Qeveria shqiptare ka pranuar faktin, se përllogaritja e dëmshpërblimit për familjet e prekura nga aksidenti i Gërdecit, nuk është kryer në mënyrë të saktë. Duke u nisur nga numri i lartë i ankesave të paraqitura nga mbi 100 familje të prekura nga tragjedia, Këshilli i Ministrave vendosi krijimin nga e para të një grupi të posaçëm, në funksion të përllogaritjes së dëmit për të ankimuarit. Kjo detyrë u është ngarkuar ministrit të Brendshëm, Bujar Nishanit, dhe ministrit të Punëve Publike, Sokol Olldashit, për ngritjen e grupeve të reja të punës për qarqet Tiranë dhe Durrës. Qeveria ka përllogaritur rreth 18 milionë dollarë, të nevojshme në përballimin e dëmit të shkaktuar nga shpërthimi i fabrikës së municioneve në fshatin Gërdec, Vorë, por ankesat e vazhdueshme të familjeve të prekura flasin për një faturë kostoje më të lartë.



Rivlerësimi



Në vendimin e mëparshëm të qeverisë, datë 21 mars 2008, "për evidentimin dhe vlerësimin e dëmit", nuk ishin parashikuar procedurat që do të ndiqeshin nga institucionet përgjegjëse për rastet e ankesave nga ana e personave të prekur në lidhje me vlerësimet e kryera prej grupeve të punës. Nisur nga kërkesat e vazhdueshme të qytetarëve të ndryshëm nga zonat e dëmtuara, por edhe nga gjithë verifikimet e bëra nga organet e qeverisjes vendore të zonës përkatëse, rezulton se, jo në pak raste, në punën dhe dokumentacionin e hartuar nga grupet e punës ka pasur mangësi gjatë procedurës së vlerësimit të shtëpive apo objekteve të dëmtuara. Duke u nisur nga kjo, dy ministrat përgjegjës kanë propozuar disa ndryshime në vendimin e mëparshëm të qeverisë, për të rinisur nga e para përllogaritjet e dëmit për familjet që kanë paraqitur ankesat. Kështu, sipas vendimit të djeshëm, "në rast ankesash të konsiderueshme, nga qytetarët apo subjektet, në lidhje me vlerësimin apo mosvlerësimin, me propozim të bashkive dhe komunave në zonat e dëmtuara dhe me miratimin e qarqeve Tiranë e Durrës, ngrihen grupe të reja pune, duke përfshirë specialistë sipas fushave përkatëse. Urdhri për rivlerësimin e dëmit do të zbatohet për familjet e prekura në Bashkinë Vorë, Gumanat, Kashar e Prezë, të Qarkut të Tiranës dhe në komunat Maminas, Manzë dhe Bubq, të Qarkut të Durrësit.



Fatura financiare



Nga tragjedia e Gërdecit rezultuan rreth 300 shtëpi të shkatërruara plotësisht, qindra të tjera të dëmtuara, e mbi të gjitha jetë njerëzish të humbur e të plagosur, pa llogaritur dëmin që u është shkaktuar subjekteve private. Për të gjitha këto, qeveria, sipas një vlerësimi të saj, llogariti se shuma e duhur për të mbuluar katastrofën e Gërdecit nuk e kalonte 1.6 miliardë lekë. Për sigurimin e kësaj shume u prek fondi rezervë i qeverisë, si dhe kontigjencat e buxhetit të Kuvendit të Shqipërisë, duke ndryshuar kështu parametrat e buxhetit të shtetit. Për ta lehtësuar sadopak barrën e kostos financiare, qeveria hapi disa numra llogarie bankare, nga të cilat u mblodhën rreth 2 milionë dollarë. Mbi këtë shumë, diferencat do të shkonin për arkën e shtetit.





Tragjedia, dy viktimat e fundit



4 milionë lekë për familjet Deliu dhe Kranja





Rritja e numrit të viktimave të tragjedisë Gërdec detyron qeverinë të shtojë fondet për familjet e tyre. Duke qenë se dy viktimat e fundit ndërruan jetë tre javë pas vendimit të qeverisë për dhënie ndihme financiare dhe masën përkatëse, ministri Bujar Nishani propozoi dje në Këshill të Ministrave një shtesë fondi prej 4 milionë lekësh. Ndihma do t‘u shkojë dy familjeve të dy viktimave, Qemal Can Deliu dhe Resmije Kujtim Kranja. Fatkeqit ishin dërguar për kurim në spitalet e Italisë, por pavarësisht nga mjekimet intensive dhe të specializuara, nuk arritën të jetonin, duke e çuar në 26 numrin e viktimave të kësaj tragjedie. Për këta të fundit, qeveria ka akorduar si dëmshpërblim moral plot 52 milionë lekë.





Miratohet fondi 20 milionë lekë



Familjet e Gërdecit, dy muaj qëndrim në Durrës





Qëndrimi i familjeve të pastreha nga tragjedia në Shtëpinë e Pushimit në Durrës, ka sjellë kosto për këtë të fundit, ndaj të cilës qeveria duhet të përgjigjet financiarisht. Bëhet fjalë për 360 persona, të cilët marrin çdo ditë kuotë fikse, përveç shpenzimeve të tjera, duke shtuar kostot për institucionin. Familjarët e akomoduar pranë konvaleshencës, janë trajtuar me ushqim falas në restorantet e këtij institucioni, me një kuotë ditore prej 700 lekësh, si dhe janë marrë përsipër të gjitha detyrimet e tjera financiare. Duke qenë se të gjitha këto shpenzime janë përballuar nga buxheti i këtij institucioni në varësi të Ministrisë së Brendshme, ministri Nishani kërkoi dje shtesë fondi prej 20 milionë lekësh, duke e justifikuar me faktin se, "burimin kryesor të mbështetjes financiare e ka nga të ardhurat që krijon gjatë sezonit të pushimeve verore, si dhe nga të ardhurat për shërbimet ndaj të tretëve". Në fakt, ministri Nishani kishte kërkuar tre muaj qëndrim të familjeve në Shtëpinë e Pushimit, kostoja e së cilës shkonte në 30 milionë lekë, por ministri i Financave sugjeroi qëndrim dymujor, me kosto 20 milionë lekë.