• Gazetaria investigative është lajmi që shkon përtej lajmit të publikuar, një analizë më e thellë sesa ajo që duket
• është gërmimi mbi atë çka të tjerët dëshirojnë ta mbajnë të fshehtë
• Gazetar investigativ është ai që gërmon, zbulon pisllëkun dhe e bën atë publik
• Të njëjtat parime etike që zbatohen për gazetarinë në përgjithësi – ndoshta më shumë sesa në lajmin e zakonshëm, zbatohen edhe në lajmin investigativ, veçanërisht kur del nevoja të mbrohet burimi
• Që të bësh gazetarin investigativ, do të thotë të bësh një raportim siç bëjnë zakonisht gazetarët vetëm se ligjësitë e gazetarisë profesioniste zbatohen edhe më shumë: nevojitet strukturë paraqitëse e lajmit shumë e fortë, stil i qartë, zhvillim logjik, kontrollim dhe rikontrollim faktesh.
Me pak fjalë
Gazetaria e zakonshme mund të mjaftohet me pasqyrimin e asaj që ndodhi pa u thelluar. Dëgjuesit/lexuesit e lajmit si dhe të intervistuarit, veprojnë më së shumti në mirëbesim. Nuk vihet në dyshim interesi i palëve për të treguar të vërtetën.
Gazetaria investigative është procesi i grumbullimit të informacionit të thelluar dhe dokumentimit të tij. Interesi i palëve për të treguar të vërtetën, vihet në dyshim. Gazetarët investigativë kanë nevojë të dokumentojnë atë çfarë mësojnë, në mënyrë që nëse dikush preket nga lajmi i publikuar, gazetari të jetë në gjendje të garantojë vërtetësinë e lajmit para një gjykate, nqs do të jetë e nevojshme. Gazetarët investigativë ndryshojnë nga gazetarët e tjerë për shkak se kanë nevojë të shpenzojnë shumë më tepër kohë dhe burime.
Si zhvillohet një hetim gazetaresk
Pika e nisjes së një projekti për lajm investigativ mund të jetë një lajm i thjeshtë gazete apo televizioni, një deklaratë e një zyrtari apo eksperti e kaluar pa shumë vëmendje etj. Zbulimi i panoramës që gjendet pas lajmit të parë kërkon fillimisht kërkim të thjeshtë në internet, intervistimin e një numri të madh njerëzish, ballafaqimin e intervistave me njëra-tjetrën dhe pastaj me administrimin e aspektit ligjor, ballafaqimin përfundimtar të palëve të përfshira në ngjarje dhe ballafaqimin e personave/institucioneve që mund të dëmtohen nga publikimi i lajmit, me faktet.
Dhënia e të drejtës së mbrojtjes së personit të prekur është një aspekt thelbësor i gazetarisë në përgjithësi, por mosrespektimi i këtij rregulli në gazetarinë investigative mund të krijojë pasoja fatale për gazetarin dhe median që e publikon lajmin.
Pasojat ligjore
Për shkak se sot shumica dërrmuese e lajmeve përfundojnë të publikuara në internet, një lajm investigativ ka shumë gjasa të bjerë në juridiksionin e gjykatave angleze. Këto të fundit, zbatojnë rregullat më të ashpra në botë kundër gazetarëve. Vetëm fakti i mosdhënies së të drejtës së fjalës personit të prekur, mund të rezultojë me gjobë të majme. Për këtë arsye, gazetarët investigativë përdorin teknikën e kërkesës së dokumentuar për intervistë dhe ballafaqimin e fakteve. Nëse personi i prekur nuk dëshiron të flasë, duhet të vërtetosh para gjykatës se i ke bërë të gjitha përpjekjet për ta kontaktuar. Dërgo një faks, një email, apo një SMS, ku të shpjegohen saktë akuzat apo kritikat që i përkasin individit apo institucionit të prekur.
Gazetaria si spiunazh
Ndonëse imagjinohet si një fushë ku gazetarët bëjnë përgjime të fshehta, apo përdorin teknologji spiunazhi për të marrë informacion, (përgjues të fshehtë apo kamera të fshehtë), shumica dërrmuese e lajmeve investigative nuk përmbajnë elementë të tillë aventuresk. Investigimi është më shumë një punë e lodhshme burokratike në mbledhjen dhe administrimin e një sasie të madhe informacioni sesa një aventurë përgjimi.
