Tani që qytetari i mirë, pedagogu i shquar, shkencëtari i apasionuar dhe nëpunësi i lartë shtetëror, i përgjegjshëm e kurrënjëherë i kompromentuar - Bashkim Gazidede, e la para kohe këtë botë – tani, gjithçka që ai la, reduktohet nga njëra anë, në dhimbjen e pakufijtë të familjes, miqve e kolegëve që e patën njohur dhe, nga ana tjetër – në urrejtjen e atyre që nuk e njohën, bazuar tek perceptimi banal i imazhit të tij, i përgatitur gjatë e manipulueshëm nga media e majtë në shërbim të komunistëve dhe pasuesve të tyre të spektrit majtist.


Ajo çka kishte më të shtrenjtë qytetari, bashkëshorti e prindi, shkencëtari e nëpunësi Bashkim Gazidede, pak ose aspak nuk çon peshë në perceptimin e përmbysur të figurës së tij; kjo ka të bëjë me një të metë të madhe të mentalitetit popullor tek ne, me gatishmërinë për t’u manipuluar nga çdo megafon propagande politike, në veçanti, me inxhinierinë e manipulimit të imazhit që prodhon ferri ynë mediatik.


Personalisht e kam njohur fare pak të ndjerin, ani pse disa takime e biseda mbresëlënëse me të i ruaj të freskëta, në kohën kur ai luftonte burrërisht me sëmundjen e pashërueshme, pa llogaritur një kohë të largët në memorie kur Bashkim Gazidede na jepte lëndën e fizikës në shkollën tetëvjeçare.


Por duhet të ndalem pak në fenomenin e urrejtjes së verbër ndaj Bashkim Gazidedes, të afishuar shumë shpesh në median tonë, e cila, siç dihet, është lehtësisht e identifikueshme me pronarët dhe interesat e ndërsjella të politikës së majtë.


Përse urrehet Gazidede, madje edhe në këto ditë pas vdekjes së tij, duke i ngarkuar të gjitha mëkatet që mund të pjellë një tru psikopatologjik?


Pavarësisht rasteve publike (interpelanca e tij në Parlament apo intervistat në shtyp dhe ekran), Gazidede u është përgjigjur si pyetjeve të drejtpërdrejta, ashtu edhe pyetjeve të akumuluara gjatë periudhës së tij në mërgim, pa lënë çështje të pasqaruar; megjithatë Gazidedes iu instalua një imazh publik aspak adekuat dhe aspak i drejtë e i vërtetë për të. Dhe kjo është e kuptueshme për një shef të Shërbimit Informativ Kombëtar, fill pas rënies së diktaturës staliniste më gjakatare të botës. Duhet saktësuar se kurajës, mendjekthjelltësisë dhe këmbënguljes së Gazidedes për t’u përballur me format e gjithanshme underground të mbeturinave të komunizmit, po aq sa dhe trashëgimtarëve të tyre, i duhej kundërvënë një armë efikase për mentalitetin popullor postkomunist: shpifjen dhe demonizimin, atentatin e imazhit publik në publik, të kombinuar me fantazinë e përsosur të horrorit të lirë. Përkushtimit dhe virtyteve qytetare të tij nuk ia kishte takatin as qeveria e parë demokratike, pasi shpesh ajo nuk qe në gjendje të zbatonte ligjin ndaj zbulimeve sensacionale që evidentonte SHIK-u i Bashkim Gazidedes. Grupet e shërbimeve të huaja, priftërinjtë që zhvillonin aktivitet antishqiptar, të kapur me hartat e Vorio Epirit, veprimtaria dhe implikimet e ish-policëve, oficerëve apo sigurimsave të PPSH-së, të kapur në flagrancë dhe të implikuar në shërbimet e fqinjëve; edhe pse me prova e fakte të bollshme, shteti shqiptar dhe drejtësia shqiptare asnjëherë nuk qenë në gjendje t’u tregonin vendin. Gazideden e kanë akuzuar (e prapë e akuzojnë) me një logjikë dhe gjuhë çnjerëzore për gjoja “enigmat dhe misteret” që mori me vete, duke e stërfryrë listën me gjëra që nuk mund t’i kërkohen një shërbimi informativ, që nga kontrabanda e naftës, fajdet, rebelimi komunist i nëntëdhjetë e shtatës e deri tek zhdukja e një qytetari shqiptaro-maqedonas, duke e ushqyer urrejtjen e komunistëve të vjetër e të rinj me skema banale detektive. Pra, Gazidede fajësohet për gjithçka që u ka ecur ters komunistëve tanë, që nga përmbysja e tyre në vitin 1990. Këtë urrejtje mundohen ta ushqejnë me sajime ekzotike të një niveli paraadoleshent, deri edhe me njëfarë takimi me Arkanin, të cilin, sipas tyre, Gazidede kurrë s’e ka pranuar, por as e ka mohuar dot(!!!). Por sigurisht, komunistëve u dhemb më shumë Gazidedja i vitit më të zi në Shqipëri, kur flakët dhe shkatërrimi i revolucionit terroristo-bolshevik përpinë anembanë atdheun. Sigurisht, e dimë se vetëdija e komunistëve dhe e trashëgimtarëve të tyre është e qetë kur ndihet rehat me gjithë krimet e përbindshme, me shfarosjen dhe shkretimin katastrofik të të gjithë kombit shqiptar nga Enver Hoxha, me Sigurimin e Shtetit dhe makinerinë e dhunës së PPSH-së, por nuk mund të gjejnë qetësi në jetë të jetëve nga vepra e një njeriu të vendosur antikomunist si Bashkim Gazidede.


