Nga Bledi Mane- Public Enemy


facebook.com/bledi.mane


 


Tomor Mullaraj mësuesi im i matematikës në kohën e gjimnazit nuk jeton më.


Ish kryetari i Partisë Demokratike u vra pabesisht gjatë mbledhjes së Këshillit bashkiak të Përmetit në 9 mars 1997. Ishte duke debatuar me këshilltarë të tjerë për gjendjen e rënduar në qytet.


Përmeti po përjetonte pushtimin e radhës së kohëve moderne.


Pas osmanëve, grekëve, italianëve, gjermanëve historia i kishte sjellë kësaj here pushtues të çuditshëm. Pjesa perëndimore e qytetit me parqet e bukura ishte kthyer në rezidencë të përkohshme të shtabit ushtarak që pushteti i presidentit Berisha kishte cytur për të shuar protestat e fuqishme antifajde në Jug të vendit.


Mes ushtarëve me atlete e pa kapota ia kishin behur edhe qindra civilë militantë partie, arroganca e të cilëve stononte me natyrën e paqtë të qytetit atë prag pranvere.


Dhunuan natyrën, qytetarët, traditat dhe çnderuan mikpritjen e njohur të Përmetit tim e para se të faqoseshin me revoltën kolektive vranë gjashtë qytetarë të pafajshëm.


Ikën dhe ma lanë Përmetin të larë me gjak e me kuje…


Kanë kaluar 15 vjet e askush veç familjarëve të viktimave nuk ka tentuar të hetojë minimalisht autorët e masakrës.


As policia gjyqësore, as prokuroria nuk hetuan kurrë shkaqet dhe pasojat.


Faktet, provat dëshmitarët janë ende aty të gjallë të prekshëm.


Dëshmitarët janë të gjallë dhe presin të flasin. Duhet të flasin. Të flasin se një qytet i tërë e pa me sy makabritetin.


I pari duhet të flasë Genci. Përmetari Genc Pollo duhet të hapë gojën jo vetëm si bashkëpatriot, por edhe si deputet i zonës në atë kohë. Si emineca e Berishës president, i di përmendësh emrat e vrasësve dhe të viktimave.


I dyti duhet të flasë Fatos Hoxha. Edhe Fatosi e di mirë se kush qëlloi ndaj përmetarëve të paqtë. Si ushtar i Berishës duhet të gjejë kurajon e të flasë…


Në fakt nuk ka faj Fatosi. Genc Pollo është përmetari i gabuar në vendin e gabuar dhe kohën e gabuar. Nuk ka bythë Genci të verë në vend nderin dhe gjakun e pafajshëm të patriotëve të tij. Të tjerë burra duhen për kësi lloj biznesesh.


Ooooo Gjergj, Gjergj mor. Gjergj Ndreca ku je? Të enjten që vjen bëj pakëz pushim.


Të presim në Përmet për një gotë vere e për pak instruktazh.