Gazetari i fshehtë (undercover journalist)
Gjatë viteve 60-70, protestat masive në rrugë, grupet militante të armatosura në shumë vende të Europës Perëndimore dhe krimi i organizuar apo i paorganizuar i pranishëm në rrugë, krijoi të ashtuquajturin "gazetarin e fshehtë". Një gazetar që përpiqet të grumbullojë informacion mbi aktivitetin e grupimeve të ndryshme politike apo kriminale, aktivitet që zhvillohet larg vëmedjes së publikut. Në këtë rast, gazetari nuk i thotë të intervistuarve se është gazetar dhe se janë nën intervistim. Një rast i tillë solli edhe "dështimin më të madh gazetaresk të shekullit të njëzet", zbulimin e ditareve sekrete të Hitlerit, ditare që rezultuan pas kësaj të falsifikuar.
Pasojat e gazetarisë investigative
Një gazetar investigativ mund të nxjerrë në pah veprime korruptive, politika të ndërmarra në interes të një lobingu ekonomik, apo politika të dëmshme për shoqërinë, të nxjerri në pah hipokrizinë e politikanëve, pandershmërinë etj. Edhe fotografët e fshehtë, të njohur si 'Paparazzi', janë në shumë drejtime gazetarë investigativë.
Një lajm investigativ mund të ndryshojë rrjedhën e një ngjarjeje, mund të rivendosë drejtësinë, të shkaktojë diskretitimin e një politikani apo të shkaktojë hapjen e hetimeve penale. Njerëzit mund të gëzohen apo të hidhërohen nga puna e një gazetari investigativ. Disa mund t'i shajnë apo t'i lavdërojnë gazetarët investigativ. Por në fund, rezultatet e punës së tyre nuk injorohen kurrë. Disa thonë se gazetaria investigative është drejt vdekjes për shkak të forcave të tregut, të tjerë argumentojnë se ajo po kap maja të reja si pasojë e ekzistencës së kompjuterit dhe internetit.
Identifikimi dhe planifikimi i një lajmi investigativ
Gazetaria investigative është zbulimi i diçkaje që të tjerët duan ta mbajnë të fshehtë. Si mund të gjesh një lajm? Ku duhet të kërkosh?
* Ndonëse termi 'gazetari investigative' të bën të mendosh për korrupsion apo gënjeshtra, shumë shpesh lajmet investigative më të mirënjohura janë bazuar në identifikimin e problemeve thelbësore të shoqërisë.
Rëndësia e gazetarisë investigative
Një eurodeputete ka thënë: "Propaganda e politikanëve po mbyt median. Pa punën e gazetarëve në gërmimin dhe zbulimin e të vërtetës që fshihet pas lajmeve të qeverisë, propaganda do ta bëjë normale atë që nuk është normale."
Interesi publik është elementi i fundit që merret parasysh në një vendimmarrje publike. Në vendet në zhvillim si Shqipëria, privatizimet, koncesionet, projektet e investimeve publike, të cilat paraqiten shpesh si në të mirë të popullit, zakonisht nuk përmbajnë asgjë të mirë për publikun e gjerë. Mjaftimi i publikimit të lajmeve të prodhuara nga qeveria, e kthen gazetën apo televizionin në një zyrë të qeverisë.
Mbijetesa në kushtet e globalizimit
Politika dhe korporatat duket se zhvillohen më shpejt nga aftësitë dhe burimet e gazetarëve për të zbuluar të vërtetën. Media në të katër anët e botës po bie gjithnjë e më shumë nën kontrollin e rreptë të korporatave, politikës, qeverisë apo interesave të ngushta. Dijetari amerikan Noam Chomsky publikoi një libër në vitin 1988, ku shpjegon se si media është asgjë më shumë se një lloj propagande që përdoret për të legjitimuar pushtetin, qoftë kjo edhe në vendet demokratike. (shih leksionin bashkangjitur).
Në këtë kuadër, gazetaria investigative sot është një armë e domosdoshme në duart e shoqërisë kundër propagandës, e cila paraqet interesa private si interesa publike përmes institucionit të marrëdhënieve publike. Denoncimi i pjesës së dukshme të lajmit të fabrikuar në zyrat e qeverisë, partive politike apo korporatave, duket se është brumi i gazetarisë investigative. Nga ana tjetër, interneti është kthyer në një medium demokratik ku mund të publikohet gjithçka falas ose me kosto të papërfillshme, gjë që po ul fuqinë e korporatave mediatike në të katër anët e botës. Aktivisti italian Beppe Grillo sot është shembulli më i prekshëm. Një blog në internet arrin të informojë publikun mbi atë çfarë gazetat nuk e shkruajnë dhe jo vetëm i informon, por edhe arrin në organizojë protesta masive.
Financimet
Gazetaria investigative përfiton sot nga financimet bujare të një numri të madh organizatash qeveritare dhe joqeveritare. Donatorët besojnë se media e lirë është parakusht për demokracinë dhe gazetaria investigative është parakusht për gazetari të mirë.
