Grupi hetimor i dosjes “Gërdeci” sekuestron dokumentet e sekretarisë së ministrit të Mbrojtjes lidhur me shitjen e municioneve luftarake për çmontim. 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria ka “bllokuar” për disa ditë sekretarinë e ministrit të Mbrojtjes, me qëllim identifikimin dhe verifikimin e të gjitha dokumenteve që ndodhen aty të cilat mund të ndihmojnë hetimin e tragjedisë së Gërdecit. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave, prokurorët e çështjes, pasi evidentuan dokumentet në interes të hetimit, i sekuestruan ato në cilësinë e provave materiale. Dokumentet e sekuestruara në sekretarinë e ministrit të Mbrojtjes janë administruar në dosjen penale të hapur nga Prokuroria për tragjedinë e Gërdecit. Zyrtarët e organit të akuzës, të cilët konfirmuan lajmin, nuk pranuan të japin hollësira të tjera rreth dokumenteve që janë gjetur në sekretarinë e ministrit të Mbrojtjes. “Dokumentacioni zyrtar është sekuestruar për llogari të dosjes penale dhe po shqyrtohet nga grupi hetimor”, thanë zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas tyre, trajtimi i një pjesë “të klasifikuar” të informacionit po bëhet konform rregullave dhe ligjeve në fuqi. Sipas Prokurorisë, Ministria e Mbrojtjes ka ofruar bashkëpunimin e saj për organin e akuzës që nga lejimi i hyrjes së prokurorëve në ambientet e institucionit dhe në sekretarinë e Ministrit deri tek sekuestrimi i dokumenteve që janë gjetur aty, të cilat hedhin dritë mbi tragjedinë e Gërdecit. Prokurorët tashmë duket se kanë në duar të gjitha shkresat që kanë kaluar në zyrën e Ministrit të Mbrojtjes lidhur me çështjen Gërdeci. Burimet nga organi i akuzës, konfirmojnë se administrimi i dokumenteve të sekretarisë në zyrën e ministrit të Mbrojtjes, do t’i ndihmojë prokurorët në saktësimin e pozicionit të gjithsecilit në shkeljet që dyshohet se kanë shoqëruar shitjen e më pas çmontimin e fishekëve dhe më pas predhave që janë dërguar për demontim në Gërdec.
Dokumentet e dosjes
Sekuestrimi i dokumenteve lidhur me tragjedinë e Gërdecit është një procedurë e cila filloi që në datën 16 mars 2008, një ditë pas tragjedisë së ndodhur në Gërdec. Prokurorët filluan duke mbledhur dokumente në zyrat e kompanisë “Albademil” në pronësi të Mihal Delijorgjit, e cila kryente çmontimin e municioneve në Gërdec. Më pas mbledhja e dokumenteve vazhdoi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm të FA-ve për disa ditë. Më 29 mars 2008, pas një autorizimi nga Gjykata e Tiranës, prokurorët ushtruan kontroll në zyrën e ish-drejtorit të ndërmarrjes shtetërore MEICO. Sipas burimeve të Prokurorisë, numri i dokumenteve të bllokuara dhe të verifikuara për llogari të hetimit të tragjedisë së Gërdecit, është mbi 500 faqe. Aty ndodhen raporte, urdhra, vendime, projektvendime dhe shkresa që institucionet shtetërore kanë komunikuar me njëra-tjetrën lidhur me kategorizimin, transportimin, shitjen dhe çmontimin e 100 mijë fishekëve dhe më pas një numri të lartë predhash të kalibrit të rëndë, në ish-repartin ushtarak të tankeve në Gërdec. Me qëllimin për të krijuar një ide më të qartë për çfarë ka pasur informacion ministri i Mbrojtjes dhe çfarë qëndrimi ka mbajtur ai në gjithë procesin, Prokuroria ka sekuestruar dokumentet e sekretarisë së kreut të dikasterit të mbrojtjes. Ato po verifikohen nga prokurorët që po i krahasojnë shkresat e sekretarisë së ministrit me dokumentet dhe të dhënat e tjera të hetimit me qëllim zbulimin e përgjegjësive lidhur me tragjedinë e Gërdecit.

