Gilmando Dani
Gilmando Dani_1
Gilmando Dani-10

Vendimi. Shoku i Shullazit, i arrestuar para disa javësh për gjobëvënie, e ka vizituar shpesh qelinë. Në 2015-n u akuzua për plagosje, por gjykata e dënoi në 2016-n për moskallëzim krimi: kur u bë plagosja, ishte në banjë


FAKSIMILE


Vendimi i Gjykatës së Tiranës, ku Gilmando Dani ka deklaruar se bën një jetë të shthurur në shoqëri. Ai thotë se kur ka ndodhur plagosja, ka qenë në banjë


Vendimi përfundimtar


Orges Dani – Gjykata shpalli fajtor Orges Danin, për moskallëzim krimi dhe dënimin e tij me një vit e katër muaj burg


Gilmando Dani – Shoku i Shullazit është shpallur fajtor për moskallëzim krimi dhe është dënuar me dy milionë lekë të vjetra


Valmend Pelivani – I plagosuri është dënuar po me dy milionë lekë të vjetra. Ngjarja deri më sot mbetet e pazbardhur, pavarësisht se kishte edhe përgjime


Gjykata e Tiranës ka dënuar disa muaj më parë Gilmando Danin, i arrestuar së fundmi për gjobëvënie ndaj disa bizneseve. Megjithëse u akuzua dhe u shpall në kërkim për plagosje, ai u dënua vetëm me gjobë, me akuzën e moskallëzimit të krimit. Në vendimin e gjykatës është detajuar edhe dëshmia e vetë Gilmando Danit, i cili, pyetjes së oficerëve të policisë gjyqësore përse nuk ishte dorëzuar në polici, tha se bënte një jetë të shthurur në shoqëri dhe nuk e dinte se kërkohej nga policia. Në fund të muajit shkurt të këtij viti, gjykata shpalli vendimin për plagosjen e Valmend Pelivanit në vitin 2015, ku ishte akuzuar Dani, por edhe Emiljano Shullazi.


Plagosja në 2015-n


Sipas vendimit, më datë 17 janar 2015, rreth orës 12:40 minuta, është marrë njoftim nga salla operative se në vendin e quajtur Rruga e Kavajës, pranë ish-parkut të autobusëve, në katin e tretë të qendrës tregtare Condor, është plagosur një person, Valmend Pelivani. Vendi i ngjarjes është një ambient në katin III të “Condor Center”, e cila është përshtatur si call center dhe sipas policisë është marrë me qira nga Orges Dani. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, pasi dera është mundur të hapet nga policia, në pjesën e jashtme të derës pranë dorezës, janë gjetur dhe marrë me gjurmë kopjues pesë gjurmë papilare. Është bërë kontroll i imtësishëm i tavolinave, sipërfaqes së dyshemesë dhe mureve. Brenda në ambient nuk janë gjetur njolla gjaku dhe as mbetje indesh trupore. Gjithashtu nuk është bërë e mundur gjetja e gëzhojave apo sende ose prova të tjera. Janë sekuestruar pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë së një subjekti privat. Këto kamera nuk janë të sinkronizuara me orën reale. Nga këqyrja e këtyre pamjeve, e transkriptuar me procesverbal, rezulton se në orën e shënuar në kamerë 08’54”41, tre persona, mes të cilëve edhe i dëmtuari Valmend Pelivani, hyjnë në qendrën tregtare dhe drejtohen për te shkallët. Pas dy minutash, në këtë ambient futet Orges Dani, i cili është duke komunikuar në telefon. Më pas shfaqen tre shtetasit, ku pamjen e parë dallohet Valmend Pelivani duke çaluar dhe po mbahet nga një shtetas tjetër, i veshur me rroba të zeza dhe kapele në kokë. Ndërkohë Orges Dani po komunikon me personin tjetër, i cili është identifikuar si Gilmando Dani (vëllai i tij) dhe pasi i shoqëron deri te dera, kthehet me vrap për te shkallët.


