Emiljano Shullazi


Prokuroria e Tiranës është duke përfunduar hetimet me akuzat e armëmbajtjes pa leje ndaj shtetasve Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani, ndërkohë që grupi hetimor po përballet me një anomali. Në nëntor 2011, policia e Tiranës arrestoi Emiljano Shullazin dhe Gilmando Danin, pasi nga kontrolli, poshtë makinës me të cilën ata po udhëtonin u gjet një armë tip pistoletë, e cila, sipas dyshimeve, mbahej nga Shullazi. Gjatë masës së sigurisë në Gjykatën e Tiranës, Gilmando Dani pranoi para gjykatës pronësinë e pistoletës dhe tha se për këtë kishte prova, pasi në prani të vëllait të tij në banesë, policia i kishte sekuestruar një krehër të pistoletës në fjalë. Por, ndonëse Gilmando Dani e pranoi mbajtjen e armës, ndaj tij u caktua masa e sigurisë arrest me burg për akuzën e moskallëzimit të krimit dhe të dëshmisë së rreme. Në kohën e marrjes në pyetje e kam sqaruar oficerin që kam pistoletë. Kur e kam nxjerrë nga brezi, Emiliano ishte 2 metra larg dhe ishte me duart lart. Krehrin rezervë e kam në shtëpi. I thashë edhe prokurorit, ka deklaruar Gilmando Dani. Anomalia, sipas hetuesve, është se ndonëse Gilmando Dani e pranon faktin se ka mbajtur karikatorin e armës në shtëpi, duke inkriminuar kështu vetveten, në procesverbalin e policisë është shkruar se nga kontrolli në banesën e tij nuk janë gjetur sende të jashtëligjshme. Emiliano Shullazi dhe Gilmando Dani u arrestuan nga policia pas të dhënave operative se në makinën me të cilën po lëviznin kishte armë. Policia, gjatë ndalimit të tyre bllokoi një pistoletë dhe një maskë në makinë. Sipas prokurorit të çështjes, arma e sekuestruar në vendin ku u arrestuan Shullazi dhe Dani i përkiste të parit. Para gjykatës Shullazi ka mohuar të ishte e tij arma e bllokuar nga policia.