të homologut të tij socialist për të zhvilluar një fushatë pa fyerje dhe sharje. A do ta mbështesni këtë apel?
Nuk ka qenë asnjëherë në natyrën e PS-së dhe as në natyrën time fyerja, sharja, shpifja apo denigrimi i personalitetit të të tjerëve. Këtë apel Patozi t'ia kërkojë kandidatit të tij në Durrës, i cili nuk mbahet mend për gjë tjetër, por vetëm për shpifje dhe sharje.
A mendoni se do të jetë ndikuese në rezultatin e zgjedhjeve në Bashkinë e Durrësit vota e LSI-së?
Unë mendoj se anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së, të cilët kurdoherë i kam respektuar, e kanë më të lehtë të votojnë për kandidatin Dako, pasi i kam konsideruar kurdoherë si pjesë e së majtës jo vetëm kur ishim në një koalicion, por edhe sot.
A do të ndikojë negativisht në këtë fushatë bllokimi i dy projekteve të Bashkisë?
Të jem i qartë, bllokimi i projekteve është aksion politik i pastër. Kjo bëhet për të mos u krijuar mundësi qytetarëve të Durrësit që të shijojnë para zgjedhjeve këtë punë të mrekullueshme dhe këto bukuri të krijuara. Bllokimi i punimeve nuk i bën keq Dakos, por i bën dëm të gjithë qytetit. Dua të them se të gjithë ata që kanë marrë pjesë në të tilla bëma, e kanë marrë kurdoherë përgjigjen e merituar me votë.
KRRT e Bashkisë prej kohësh mbahet e bllokuar, çfarë ndikimi ka pasur mosfunksionimi i saj për Durrësin?
Ka 6 muaj që KRRT-ja mbahet peng nga një politikë e papërgjegjshme. Dhe së bashku me të mbahet peng i gjithë qyteti. Janë qindra familje që kanë mbetur pa punë, si dhe dhjetëra ndërtues, të cilët kanë qenë të detyruar që të çojnë në shtëpi punëtorët e tyre. Janë disa dhjetëra pronarë trojesh, të cilët presin lejet e ndërtimit nga KRRT-ja që duhet të jetë në funksion të tyre. Tashmë të gjithë këta janë të detyruar që të presin verën deri në zhbllokimin e situatës. Mund të themi se sektori i ndërtimit po kalon një kohë të vështirë. Stoqeve të apartamenteve i shtohet edhe mungesa e punës.
Së fundmi është marrë një vendim për privatizimin e kabinave të plazhit. Cili është roli i Bashkisë në këtë proces?
Kabinat po i privatizon qeveria dhe ne padrejtësisht na kanë nxjerrë jashtë këtij procesi, pasi duhej të ishim pjesë e procedurave. Por unë kam frikë se privatizimi i tyre është thjesht një premtim elektoral. Ka një vendim, sipas të cilit të drejtën e parablerjeve të kabinave të plazhit e kanë pronarët e trojeve. Dyshoj se qëllimi i këtij privatizimi është i ndonjë ministri për të shtënë në dorë kabinat e plazhit në Currila për qëllime ndërtimi.
Një pjesë e banorëve të plazhit në sektorin "Iliria" janë përjashtuar nga procesi i privatizimit të kabinave, pasi trualli mbi të cilin ato janë ndërtuar është marrë nga pronarët, të cilët kanë blerë kabinat mbi truall. Çfarë qëndrimi do të mbani?
Bashkia nuk ka marrë asnjë vendim për këto kabina. Bëhet fjalë për 74 copë të tilla, në të cilat jetojnë familje në nevojë. Kanë qenë ministritë e linjës si dhe Këshilli Bashkiak ato që kanë vendosur për kthimin e truallit të kabinave te pronarët. Por ne si bashki kurrë nuk do ta fusim në rendin e ditës në mbledhjet e KRRT-së dhënien e këtij trualli për ndërtim, pa siguruar më parë strehimin e banorëve të këtyre kabinave.
