Gjashtë refugjatë të arrestuar në 4 qytete të ndryshme të Gjermanisë, ishin duke planifikuar një atentat në tregun e Krishtlindjeve të Hesenit.


Lajmi bëhet i ditur nga media të ndryshme lokale. Gjashtë të dyshuarit, ishin pjesë e një celule të ISIS-it, sipas prokurorit Christian Hartwig.


Atentati ishte planifikuar me armë dhe me eksploziv, por organizimi i planit nuk ishte përmbyllur. Mësohet se refugjatët kishin mbërritur në Gjermani me karta false identiteti.


Prokurori i Përgjithshëm i Frankfurtit, ka shpjeguar që të arrestuarit, të mbërritur në tokën gjermane mes 2014-ës dhe 2-15-ës, kanë një moshë mes 20 dhe 28 vjeç. Gjatë aksionit të policisë gjermane, janë bastisur tetë apartamente, shkruan Morgen Post. Sipas informacioneve të para, të gjithë të arrestuarit janë të kombësisë siriane.


Sipas asaj që shkruan gazeta Die Welt në versionin e saj online, hetuesit janë vënë në gjurmë të celulës përmes njoftimeve të refugjatëve të tjerë. Vëmendja e shtypit është e lartë, thuajse më pak se një vit nga masakra e 19 dhjetorit të shkuar në tregun e krishtlindjeve të Breitscheidplatz në Berlin, ku humbën jetën 12 persona dhe shumë të tjerë u plagosën.


21 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)