Genc Tomori do të drejtojë skuadrën përfaqësuese të Shqipërisë U-17 në ndeshjet kualifikuese të Grupit 10 që do të zhvillohen në Finlandë, ku bëjnë pjesë edhe Bjellorusia e Maqedonia. Drejtori i Akademisë së Partizanit, zëvendësoi kështu ish-trajnerin Shpëtim Duro, i cili u shkarkua disa ditë më parë nga Federata Shqiptare e Futbollit.
"Për momentin jam zyrtarizuar trajner vetëm për ndeshjet eliminatore të Kampionatit Europian të U-17. Do të luajmë kundër vendasve të Finlandez ndeshjen e parë (23 shtator) dhe do të përpiqemi të marrim një rezultat pozitiv, ashtu si kundër Bjellorusisë e Maqedonisë - tha ish-futbollisti i njohur i Partizanit, i cili mban edhe një rekord absolut si futbollist i Kombëtares shqiptare, pasi në të vetmen ndeshje që ka luajtur me fanellën kuqezi ka shënuar gol kundër Gjermanisë në humbjen 1-2, në Sarbruken të Gjermanisë në vitin 1983 për eliminatoret e Kampionatit Europian 1984.
Takimi i fundit në grup për Shqipërinë U-17 është ai kundër Maqedonisë, më 28 shtator. Finalet e Kampionatit Europian U-17 do të zhvillohen në Gjermani, nga data 6-18 maj 2009.
Eliminatoret e U-17
Grupi 10
Ndeshjet
23.09.2008: Finlandë-Shqipëri (15:00)
25.09.2008: Shqipëri-Bjellorusi (15:00)
28.09.2008: Maqedoni-Shqipëri(13:00)