TIRANE-  Foto të radha të ceremonisë mortore të homerit shqiptar Gjergj Fishta por edhe foto të tjera të panjohura deri tani janë botuar të dielën (27 dhjetor) në suplementin Milosao të “Gazeta Shqiptare”.

Shkrimi është përgatitur nga studiuesi i mirënjohur shkodran, Mentor Quku dhe redaktorja përgjegjëse e "Milosaos" Admirina Peçi.

Janë dëshmitë fotografike të panjohura të ceremonisë mortore të poetit të madh i cili u nda nga jeta, 70 vjet më parë, më 30 dhjetor 1940. Ai vdiq në moshën 69 vjecare.

At Gjergj Fishta i takonte Urdhërit të Franceskanëve, që e kishin në traditën e tyre që kur vdisnin personalitete të shquara ua merrnin maskën e fytyrës. (në foto maska e Fishtës) Kjo kërkonte një teknikë dhe mjete speciale për tu realizuar. Maskën e Gjergj Fishtës të vdekur e ka realizuar Atë Justin Rrota. Maska është realizuar me një teknikë të lartë, përmes të cilës ka ruajtur deri elementet më të detajuara të fytyrës, si rrudhat e fytyrës edhe qerpikët e syve, fijet e flokëve, etj. Fotografi i njohur Gegë Marubi realizoi fotografimin e Maskës në disa projeksione, ndërsa ajo është ruajtur me fanatizëm në kohën e diktaturës nga Tom Leci në Shkodër.
Përmes galerisë së fotove që shoqërojmë shkrimin tregojnë sesi u përcoll dhe u nderua nga e gjithë Shkodra poeti françeskan. Fotot dëshmojnë se dita e ceremonisë së lamtumirës ishte një ditë me shumë dëborë dhe binte shi. Kortezhi mortor përbëhej nga njerëzit më në zë të politikës, fesë, artit dhe inteligjencës. Bashkëkohësit tregojnë se ceremonia e varrimit të Fishtës qe më madhështorja që ishte pa ndonjëherë në Shkodër.
Katër heronj të fotografisë artistë të vërtetë: Shan Pici, Dedë Jakova, Gegë Marubi dhe Pjetër Rraboshta punuan për të fotografuar cdo moment të asaj ceremonie historike.
Gegë Marubi i specializuar në Paris, ka fiksuar foto të Fishtës në shtratin e vdekjes. Fishta është i veshur me zhgunin e Françeskanëve dhe në dorë mban rozaret. Në brez ka litarin e njohur sipas ritit të Françeskanëve. Fotografi i ri Gegë Marubi ka fiksuar në filma të markës Laika çaste të ndryshme nga funerali i Fishtës. Shan Pici ka fotografuar reliket që i përkisnin Fishtës, si për të na transmetuar brezave tonë disa mesazhe me rëndësi mbi jetën e poetit të madh. Dedë Jakova ka fiksuar çaste të rëndësishme të procesionit.
Milosao publikon dhe shkrimet të cilat janë identifikuar si të Fishtës, por që deri vonë nuk u njihej autorësia.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=90949)
(s.g/BalkanWeb)
Lidhje te tjera FOTO: Gjergj Fishta, “Milosao” zbulon maskën e vdekjes