Të gjithë po presin me padurim të shohin shqiponjat kuqezi që të zbresin në tapetin e gjelbër të Arenës Kombëtare dhe videoja e fundit e postuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, lë të kuptohet se dita kur kjo të ndodhë nuk është e largët.


Kjo pasi, aty shihet se punimet në impiantin modern po shkojnë drejt fundit.


“Arena Kombëtare” ka marrë formë dhe vendosja në funksion të kombëtares në pranverën e ardhshme nuk duket më utopi.


Në video shihet se të gjitha punimet në ngritjen edhe veshjen e tribunave si strukturë kanë përfunduar, së bashku me mbulesën metalike të stadiumit.


 



Pas mbylljes së të gjithë punimeve me betonin edhe hekurin pritet të pastrohet pjesa e fushës dhe të nis shtrimi i tapetit.


Të shtunën e kaluar në Shiko kush Luan në Top Channel, Presidenti i FSHF, Armand Duka u shpreh se parashikohet që stadiumi do të luajë topin ë parë në fund të muajit mars të vitit të ardhshëm. Megjithatë mbetet për tu parë nëse do të arrihet ky afat.


17 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)