Kërkimi
Kur filloni të kërkoni për informacion mbi një temë të caktuar, ka shumë gjasa që do të filloni të kërkoni për të vërtetuar diçka që ju keni filluar ta besoni sakaq. Por në fund, ka po aq gjasa që rezultati i kërkimit të jetë shumë i ndryshëm nga pikënisja fillestare. E vërteta e zbuluar mund të jetë krejt ndryshe nga ajo që keni imagjinuar në fillim.
Puna e parë që mund të bëhet për të mbledhur informacion mbi një çështje të caktuar, është kërkimi i thjeshtë në internet. Bollëku i medias së publikuar në internet bën që një pafundësi informacioni të jetë në dispozicionin tuaj brenda një çasti. Kjo nuk do të thotë se keni të drejtë të hapni emailet e të tjerëve apo databazat e mbyllura. Gazetaria investigative funksionon si drejtësia. Një fakt i mbledhur në mënyrë të paligjshme, nuk mund të përdoret. Një kërkim në internet mund të të furnizojë informacion të pafundëm, por kjo nuk mjafton. E vërteta zakonisht gjendet duke intervistuar protagonistët. Duhet të kërkosh të kuptosh panoramën e përgjithshme ku shtrihet e vërteta. Zakonisht, kjo realizohet përmes intervistave me ekspertë. Personat e prekur duhet të ballafaqohen me faktet e grumbulluara para publikimit të lajmit. Në shumë raste, ky detyrim gazetaresk përmban rrezik, qoftë për shkak të presionit që krijohet pas zbardhjes së faktit mbi gazetarin dhe median përkatëse, qoftë për shkak se personi i prekur, në vende si Shqipëria, mund të jetë agresiv. Për këtë arsye, është mirë që para se të intervistohet i prekuri, të kryhet një vlerësim i rrezikshmërisë. A është ai një gangster? Rreziku mund të shmanget duke e ballafaquar me faktet përmes postës së zakonshme, postës elektronike apo telefonit.
Fshehja e burimit
Gazetaria investigative mund të detyrojë gazetarin të publikojë informacion me burim të paidentifikuar. Kjo është një lloj marrëveshjeje që pranohet në kushtet e mbledhjes së informacionit që mund të dëmtojë interesat e shumë njerëzve. Por në asnjë rast, një marrëveshje e tillë nuk mund të bëhet me titullarë institucionesh apo njerëz që janë përgjegjës direkt. Në të gjitha rastet, burimet e paidentifikuara, duhet të konfirmohen me një burim tjetër, në mënyrë që të jesh i sigurtë se pas dëshirës për të fshehur identitetin e informuesit, nuk qëndrojnë interesa të tjera.
Menaxhimi i punës
Gazetarët investigativë zakonisht detyrohen të mbajnë një axhendë të gjerë pune. çfarë po kërkoj, kë duhet të pyes, ku duhet të shkoj. Puna e gazetarit investigativ shpesh shoqërohet me mbajtjen e një ditari, ku përfshihen të gjitha të dhënat, të gjitha eksperiencat e përjetuara gjatë ditës së punës. Shumë gazetarë investigativë i publikojnë ditaret në internet pas publikimit të lajmit. Në këtë mënyrë, publiku i interesuar mund të shohë jo vetëm informacionin e mbledhur, por edhe arsyet që e çuan gazetarin të hetojë atë çështje, shkaqet që prodhuan konkluzionet përfundimtare etj. Në këtë rast, publikut i ofrohet më shumë siguri për sinqeritetin e lajmit.
Ndryshe nga lajmi i zakonshëm, ku ka një mirëkuptim mes të intervistuarit dhe intervistuesit, te gazetaria investigative është e domosdoshme rregjistrimi i bisedës. Në disa raste, rregjistrimi i bisedës bëhet pa dijeninë e të intervistuarit, por ka një debat të gjerë mes qarqeve gazetareske nëse një metodë e tillë është etike apo jo.
Gazetari mban shënime mbi të gjitha gjërat që i duken të rëndësishme edhe pse biseda është e rregjistruar. Menaxhimi i bollëkut të informacionit, dallimi i të rëndësishmes nga e parëndësishmja, është një proces kyç në shkrimin e një lajmi të suksesshëm.
Gazetari investigativ duhet të jetë mendjehapur. Nacionalizmat, simpatitë politike, fetare apo shija artistike, ka shumë gjasa të pengojnë zbulimin e të vërtetës.
Gazetari investigativ duhet të mbajë gjithmonë kontakt me një avokat të aftë. Shumë shpesh, informacioni i zbuluar mund të nisë hetime nga autoritetet. Gazetari duhet të njohë kuadrin ligjor të vendit ku punon. Psh. në Shqipëri, është vepër penale të mos denoncosh dhe të mos bashkëpunosh me autoritetet për një krim mbi të cilin ke dijeni.




7 Janar 2010