Gjykata e Lartë pushon paditë e dy të plagosurve në Gërdec, kundër Fatmir Mediut. “Nuk ekzistojnë fakte që Fatmir Mediu të ketë kryer veprën penale të krimeve kundër personit, për të cilën të kërkohet heqja e imunitetit të tij nga Kuvendi”. Ky ishte vendimi i djeshëm i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i cili shqyrtoi kërkesat paraprake të dy paditësve, të dëmtuar akuzues Roxher Durda dhe Alketa Hazizi. Seanca e djeshme në procesin e nisur pas padisë së dy të plagosurve në Gërdec, Kolegji Penal i kryesuar nga gjyqtari Andi çeliku dhe anëtarët Ardian Nuni, Majlinda Andrea, Irma Bala dhe Evelina Qirjako, administroi provat e kërkuara nga paditësit. Paraditen e djeshme, avokatët e Lëvizjes “Mjaft” depozituan në gjykatë një DVD me dokumentet e dosjes “Gërdeci” si dhe 69 dokumente të reja që nuk ndodheshin në këtë DVD. Avokatët e të dëmtuarve, i kërkuan gjykatës që dokumentet origjinale të dosjes t’i tërhiqnin në arkivën e këtij institucioni, pasi për shkak të volumit të kësaj dosjeje ishte e pamundur të fotokopjohej materiali. Përfundimisht avokatët, në emër të klientëve të tyre të plagosur në Gërdec më 14 mars 2008, pohuan se kërkesa e tyre duhet të pranohej dhe se Gjykata duhet t’i drejtohej Kuvendit për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Avokati i Mediut, Ardian Visha duke kundërshtuar këtë pohoi: “Këta kërkojnë të bëjnë petulla me brumin që gatoi Prokuroria për të bërë byrek. Ja fusin kot, se edhe Prokurorisë, byrek i djegur i doli. Kështu që me të njëjtin brumë nuk mund të bëhen petulla”. Visha ironizoi në këtë mënyrë hetimin e Prokurorisë ndaj Fatmir Mediut, i cili u rrëzua në Gjykatën e Lartë në 14 shtator 2009. Në këtë moment, sapo trupi gjykues u tërhoq për vendim reagoi ashpër Zamira Durda, e ëma e 11-vjeçarit paditës, duke iu drejtuar avokatit Visha: “Me këtë brumë do bëjmë bakllava dhe jo byrek të djegur. Por të lutem, mos luaj me fatkeqësinë tonë se djalin e djegur e kam unë në shtëpi”. Avokati i paditësve duke ndërhyrë në debat iu drejtua Vishës duke thënë: “Ne kemi hall, ndërsa ti na flet këtu për receta gatimi”. Pas kësaj, rreth orës 13:00 gjykata shpalli vendimin se në analizë të provave të paraqitura, kërkesës për gjykim dhe akteve bashkëngjitur kërkesës, nuk është vërejtur të ekzistenca e fakteve, mbi të cilat të fillojë procedimi ndaj Fatmir Mediut. Nisur nga kjo gjykata vendosi pushimin e çështjes. fa.ma.