Tiranë- Gjendja vazhdon të mbetet e mjegullt tek skuadra e Partizanit. Presidenti Xhani në fundjavë pati deklaruar që as një futbollist të mos largohet nga skuadra, pasi detyrimet financiare ndaj tyre do të shlyheshin në mesjavë. Deri në ditën e djeshme Albert Xhani, presidenti i klubit, nuk është dukur fare, ndoshta mund të mos jetë kthyer nga jashtë shtetit.



Futbollistët nuk kanë marrë akoma detyrimet financiare që ka klubi ndaj tyre, dhe për këtë një pjesë e mirë kërkojnë të largohen në këtë merkato. Futbollisti Gjyla është në mëdyshje për të ardhemen e tij. Për të janë të interesuara skuadrat e Elbasanit dhe Lushnjes. Për futbollistin Shala interesohen skuadrat e Lushnjes dhe Kastriotit. Sulmuesi Ngjela mund të shkojë tek ish-skuadra e tij, Skenderbeu i Korçës, por më parë ai do të presë zgjidhjen e situatës.



Skuadra e Partizanit për ditën e sotme pati planifikuar të zhvillonte një ndeshje miqësore me Besëlidhjen në kryeqytet, por mësohet se klubi lezhjan e ka të pamundur të vijë në Tiranë. Për këtë drejtuesit e Partizanit janë duke lëvizur për të gjetur një kundërshtar tjetër. Deri tani Partizani ka zhvilluar tre ndeshje miqësore, ku nuk ka treguar asgjë. Një fitore ka arritur me të rinjtë e Shkëndijes, një barazim me Dajtin, dhe një humbje me skuadrën e Adës.