Akuza: Shefi i SHIU-t, shmangu përgjegjësinë

TIRANE – Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Hysni Gjergji, i shkarkuar pak ditë më parë nga detyra me firmën e kryeministrit Sali Berisha, është marrë në pyetje dy herë nga prokurorët e dosjes “Gërdeci”. Si në dëshminë e tij në Prokurorinë e Tiranës ashtu edhe në deklarimet që ka dhëna në Prokurorinë e Përgjithshme, shefi i SHIU-t është shprehur se institucioni i drejtuar prej tij nuk ka pasur kompetencë apo detyrim ligjor të hetonte për çështjen “Gërdeci”. Në fakt, një qëndrim të tillë, shefi i ish-SHIU e ka mbajtur edhe në deklarimet publike që ai ka bërë pak ditë pas tragjedisë së Gërdecit. Prokuroria shqiptare e ka marrë në pyetje drejtuesin e Shërbimit Sekret Ushtarak për shkak se sipas ligjit, ky institucion ka detyrimin të zbulojë, hetojë dhe të raportojë lidhur me rastet e abuzimit apo krimeve të ndryshme brenda administratës së Forcave të Armatosura. Argumenti i shefi të SHIU-t ka qenë se ky institucion heton vetëm rastet kur në krim janë implikuar efektivë apo struktura të Forcave të Armatosura ndërsa në Gërdec, zhvillonte veprimtarinë e saj një kompani private, e cila nuk është në juridiksionin ligjor të SHIU-t. Gjithsesi organi i akuzës është interesuar për të mësuar nëse strukturat speciale kishin marrë ndonjë informacion apo denoncim lidhur me abuzimet që u zbuluan se kishin ndodhur në Gërdec, duke sjellë më pas edhe tragjedinë. Prokurorët e çështjes janë shprehur se nga deklarimet e ish-drejtorit të SHIU-t, por edhe nga shqyrtimi i dokumentacionit përkatës është mësuar se para tragjedisë së 15 marsit 2008 në Shtabin e Përgjithshëm dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, nuk ka pasur ndonjë raport, lajmërim apo denoncim për shkeljen e rregullave të sigurisë gjatë çmontimit të municioneve, çka sipas hetuesve u bë shkak për ngjarjen që shkaktoi vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e mbi 300 të tjerëve. Kryeprokurorja Ina Rama në një konferencë shtypi pak kohë më parë është shprehur se organet e sigurisë nuk kishin paraqitur pranë institucioneve qendrore të shtetit asnjë raport apo informacion për atë çfarë ndodhte në Gërdec prej më tepër se dy viteve.


Dokumentet, të kohës shkurt 2006-mars 2008

TIRANE – Dokumentet dhe shkresat e sekuestruara nga Prokuroria në sekretarinë e ministrit të Mbrojtjes, lidhur me çështjen e Gërdecit, i përkasin periudhës kohore shkurt 2006-mars 2008. Sipas zyrtarëve të Prokurorisë së Përgjithshme, prokurorët që administruan provat nga zyra e sekretarisë së ministrit të Mbrojtjes, janë interesuar për dokumentet e kësaj periudhe, pasi ato flasin jo qëndrimin e kreut të dikasterit ndaj ofertës së kompanive “SAC”-”Albademil”, por edhe ndaj procesit të demontimit të fishekëve dhe predhave luftarake. Në këtë mënyrë, prokurorët janë interesuar për shkresat që kanë hyrë dhe kanë dalë në zyrën e ministrit të Mbrojtjes nga data 1 shkurt 2006 deri më 15 mars 2008, kohë kur ndodhi tragjedia e Gërdecit. Sipas prokurorëve, në shkurt 2006 përfaqësuesi i kompanisë amerikane SAC kishte depozituar një kërkesë në ndërmarrjen MEICO e cila në këtë kohë ka vënë në dijeni ministrin e Mbrojtjes. Më pas ka vijuar një proces i gjatë shkëmbimi i shkresave zyrtare mes Ministrisë së Mbrojtjes, drejtorive të ndryshme në këtë institucion, ndërmarrjes MEICO, Shtabit të Përgjithshëm dhe bashkimit të kompanive “SAC”-”Albademil”. Tërësia e dokumentacionit të shkëmbyer që nga ajo kohë, sipas Prokurorisë tregon qartë gjithçka ka ndodhur duke krijuar dyshime të forta për favorizimin e firmave private dhe shkeljen e rregullave të sigurisë në Gërdec si dhe mungesën e kontrollit mbi procesin e demontimit të municioneve luftarake në Gërdec.