Lidhjes së Mel Gibson me Robyn, një prej më të gjatave në Hollivud, duket se i ka ardhur fundi. Pas 28 vitesh martesë, bashkëshortja e aktorit dhe regjisorit Mel Gibson, Robyn Moore, ka kërkuar divorcin. Sipas të përditshmes "The Mirror", kjo ndarje mund t‘i kushtojë aktorit një shifër rekord, plot 357 milionë euro. Çifti, 53 vjeç secili, nuk kanë firmosur asnjë kontratë paramartesore dhe kështu, sipas ligjeve kaliforniane, gruaja ka të drejtë t‘i kërkojë aktorit gjysmën e pasurisë. Sipas llogaritjeve të tabloidit britanik, shuma arrin në 640 milionë sterlina (715 milionë euro).



Divorc rekord



Nëse shifrat janë të sakta, divorci i Gibson do të jetë më i shtrenjti në botën e spektaklit. Robyn, nënë e shtatë fëmijëve (më i vogli 10 vjeç) dhe ish-asistente e një dentisti, ka folur për "divergjenca të papajtueshme" mes tyre. Kështu ka deklaruar edhe në gjyqin në Los Anxhelos. Kohët e fundit janë publikuar foto ku Gibson shfaqet në një plazh duke u përqafuar me muzikanten ruse Oksana. Pavarësisht preteksteve dhe justifikimeve të zonjës Gibson, në Hollivud shumë artistë pohojnë se arsyeja e vërtetë e ndarjes së çiftit Gibson është lidhja e ngushtë e Melit me Oksanën. Në fakt sipas thënieve të tij, kjo e fundit nuk është asgjë më shumë se një kolege. Në gusht vajza ishte parë në Boston, gjatë xhirimeve të filmit të fundit të Gibson. Atëherë zëdhënësi i regjisorit i kishte përgënjeshtruar thashethemet. Një tjetër shkak për divorcin ka qenë edhe këngëtarja Britney Spears. Spears dhe Gibson janë parë në "Havana Club-House of Cigars" në Beverli Hills, duke kaluar disa ditë pushime nën shoqërinë e njëri-tjetrit dhe diellin e nxehtë të Kosta Rikës.



Sot nuk ka më përgënjeshtrime, madje është konfirmuar ndarja. Nuk është hera e parë që Gibson bëhet objekt bisede për shkaqe jo shumë "fisnike". Në vitin 2006 u arrestua në Malibu, sepse po i jepte makinës në gjendje të dehur. Atë kohë aktroi tërhoqi vëmendjen e të gjitha mediave të botës.



Një kishë dhe një ishull



Në konferencën për shtyp, çifti ka kërkuar që të fiken dritat. "Gjatë gjithë martesës sonë dhe ndarjes jemi përpjekur që ta ruajmë privatësinë e familjes dhe do të vazhdojmë ta bëjmë". Të hënën, regjisori i "Braveheart" dhe "The pasion of the Christ", ka deklaruar se ai dhe e shoqja ishin të ndarë që prej 26 gushtit të 2006-ës. Robyn Gibson ka kërkuar kujdestarinë e djalit të vogël, Tomit, i cili është vetëm dhjetë vjeç. Nga divorci me Mel, Robyn do të fitojë një kishë katolike në Kaliforni, e cila kushton 27 milionë euro, një ishull privat në Fiji, një fermë në Kosta Rika dhe një pronë në Malibu. Gibson, katolik, është rritur në Australi dhe në vitet ‘90 ishte një prej aktorëve më të paguar e më të famshëm në botë.



Kriza dhe ndarja



Kriza mes çiftit, që është martuar në Australi në 1980-ën, kur Gibson nuk ishte ende i famshëm, ka filluar që në vitin 2006, kur aktori u arrestua në gjendje të dehur dhe më pas ofendoi agjentin që e ndaloi për motive fetare. Ai episod shënoi fillimin e një parabole zbritëse në karrierën dhe jetën private të Gibsonit. Mel nuk interpretoi më pjesë të rëndësishme në filma, por pati role të dorës së dytë në disa telefilma. Vepra e tij e fundit si regjisor është filmi "Apocalypto", realizuar në 2006-ën. Në fakt, për Gibson telashet kanë filluar që në 2004-ën, pas shfaqjes së filmit "Pasioni i Krishtit" (portretizimi mizor i zhvillimit të Krishtit) që ngjalli debate të forta. Pas filmit, Gibson mori mjaft kritika dhe akuza antisemitizmi nga ana e shumë organizatave hebraike. Sipas dokumenteve të paraqitura në gjyqin e Los Anxhelosit, Robyn Gibson ka kërkuar për ndarjen bizhuteri dhe disa prona.



Pas divorceve të Brad Pitt me Jennifer Aniston, Tom Cruise me Nicole Kidman, Dennis Quaid me Meg Ryan, Harrison Ford me Melissa Mathison Ford, Kevin me Cindy Costner, ajo e çiftit Gibson ishte një prej martesave "më të vjetra" të Hollivudit