Shoqëria shqiptare që mëton ngathët, si në torturë, të ndërtojë një sistem vlerash demokratike, duke u përballur me ish-spiunët e saj dhe xhelatët e djeshëm, sapo ka humbur një ndër ikonat më të moralshme të saj, qytetarin dhe intelektualin e vendosur antikomunist, njeriun e pakorruptueshëm e të papërkulshëm nga asnjë tundim, nga asnjë presion apo shantazh, përpjekjet e të cilit mundi t’i ndërpresë vetëm vdekja. Në një askezë e vetmi të plotë, ai mundi t’i mbijetonte ekzilit dhjetëvjeçar në kushtet e një varfërie ekstreme, në një apartament të ngushtë në Ankara, i detyruar dhe i mbikëqyrur të mos e braktiste lagjen ku ishte strehuar. Gazidede dëshmoi edhe në këto kushte izolimi, vetmie, braktisjeje dhe varfërie karakterin dhe edukimin e rrallë të një shkencëtari stoik, duke i sfiduar vitet e gjata të syrgjynit politik me 9 vëllime teorike e ushtrime matematikore, me nga mbi tetëqind faqe secilin! Me të tillë shembuj papërkulshmërie e kanë njohur edhe më parë kolegët, nxënësit dhe studentët e tij në vitet e diktaturës, të tillë shembull e kanë njohur njerëzit që kanë punuar me të kur ai mori përsipër barrën e rëndë të ndërtimit të një shërbimi informativ kombëtar mbi rrënojat toksike të Sigurimit të Shtetit. Përmbi të gjitha flet puna e tij kolosale në të gjitha sferat e aktivitetit të tij: ai ishte një njeri i vuajtur, por i pastër, një besimtar i kulluar që ofronte shembullin e tij larg tjerrjeve të bezdisshme për besimin e vet, që njihte e respektonte Zotin dhe të vërtetën e jo kokëçarjet e punëve të rëndomta njerëzore. Ai qe dhe dëshmoi si njeri i punës, veprës dhe sakrificës, sepse vetëm ato do të na ngelin në këtë botë ku gjithkushi është shtegtar i përkohshëm.


I pajisur me një higjienë të rrallë mendore, etike e shpirtërore, ai gjithmonë u qëndroi larg lloqeve të kota, llomotitjeve që shprazen me tonelata kafeneve. Por kryesorja, shembulli i tij, na mëson se jo gjithçka në këtë botën tonë është shpërblyese, se jo gjithmonë sakrifikimi, përkushtimi dhe dashuria ndaj atdheut të shpërblehen me të njëjtën monedhë. Dhe jo se përvoja e tij është një rast dëshpërak. Jo! Përkundrazi, në urrejtjen e verbër, dashakeqësinë dhe gojëtarinë e shthurur kundër tij prehet një mësim i madh, i cili na bën me dije se rruga e pastrimit, e shpëlarjes së truve dhe e dashurisë pragmatike për vendin tënd, nuk është kurrë punë e kryer; ajo është detyrë e vështirë që parashikon edhe keqkuptimet, edhe mosdashjen për t’u kuptuar, edhe atentatin e imazhit, edhe mosmirënjohjen. Rëndësi ka shembulli dhe hapja e rrugës, pasi atë do ta shpien më larg mëtonjësit e tjerë. Ja pse e bëjnë më të shtrenjtë figurën e tij sot sharjet me gjuhën e halabakëve dhe zabërhaneve. Sepse sado baltë t’i hedhin Gazidedes, ai aq më fort do shkëlqejë pikërisht mes baltës së halabakëve mediatikë e politikë!


Në mbyllje, po sjell një episod që një nga miqtë e ngushtë matematicienë të Bashkim Gazidedes ma rrëfeu në vigjilje të vdekjes së tij:


“... Asokohe unë merresha me një tregti të vogël. Ishte prag Viti i Ri 1995. Po rrufisnim kafenë një mbrëmjeje të vonë dhe Bashkimi, si gjithmonë, i mbështjellë në retë e trasha të tymit të cigares, më thotë paksa i hutuar:


- Turp të them, miku im, por erdhi edhe ky Vit i Ri dhe unë nuk arrita, të paktën të kisha blerë një televizor me ngjyra për fëmijët!


Unë, duke u munduar t’i zgjedh sa më mirë fjalët, i propozova Bashkimit një TV me ngjyra, si dhuratë, përderisa miqësia jonë ishte shumë e hershme dhe e ngushtë.


- Në asnjë mënyrë!, - ishte përgjigja e tij.


- Po unë i kam stok në magazinë! As dhuratë nuk e pranon prej meje?


- Mbaje, le të rrijë aty. Faleminderit prej teje, por të lutem, mos këmbëngul më”.