TIRANË- Ndërsa kryeministri Sali Berisha ka preferuar heshtjen për kërkesën e kryeprokurores Ina Rama për heqjen e imunitetit ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për tragjedinë e Gërdecit, zëra brenda Partisë Demokratike i kanë dhënë sa mbështetjen organit të akuzës, aq edhe i kanë bërë thirrje kreut të PR-së që të pranojë përgjegjësinë. Deputeti i Partisë Demokratike, Preç Zogaj është i pari nga radhët e grupit parlamentar demokrat, që, nga përtej Atlantikut, ku ndodhet për një vizitë në SHBA, bën thirrje për të ndëshkim të çdonjërit që ka përgjegjësi. Komentet e Zogajt vijnë në një fazë të re të hetimeve të tragjedisë së Gërdecit, ku 45 ditë pas saj, kërkohet imuniteti i Mediut, i dyti në një periudhë të shkurtër kohe, për një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit Berisha.


Zogaj


24 orë pas kërkesës së kryeprokurores Ina Rama për t’i hequr imunitetin ish-ministrit Mediu, i vetmi zë i maxhorancës, deputeti Preç Zogaj, thotë se i është kërkuar asistencë Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë më shumë profesionalizëm, transparencë dhe besueshmëri këtij hetimi shumë të rëndësishëm. “Mbështesim plotësisht Prokurorinë e pavarur për nxjerrjen e përgjegjësive, për të çuar fajtorët në bankën e drejtësisë dhe për të ndëshkuar ligjërisht të gjithë përgjegjësit”,- deklaroi Zogaj, në një intervistë për VOA. “Unë në këtë sens do të uroja që e ish-ministrit Mediu të mbetet në suazën e përgjegjësisë politike. Natyrisht që maxhoranca unanimisht ka mbështetur Prokurorinë në të gjitha veprimet që do të çojnë në zbardhjen e së vërtetës dhe përgjegjësve”,- vijoi komentet Zogaj, i cili është edhe kryetari i Komisionit të Jashtëm në Kuvendin e Shqipërisë. Ai thekson se e vërteta është më e rëndësishme se ndalimi i karrierës së gjithkujt. “Mendoj se është edhe në interes të Mediut, që ky hetim të jetë i plotë dhe i gjithanshëm. Ndoshta tragjedia e Gërdecit përbën një ndalim për një karrierë ose për karriera të tjera, por gjithsesi, këtu transparenca dhe e vërteta vlen më shumë se çdo gjë tjetër”,- tha Zogaj.


Berisha, asnjë koment


Kryeministri Sali Berisha nuk ka bërë asnjë koment ditën e djeshme rreth kërkesës së organit të akuzës. Pas takimit me rektorë e dekanë dje paradite në Hotel Tirana, interesi i gazetarëve ka qenë i madh për qëndrimin që ai vetë, por edhe maxhoranca që drejton, do të mbajnë për imunitetin e Mediut. Por Berisha, si rrallëherë, shmangu gazetarët dhe përgjigjen për këtë çështje. Shefi i qeverisë mësohet se ka pasur takime të njëpasnjëshme me Fatmir Mediun gjatë dy ditëve, ndërsa të martën pritet që imuniteti i kreut të PR-së të jetë çështje në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat.