15/03/2005  U mbyt mëse dy javë më parë bashkë me djalin


DURRËS - Dhjetë ditë pasi trupi i Flogert Vathit kishte dalë në breg nga dallgët e detit, dje në orët e para të mëngjesit ka dalë edhe trupi i babait të tij.


Policia e Durrësit ka bërë të ditur se, në ora 06.50 të ditës së hënë, banorët e fshatit Draç kanë parë në breg të detit trupin e një kufome. Ata i janë afruar trupit pa jetë dhe kanë mundur të identifikojnë atë. Grupi hetimor, që ka qenë në vendin e ngjarjes, ka konfirmuar se viktima është Pjetër Vathi, peshkatari i cili u mbyt në afërsi të derdhjes së lumit Ishëm.


Babë e bir kishin dalë më 27 shkurt për të mbledhur rrjetat e peshkimit të hedhura një natë më parë, por që të dy nuk kanë mundur të bëjnë ballë dallgët dhe për pasojë skafi i tyre i vogël është përmbytur. Kësisoj Pjetër Vathi, 37 vjeç dhe Flogert Vathi, 12 vjeç, janë fundosur.


Trupi i peshkatarit Pjetër Vathi ka dalë në të njëjtin vend ku dallgët kishin nxjerrë më 5 mars djalin e tij.