Sa është i stabilizuar Ballkani? Kjo varet nga fakti se ç‘lloj përplasjesh vërehen dhe para së gjithash ku ka akoma armiqësi? E thënë ndryshe, pyetja është: Cila është gjeografia e armiqësive në Ballkan? Në këto probleme, gabimet janë të mundshme, sepse marrëdhëniet mes shteteve ose grupeve politike, që duken sikur janë paqësore, në një moment mund të shndërrohen në armiqësi të papara. Megjithatë, nga retorika që mund të dëgjohet në mjediset e ndryshme politike, mund të thuhet se ka gjithnjë e më pak armiq të vërtetë në Ballkan. Ka probleme, ka luftëra dhe ka mungesë gatishmërie për t‘i zgjidhur ato, por armiqësi të afërta me ato të para 15 viteve nuk ka.

Po si mund të arrihet nëpërmjet pamjes publike në përfundimin se ka armiqësi të vërtetë ose të fshehtë? Një shembull që mund të studiohet është se si kuptohet marrëdhënia me ata që nuk janë përfshirë direkt në luftën e dy palëve. Në Serbi thuhet se ato vende që konfirmojnë se do ta njohin Kosovën, janë njëkohësisht tradhtare të miqësisë me Serbinë. Hipokrizi! Kjo flet për vështrimin e opinionit serb ndaj luftës. Nuk është normale të mendohet se miqtë ndajnë me njëri-tjetrin edhe të gjitha luftërat që kanë. Dy persona ose shtete, që nuk kanë marrëdhënie të mira, ose janë në përplasje serioze, zakonisht nuk presin që edhe miqtë e tyre të hyjnë në të njëjtat luftëra. Madje, edhe kur është fjala për armiqësi, nuk është e zakonshme të kërkohet prej të gjithëve të përcaktohen. Palët e treta mund të jenë, në parim në marrëdhënie miqësore, me të dyja palët e përplasura. Vetëm në rastet kur ka me të vërtetë armiqësi mjaft të thellë, palët në luftë presin që të gjithë të tjerët të përcaktohen qartë për njërën ose tjetrën palë.

Ka vetëm një përplasje në Ballkan dhe ajo është mes Serbisë dhe Kosovës. Të gjitha përplasjet e tjera nuk janë të këtij lloji ose intensiteti. Është e qartë se ka pjesë ose persona që kultivojnë armiqësi ndaj një shteti tjetër ose grupi etnik, por kjo armiqësi përgjithësisht nuk është karakteristikë politike. Kështu, sipas gjykimit të të tjerëve, në përplasjen e tanishme në Maqedoni ka mospajtim ose mosbesim, por nuk ka edhe armiqësi të thellë, të atij tipi që e çoi këtë vend deri në prag të luftës qytetare.

Gjithashtu, sado që Bosnjë-Hercegovina është jo funksionale, dhe sado që ka mosbesim mes grupeve etnike të veçanta, nuk mund të flitet më për armiqësi si ajo që ka ekzistuar në vitet ‘90. Të paktën kështu duket, duke gjykuar nga ajo që shikohet dhe arrihet në përfundim. Njëkohësisht, kjo mund të thuhet për marrëdhëniet mes Bosnjë-Hercegovinës nga njëra anë, dhe Serbisë e Kroacisë nga ana tjetër. Këto janë marrëdhënie politike të ndërlikuara e konfliktuale, por për armiqësi nuk mund të flitet. Ka nxitje, ka mosbesim, ka mospajtim, ka më shumë se sa është e natyrshme, por armiqësi të thellë nuk ka.

Nëse kjo është e saktë, atëherë gjeografia e armiqësive çon në linjën e degëzimit mes Serbisë e Kosovës. Të gjithë të tjerët kanë mospajtime, madje dhe luftë që nuk kërkon pozicionimin e palëve të treta. Sipas kësaj, duhet të thuhet se stabiliteti në Ballkan është rritur ndjeshëm. E veçanta është, se nga dyja palët e përfshira në konflikt, mund të pritet ushtrimi i presionit mbi fqinjët, dhe nga gjithë të tjerët që të mbështeten në përplasjen me armikun. Prej tyre mund të pritet, nëse miqësia me palën kundërshtare mendohet si fakt armiqësor.

Sa potencial destabilizues ka ky konflikt i mbetur? Përgjigjja është shumë pak. Gati të gjitha shtetet ballkanike janë të gatshme të jenë në marrëdhënie miqësore me të dyja palët në konflikt dhe duket se nuk janë të gatshme që përplasjet e tyre t‘i shndërrojnë në marrëdhënie armiqësore të parespektueshme.

Kësaj do t‘i kontribuojë, natyrisht, edhe ndikimi i jashtëm, nga të cilët, më i rëndësishmi është gatishmëria e BE-së për të zhvilluar me të gjithë marrëdhënie të integrimit të rritur. Kështu, duhet të pritet që stabiliteti në Ballkan të rritet, pa marrë parasysh ashpërsimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. E parë kështu, armiqësia globale, që disa e presin ose e dëshirojnë, nuk është e besueshme, por çfarë është edhe më e rëndësishme, nuk është i besueshëm as gjallërimi i armiqësive ballkanike.

Marrë nga "Ekonomist" e Beogradit