Dëshmia e Pelivanit


Ditën që është plagosur nuk e mban mend, ka qenë i vetëm në lagje duke pire kafe në lokalin Casa Café, kur ka parë se në rrugë po kalonin shtetasit Erion Mihali dhe Gilmando Dani, me të cilët ka miqësi dhe ka shkuar bashkë me ta. Që të tre kanë shkuar në qendrën tregtare Condor Center, ku kanë hipur në katin e dytë ose të tretë. Aty njëri prej shokëve të tij, Gilmando ose Erioni, i ka thënë që të rrinte te shkallët elektrike, pasi do të takonin një person pa i thënë se kë dhe në momentin që ka qenë duke qëndruar aty bashkë me njërin nga çunat, nuk e mban mend me kë, një person e ka thirrur o Mandi. Ai ka kthyer kokën dhe personi që e thirri e ka qëlluar me armë në drejtim të tij dhe Pelivani menjëherë ka rënë në gjunjë. Është ngritur vetë në këmbë dhe ka zbritur shkallët. Në katin e parë ka takuar rastësisht dy shokë, të cilët e kanë transportuar për në Spitalin Ushtarak. Shtetasit Gilmando Dani dhe Erjon Mihali nuk i ka parë se ku kanë shkuar. Sipas Pelivanit, personi që e qëlloi me armë ishte i shkurtër në trup, rreth 165 cm i gjatë, i mbushur, fytyrë zeshkane dhe flokë të zeza. Llojin e armës nuk mundi ta shquajë, pasi nuk e ka parë. Për shtetasit Orges Dani dhe Përparim Kalemaj, ka deklaruar se i njeh, por nuk i ka parë ditën e ngjarjes në qendrën tregtare.


Dëshmia e Gilmando Danit


Gilmando Dani, në prani të avokatit ka thënë: Data e saktë nuk më kujtohet, mund të jetë ajo që thoni ju, por di që më ka marrë në telefon vëllai im Orges Dani, që të shkoja sa më shpejt tek “Euromaksi” që ndodhet tek ish-parku i autobusëve, pasi kishte bërë një debat, por nuk më tha me kë. Unë në ato momente isha poshtë shtëpisë sime që ndodhet rreth 200 m larg, pra rreth 5 minuta larg. Aty kam qenë bashkë me shokun tim, shtetasin Erjon Mihali. Jemi nisur të dy për tek “Euromaksi” dhe përjashta qendrës na ka përshëndetur Valmend Pelivani, me të cilin unë kam njohje të mëparshme dhe kam lidhje shoqërore. Ai na pyeti se ku po shkonim, nuk e mbaj mend se çfarë i thashë, por të tre u ngjitëm lart, unë përpara dhe Erjoni me Valmendin nga pas. Hipa në katin e tretë, ku vëllai im, Orgesi, ka marrë me qira një ambient që e ka përshtatur në call center. Orgesi erdhi pas nesh, por aty nuk gjetëm më njeri. Unë u futa në një banjë për të kryer nevojat personale dhe kur dola prej aty, pashë Valmendin që po mbante duart në bark dhe po rënkonte. E pyeta se çfarë kishte ngjarë, por ai nuk fliste. I thashë Erjonit ta merrte Valmendin dhe ta çonte me makinë në spital. Unë vetë bashkë me Orgesin zbrita poshtë dhe para nesh zbritën Erjoni me Valmendin. Morën makinën e Erjonit dhe ikën. Unë personalisht nuk e kam marrë vesh se kush e qëlloi Valmendin, pasi ai vetë nuk tha gjë dhe ne ishim shumë të habitur e të tronditur për atë që ndodhi. Unë në qendrën tregtare nuk kam parë ndonjë person me të cilin të kisha ndonjë hasmëri apo konflikt. Për sa u përket shokëve të mi, duhet të pyesni ata. Edhe sot unë nuk e di se kush e qëlloi Valmendin.


 


Pyetje: A keni marrë në telefon në ato momente shtetasin Përparim Kalemaj, përse e keni marrë dhe çfarë i keni thënë?


Përgjigje: Po, pasi më ka marrë Orgesi në telefon, unë kam marrë në telefon Përparimin që e kam shok, e ka shtëpinë aty afër dhe rri gjithë ditën te qendra. I kam thënë se çfarë kishte ndodhur aty te puna e Orgesit dhe ai pasi e verifikoi më mori prapë në telefon dhe më tha se lart shte qetësi dhe Orgesi nuk ishte aty. Ora nuk më kujtohet, ka qenë drekë.


Pyetje: Kur morët dijeni për faktin që Pelivani ishte plagosur me armë zjarri, përse nuk bëtë kallëzim në organet e rendit dhe përse iu fshehët policisë pas ngjarjes?


Përgjigje: Akoma nuk e dija se çfarë kishte ndodhur, pasi edhe sot nuk e di se kush e ka qëlluar dhe si, thjesht konstatova një rënkim të thellë të Valmendit dhe u interesova për shëndetin e tij. Nuk kam lëvizur asnjë ditë nga Tirana, nuk i jam fshehur policisë, thjesht bëj një jetë të shthurur dhe rri shumë me shoqërinë, kështu që mblidhem rrallë në shtëpi. Dua të shtoj se vëllai im Orgesi mbahet kot në burg, bashkë me Kalemajn.