Nga Express më 21 mars 2011 në ora 17:30

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, ka filluar vizitën e tij në Rusi.



Dule folur para gazetarëve, para se aeroplani i tij të ateronte në qytetin e dytë më të madh në Rusi, Shën Petersburg, Gates e ka lavdëruar atë që ai e cilësoi si përparim “të jashtëzakonshëm” që është bërë ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, në përmirësimin e lidhjeve gjatë viteve të fundit.



Gates, që pritet të pensionohet këtë verë, tha se bashkëpunimi i Rusisë me koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, në luftën në Afganistan dhe mbështetja e Moskës të rezolutave në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, lidhur me Korenë e Veriut dhe Iranin, paralajmëron bashkëpunim më të thellë ndërmjet Washingtonit dhe Moskës.



Ai , po ashtu, theksoi se Rusia abstenoi në votimin e javës së kaluar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për intervenimin ushtarak në Libi, duke lejuar në mënyrë efektive, që aleatët ta sulmojnë regjimin e Muammar Gaddafit.



Gjatë qëndrimit të tij në Rusi, Robert Gates do të takohet me udhëheqësit rusë.