Fatmir Mediu i ka shpëtuar hetimit gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit vetëm me një votë. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka qenë i dyzuar për vazhdimin ose jo të procesit gjyqësor ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, i akuzuar nga prokuroria për "shpërdorim detyre" në lidhje me tragjedinë e 15 marsit 2008, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën si pasojë e shpërthimit të një depoje municioni në periferi të Tiranës. Dy nga pesë gjyqtarët që gjykonin çështjen kanë qenë të mendimit të vazhdimit të hetimit gjyqësor, pasi Mediu kishte humbur imunitetin, sepse Parlamenti i mëparshëm kishte vendosur heqjen e tij. Debatet kanë qenë të nxehta midis Kolegjit Penal që gjykoi Gërdecin. Në dhomën e këshillimit ata kanë qëndruar rreth një orë e gjysmë për të diskutuar praktikën ligjore për këtë çështje dhe në fund vendimmarrja ka qenë tre në favor të ish-ministrit dhe dy kundër tij. Burime konfidenciale nga Gjykata e Lartë thanë për gazetën "Shqip" se gjyqtarët që kanë votuar kundër Mediut janë Majlinda Andrea dhe Ardian Nuni.



Gjyqtarët kundër

Dy vendimmarrjet, ndoshta më të rëndësishmet në jetën politike të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, kanë qenë në të njëjtën datë, në të njëjtën orë. Ka qenë ora 13.30 e datës 14 shtator të këtij viti, kur Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka lexuar vendimin e marrë në dhomën e këshillimit, ku kishin qëndruar plot 90 minuta. Drejtuesi i seancës gjyqësore, Besnik Imeraj, do të lexonte se me shumicë votash ishte vendosur pushimi i gjykimit ndaj deputetit Fatmir Mediu. Pa detajuar emrat e personave që kishin votuar kundër, Imeraj do të shqiptonte mbylljen e seancës. Ndërkohë, është mësuar nga burime konfidenciale të Gjykatës së Lartë, se vendimmarrja ka qenë e gjatë dhe me argumente të ndryshme midis Kolegjit Penal. Të "izoluar" në dhomën e këshillimit, pesë anëtarët e trupit gjykues kanë dhënë ide se si mund të zgjidhej ky proces, madje mendonin se Gjykata e Lartë duhet të kërkonte në Parlament heqjen e imunitetit ndaj Mediut. Gjithsesi, të gjitha idetë dhe bazat ligjore janë hedhur në letra A4 dhe në fund relatorja e çështjes, Majlinda Andrea, ka ftuar kolegët që të vendosnin për fatin e Mediut. Në fund të debateve ligjore, Kolegji Penal ka pasur dy mundësi për çështjen: pushimin e procedimit gjyqësor dhe zhvillimin e mëtejshëm të gjyqit me të pandehur ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu. Votat, sipas burimeve konfidenciale në Gjykatën e Lartë, ka qenë tre me dy. Gjyqtarët që votuan në favor të Mediut kanë qenë Evelina Qiriako, Evgjeni Sinoimeri dhe Besnik Imeraj. Ndërsa votoi kundër gjyqtari Ardian Nuni dhe relatorja e çështjes Majlinda Andrea.



Debatet gjyqësore

Procesi i datës 14 shtator ka pasur debate gjyqësore nga palët. Në fillim të seancës gjyqësore, avokati i Mediut, Ardian Visha, filloi me fjalët se "do të donim që procesi gjyqësor të vazhdonte për shkak të ngjarjes së rëndë, por në kushtet e reja që ndodhet i mbrojturi prej meje, zoti Fatmir Mediu, kërkojmë pushimin e procesit gjyqësor, pasi me një vendim të KQZ-së ka fituar imunitetin nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2009". Avokati Ardian Visha do të vazhdonte se Mediu kishte fituar imunitetin më datën 7 shtator, ndërsa do t‘i depozitonte gjykatës një memo të përgatitur në lidhje me kërkesat. Ai këmbënguli se dëshiron që ky proces të zhvillohet normalisht, por vërtetimi i marrë në Parlament ia pengon një gjë të tillë Gjykatës së Lartë. Duke iu referuar nenit 73, pika 2 të Kushtetutës, Visha do të shtonte se nuk ka asnjë mekanizëm ligjor që mund të lejojë të vijojë ky proces, ndërsa ia linte në dorë gjykatës që të gjente një zgjidhje që ky proces të zhvillohej. Pas depozitimit të një memoje të mbrojtjes së Mediut, trupi gjykues ia dha fjalën organit të akuzës nëse kishin kundërshtime. Pas konsultave, drejtuesi i hetimeve për Gërdecin, Sokol Stojani, parashtroi me shkrim se procesi mund të vazhdojë, pasi prokuroria dhe gjykata nuk ia kanë kthyer imunitetin Mediut. Në dy pika prokurorët kanë nënvizuar se i pandehuri në këtë proces është i ndjekur penalisht dhe ndryshimi i legjislaturës së re nuk mund t‘i kthejë imunitetin që i është hequr nga Parlamenti i vjetër. "Imuniteti fitohet vetëm në momentin që gjykata e shpall të pafajshëm apo prokuroria ia pushon akuzat. Deri në këto momente nuk kemi asnjë prej këtyre dhe si rrjedhojë i pandehuri nuk ka imunitet dhe procesi duhet të vazhdojë", tha Stojani.