Tiranë, 3 Shkurt NOA - Gjashtë personazhe
kërkojnë autor rikthejnë aktoren e mirënjohur Marjeta Ljarja e cila do të ketë
një rol në këtë vepër të shkrimtarit të madh Luixhi Pirandelo.

Vepra do të vihet në skenë nga Teatri Kombëtar
dhe ka për regjisor Mehmet Xhelilin, skenograf Genc Shkodranin, kostumografe
Anila Zajmin.



Në rolet kryesore interpretojnë veç Marjeta
Ljarjes edhe Fatos Sela, Eftjola Laçkaj, Dritan Boriçi, Olta Dako, Fadil
Kujovska, Olta Gixhari, etj.

Gjashtë personazhe kërkojnë autor është një
nga veprat më të rëndësishme të dramaturgjisë botërore të shekullit të njëzet.

Në të është përmbledhur gjithë gjenia krijuese
dhe pasioni i madh për teatrin i një prej fituesve të çmimit Nobel, shkrimtarit
dhe dramaturgut italin Luixhi Pirandelo.
Subjekti i saj mbështetet në një gjetje të mrekullueshme, sa të çuditshme dhe
spektakolare, aq edhe tronditëse e emocionante, sa tragjike, aq edhe komike. Në
të trajtohet një gamë e gjerë problemesh të karakterit psikologjik, social,
filozofik dhe universal. Subjekti është i tillë:

Në skenën e një teatri ku një trupë aktorësh
janë duke bërë prova në një ditë të zakonshme, shfaqen nga kushedi se ku,
gjashtë personazhe.

Kur regjisorja i pyet se përse kanë ardhur,
ata i përgjigjen se kërkojnë një autor, sepse, një autor tjetër, pasi i ka
krijuar në fantazinë e tij, i ka refuzuar dhe nuk i ka futur në botën e artit.

Natyrisht, një përgjigje e tillë shkakton të
qeshura të papërmbajtura tek aktorët dhe regjisorja. Pas këtij reagimi, personazhet
përgjigjen të fyer dhe të prekur se ata mbartin një dramë tepër të dhimbshme që
ata e kanë brenda vetes dhe e vuajnë, një dramë që merr frymë, flet, lëviz vetë
dhe prandaj këmbëngulin që të shfaqet në skenë.

Drama e tyre ka në qendër një familje: Babai,
Thjeshtra, Nëna, Biri, Vogëlushja dhe Djaloshi; është një familje e ngatërruar
në një histori tepër interesante dhe tronditëse. Pas rrëfimit të kësaj
historie, regjisorja, e emocionuar dhe e ngacmuar artistikisht, vendos që trupa
ta luajë dramën në skenë edhe pse mungon autori.

Rezultati që përftohet në përpjekje për të
vënë në skenë këtë dramë është një përzierje e tragjikes me komiken, e
fantastikes me realisten, një situatë humoristike, tepër e veçantë dhe
komplekse.

Dramën e përmban historia që rrëfehet nga vetë
personazhet pjesëmarrës, kurse, komedia vjen nga përpjekja e kotë që kjo dramë
të mund të realizohet në skenë sepse personazhet nuk bien dakord me aktorët
dhe, madje përfshihen në një konflikt me kthesa humoristike se kush janë më të
rëndësishëm, ata, personazhet, apo njerëzit e gjallë.

Gjashtë personazhe kërkojnë autor mbart një
gjuhë sa të pasur intelektuale, aq edhe të ngjeshur me veprim e dramaticitet;
ajo ka një mënyrë tepër origjinale të servirjes së subjektit: në fillim e
çuditshme dhe pastaj e hapur dhe sugjestionuese. Mbart një lëndë të kondensuar,
të ngjeshur, intensive, të gjerë. Ajo ka personazhe të larmishme, të pushtuar
nga nevoja ulëritëse për komunikim dhe vetëkonfirmim.

Larmi ka edhe në potencialitetet emocionale
dhe ideore: thellësi mendimi, përplasje tragjike, kundrapunkte komike, kulme të
fuqishme, hera herës poetike, por edhe spektakolare.

Gjashtë personazhe kërkojnë autor është një
vepër që pasqyron fuqishëm natyrën tragji-komike të ekzistencës sonë dhe
dhimbjen e të ekzistuarit. Por ajo është edhe një dramë e fuqishme sociale që
ve gishtin në plagë të tilla si degradimi i familjes, varfëria, prostitucioni,
incesti, etj.

Ajo është gjithashtu një dramë që pasqyron
poetikën e teatrit, e këtij tempulli të shenjtë, i kësaj kutie magjike ku buron
pasioni dhe dashuria, ku zbulohet misteri i ekzistencës, por edhe zbavitja dhe
spektakli.

Realizimi i Gjashtë personazhe
kërkojnë autor në Teatrin tonë Kombëtar, i ka të gjitha gjasat të
kthehet, jo vetëm në një ngjarje të rëndësishme kulturore kombëtare, por edhe
në një diskutim të hapur artistik, në kohën dhe vendin e duhur, mbi problemet
që kalon prej shumë dekadash, shoqëria jonë, por edhe teatri dhe publiku
shqiptar.

e.r/NOA