Ardian Gashi ka ndërruar mendje dhe ka vendosur të mbetet në Helsingborg. Futbollisti kosovar e ka vazhduar kontratën me ekipin suedez deri në vitin 2014. Më parë, vetë futbollisti kishte njoftuar se do të kthehej në Norvegji për të qenë më afër familjes, por gjithçka ka ndryshuar të enjten, kur ai vendosi t’i mbetet besnik ekipit me të cilin vjet e fitoi Kupën e Suedisë, kurse sivjet u shpall kampion i vendit skandinav.

“Do të jetë mjaft zbavitëse të luaj në kualifikimet për Ligën e Kampionëve. Mendoj se kemi mundësi të provojmë të shkojmë përpara. Kemi një mentalitet fituesi. Më pëlqen shumë Helsingborgu dhe jam jashtëzakonisht i lumtur që do të mbetem këtu edhe tri vjet”, deklaroi Gashi për ueb faqen e klubit.

Edhe zgjidhja e çështjes familjare (familja e tij jetonte në Norvegji) e bëri të veten. “Më kanë pëlqyer ambiciet dhe strategjia e Helsingborgut. Klubi e ka zgjidhur edhe situatën time familjare në mënyrë pozitive. Në të kundërtën, unë nuk do të mund të mbetesha këtu”, përfundoi Gashi i cili ka pasaportë norvegjeze. Edhe drejtuesit e Helsingborgut ndihen të lumtur që futbollisti kosovar do të mbetet pjesë e këtij ekipi.