Tri ditë më parë, kryeministri Sali Berisha bëri thirrje që askush nga administrata qendrore dhe lokale të mos përdorë automjetet për qëllime fushate. Gjithashtu, të mos ketë edhe devijime të fondeve të vendorit në favor të fushatës. Cili është komenti juaj?
Ky është një truk i kryeministrit. Cili është ai që beson se nuk do të përdoren mjetet dhe fondet e qeverisë për fushatë? Ndërsa ne, çdo fond jemi të detyruar që ta përdorim në bazë të vendimeve që merr këshilli bashkiak.

KUSH ESHTE VANGJUSH DAKO

Ka lindur më 28 nëntor 1966, në qytetin e Durrësit. Arsimin 8- vjeçar e kreu në shkollën "Hasan Koci" në Shkozet të Durrësit. Ndërsa arsimin e mesëm, në gjimnazin "Gjergj Kastrioti", po në qytetin e Durrësit. Më pas kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Në vitin 1991 diplomohet në këtë degë. Më pas merret me biznes privat në fushën e ndërtimit. Gjatë periudhës 2000-2002 kryen detyrën e kryeinspektorit në Inspektoratin Ndërtimor dega Durrës. Në vitin 2004-2005, është shefi i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës. Në vitin 2007 kandidoi për kreun e Bashkisë së Durrësit dhe fitoi.

KANDIDATI I PD: DURRËSI, MË I MIRË ME TREGTI E TURIZËM
Ka dorëzuar mandatin e ministrit dhe të deputetit për qytetin e tij të lindjes. Ferdinand Xhaferraj, përfaqësues i Partisë Demokratike, thotë se nuk është menduar dy herë për të kandiduar për postin e kryetarit të Bashkisë, jo vetëm se ndihet më pranë bashkëqytetarëve, por se ka dhe një plan konkret për atë që duhet bërë për Durrësin. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", ish-ministri i Kulturës deklaron se do të punojë në dy plane. Strategjia e tij është bashkëpunimi me qytetarët e Durrësit, për t'i dhënë këtij qyteti dimensionin e zhvillimit që meriton. Ndërsa pohon se "transporti, tregtia dhe turizmi janë tri shtylla, që po ditëm t'i ngremë në lartësinë e duhur, e bëjnë Durrësin një qytet më të mirë për qytetarët e tij". Ndonëse premton se fushata do të jetë pa sharje e fyerje, kandidati Xhaferaj shprehet se nuk do të heshtë për faktin se Bashkia në vend që t'u shërbente qytetarëve, i ka shërbyer kryetarit aktual të saj.
Ju keni dorëzuar dy mandate, atë të ministrit të Kulturës, si dhe mandatin e deputetit. Mendoni se detyra e kryebashkiakut të Durrësit është më e rëndësishme se dy mandatet e lëna?
Nga pikëpamja e hierarkisë protokollare, detyra e ministrit qëndron shumë më lart se ajo e kryetarit të Bashkisë. Por këto detyra përcjellin kuptime krejt të ndryshme. Shërbimi për Bashkinë e Durrësit ka një simbolikë krejt tjetër dhe më është ofruar si pasojë e kërkesave të qytetarëve të Durrësit dhe kërkesës së PDSH-së. Përveç kësaj duhet mbajtur në konsideratë që si unë dhe bashkëshortja ime kemi lindur në Durrës dhe jemi arsimuar po aty, dhe çfarë është më e rëndësishmja, së bashku me qytetarët kemi ndërtuar një plan konkret për atë që duhet bërë. Të gjitha këto më bënë që të mos mendohesha dy herë për të pranuar kandidimin.
Flitet se strategjia juaj për të dalë fitues në këto zgjedhje është përqendruar në zonën periferike, ish-Kënetë, plazh dhe Shkozet. Sa e vërtetë është kjo?
