Aneta Wolter 




Kur Gjermania investon 1 euro në Poloni, rreth 8 cent i kthehen përsëri përmes blerjeve të mjeteve apo mallrave të tjera. Kur ajo investon po 1 euro në Ballkanin Perëndimor, merr mbrapsht 70 cent. Këtë, pak e shumë e tha Gunther Oettinger, komisioner i Brukselit, në fjalën e tij në Konferencën e Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Berlin. Rëndësia e asaj konference mbetet e gjithanshme. Zhvillimet ekonomike dhe politike të tetë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të ndryshme nga njëra-tjetra, por edhe të lidhura ngushtë mes tyre. Pikërisht kështu shihet Ballkani Perëndimor sot në Berlin. Sigurisht që strategjitë dhe pozicionimet e shteteve, duke përfshirë këtu edhe Gjermaninë, pa dyshim që përcaktohen nga vlerat dhe interesat e tyre, të cilat janë primaret. Por sot, Shqipëria ka fatin e mirë të jetë në interesat e Gjermanisë. Kështu, qeveria e re shqiptare (duke parë të ardhurat mesatare vjetore që janë 3.650 euro për frymë) ka shumë për të bërë, në mënyrë që të rritë mirëqenien e qytetarëve të saj. Shansi duhet të kthehet si vlerë e matshme për të gjithë qytetarët shqiptarë.




Përmes vendeve të Ballkanit do të kalojnë dy prej gazsjellësve më të rëndësishëm, të cilët do të ushqejnë Europën e uritur për energji. A do të ndihmojë uria e Europës për energji që Ballkani Perëndimor, me të gjithë dendësinë e madhe të konflikteve të trashëguara, të ketë një kapitull të ri dhe të kthehet në një partner të sigurt për Europën dhe një zonë lidhëse ekonomike? Së paku, zhvillimet e fundit në Ukrainë, në Lindjen e Afërt dhe në Rusi, e favorizojnë hapjen e një kapitulli të ri për Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është analiza e marrëdhënieve të ndërsjella në Ballkanin Perëndimor, pasi për këtë ka mjaftueshëm materiale. Por unë dua të kthehem edhe njëherë te fjalia e parë e këtij shkrimi për të theksuar këtë rregull: kur Polonia është mirë ekonomikisht, edhe Gjermania është mirë e anasjelltas! Ndaj mund të themi se forcimi ekonomik i Shqipërisë, forcon edhe Maqedoninë, Kosovën, Bosnjën, Serbinë, Kroacinë, Malin e Zi, madje edhe vetë Gjermaninë.