16/03/2005 Kryetari i Partisë Demokrate të Re, Genc Pollo, dënoi ashpërsisht sulmin kundër jetës së Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe kërkoi zbulimin, kapjen dhe vënien para drejtësisë të atentatorëve. “Atentati i sotëm kundër jetës së Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, është një akt i shëmtuar, që nuk drejtohet thjesht kundër një personi, por në radhë të parë kundër Kosovës, stabilitetit dhe ardhmërisë së saj. Zoti Rugova është një figurë historike e lëvizjes kosovare për mëvetesi dhe figurë qendrore e institucioneve demokratike të Kosovës së lirë. Sulmi kundër tij, është sulm kundër asaj çfarë ai përfaqëson dhe që aspirohet nga kosovarët. Prandaj, duhet që autoritetet të bëjnë çmos për zbulimin, kapjen dhe vënien para drejtësisë të atentatorëve si dhe të marrin të gjitha masat për parandalimin e akteve të tilla në të ardhmen", tha Pollo. Reformatorët e kanë cilësuar të rëndësishme ruajtjen e qetësisë së qytetarëve të Kosovës në këtë moment kritik, pasi në këtë mënyrë do të arrihet në respektimin e institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare. Ndaj, Pollo ka theksuar dhe vënien para përgjegjësisë të atentatorëve.