Strategjia ime kryesore qëndron në bashkëpunimin me qytetarët e Durrësit për t'i dhënë këtij qyteti, porta hyrëse e Shqipërisë dhe në Europë, atë dimension zhvillimi dhe rëndese që meriton. Unë jam qytetar që kam lindur në lagjen nr.1 të Durrësit, e cila është edhe nga më të vjetrat në qytet dhe do ta konceptoja gabim që të cenonim Durrësin në vlerat më të mira që ai ka. Durrësi nuk ka zona të vjetra dhe të reja, nuk ka të ardhur dhe jo të ardhur, por ka simbolikën e tij, mikpritjen durrsake dhe kjo ka bërë që ky qytet të rritet në mënyrë shumë natyrale.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së z. Astrit Patozi, me anë të një letre drejtuar homologut të PS-së, z.Gramoz Ruçi, ka kërkuar organizimin e një fushate pa tensione, sharje e fyerje. A do ta mbështesni këtë thirrje?
Për Durrësin, ky propozim merr tjetër kuptim dhe tjetër vlerë, për vetë qytetarinë që përfaqëson këtë qytet. Unë angazhohem për të qenë korrekt, duke mbajtur parasysh që çdo fakt të jetë i mbështetur në argumente konkretë. Por të kuptohemi, që unë nuk mund të hesht kur qytetarë të ndryshëm sjellin fotografi, në të cilat tregohet se si paratë e tyre kanë shkuar për të shtuar pasurinë e kryetarit aktual të Bashkisë. Fotoja nuk është sharje dhe as fyerje, por është thjesht një dëshmi se si Bashkia në vend që t'u shërbente qytetarëve, i ka shërbyer kryetarit të saj.
Cili është vizioni juaj për zhvillimin e qytetit të Durrësit?
Kam menduar të punoj në dy plane. Nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik janë transporti, tregtia dhe turizmi, të cilat janë tri shtylla që po ditëm t'i ngremë në lartësinë e duhur, e bëjnë Durrësin një qytet më të mirë për qytetarët e tij. Natyrisht që gjithçka duhet bërë duke pasur parasysh zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit, që do të thotë se çdo angazhim i sotëm të mbajë në konsideratë vitet që do të vijnë, në mënyrë që t'u lëmë brezave që vijnë një qytet të zhvilluar. Në këtë zhvillim duhet të mbajmë parasysh kapitalet sociale në përmirësim për shkak të Universitetit Publik.
Si është historia e urës së ndërtuar në zonën e ish-Kënetës me një shasi lokomotive?
Për cilën e keni fjalën, se unë kam çuar nja tri të tilla në atë zonë? Disa ditë më parë, banorët e një blloku në ish-Kënetë më kërkuan një urë mbi kanalin që përshkon atë zonë. Duke qenë se unë formimin fillestar e kam inxhinier mekanik, improvizova një urë metalike. Për këtë shërbeu shasia e një vagoni të nxjerrë me kohë jashtë përdorimit.
KUSH ESHTE FERDINAND XHAFERRAJ
Ferdinand Xhaferraj ka lindur në Durrës, më 23 Janar 1964. Është diplomuar në Inxhinieri Mekanike në qershor të 1988-ës, Tiranë. Ai ka punuar në vitet 1989-1992: drejtor i Drejtorisë Teknike, Hekurudhat Shqiptare. 1992-1995: drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave Shqiptare. 1995-1999: kryetar i Partisë Demokratike, Dega Durrës. 1996-1997: Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun, pranë Partisë Demokratike të Shqipërisë. 1996-2001: deputet në Kuvendin e Shqipërisë, anëtar i Komisionit të Mbrojtjes. 2002-2005: zv/kryetar i Partisë Demokratike të RE. 2005-2008: deputet i Kuvendit të Shqipërisë, zv/kryetar i komisionit parlamentar për Integrim Evropian. 2007- (vazhdim) bashkëkryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin në NATO.2009- (vazhdim) Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun, pranë Partisë Demokratike të Shqipërisë.
(Intervistat e gazetarit Artur Korriku jane botuar ne Gazeta Shqiptare)