Gjashtë javë pas barazimit pa gola në Allianz Arena, Gjermania me Francën përballen sërish në Ligën e Kombeve, këtë herë në Saint-Denis, në orën 20:45, në një ndeshje përcaktuese për fatin e Grupit të Parë të Divizionit A. Në këtë grup fillon kështu faza e dytë e ndeshjeve dhe situata është shumë e paqartë, pasi kampionët në fuqi të botës për momentin kryesojnë në kuotën e 4 pikëve, ndërsa Holanda ndjek nga afër me vetëm një pikë më pak.


Blutë rikthehen në Stade de France, ku muajin e kaluar skuadra e drejtuar nga Didier Deschamps fitoi jo pa vështirësi me Holandën, megjithatë tulipanët treguan shenja të qarta përmirësimi vetëm tre ditë më parë, teksa mundën bindshëm në Johan Cruyff Arena 3-0 Gjermaninë.


Në Amsterdam natyrisht panzer-at patën mundësitë e tyre dhe deri në minutën e 87 Gjermania ishte krejtësisht në lojë, megjithatë pas eliminimit të turpshëm në botërorin rus apo qoftë edhe ecurisë së dobët gjatë gjithë kësaj periudhe, kuptohet qartë që gjërat kanë ndryshuar ndjeshëm dhe ekipi i Joachim Loë ka shfaqur probleme të mëdha në organizim, pa lënë mënjanë edhe defektet si në sulm ashtu edhe në mbrojtje.


Në 12 ndeshjet e fundit die mannschaft ka mposhtur vetëm Arabinë Saudite, Suedinë dhe Perunë, madje dy prej këtyre kundërshtarëve Gjermania i ka mundur vetëm në çastet e fundit, gjithsesi edhe gjelat në krahun tjetër nuk është se po shkëlqejnë, pasi në tre sfidat e fundit francezët kanë krijuar fare pak raste, duke fituar vetëm duelin me portokallinjtë, ndërsa në miqësoren me Islandën në Guingamp blutë ia dolën mbanë për të barazuar me shumë shumë fat, me dy gola të vonë. Një fitore në kryeqytet me shumë gjasa do ti kualifikojë futbollistët e trajnerit Deschamps për në fazën gjysmëfinale të këtij divizioni, për më tepër Franca nuk njeh humbje në katër përballjet e fundit ndërmjet tyre.


Me interes pritet gjithashtu edhe takimi tjetër i orës 20:45 Ukrainë-Republika Çeke. Kjo ndeshje është e vlefshme për Grupin e Parë të Divizionin B, grup ku verdheblutë kryesojnë me pikë të plota, pas dy sfidave të para, ndërsa çekët pozicionohen të dytët, falë triumfit 2-1 brenda në Trnavë vetëm tre ditë më parë ndaj Sllovakisë.


Nën drejtimin e trajnerit Andriy Shevchenko, Ukraina është përmirësuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit. Gjithçka madje përkon me miqësoren 2-1 që verdheblutë fituan në Lviv pikërisht ndaj Republikës Çeke 12 muaj më parë, sepse që nga ajo kohë Ukraina ka fituar 5 dhe barazuar 3 nga 8 ndeshjet e fundit, ku spikat edhe barazimi 1-1 me Italinë e Mancini-t në Gjenovë, në një tjetër takim miqësor.


Muajin e kaluar ukrainasit pësuan gol që në 4, megjithatë futbollistët e Shevchenkos treguan karakter dhe përmbysën gjithçka, duke shënuar golin e fitores vetëm në fund, me anë të mesfushorit të City-t Zinchenko, gjithsesi gjërat janë të qarta dhe për tu kualifikuar për në fazën tjetër në Nations League vendasve në këtë duel iu mjafton edhe barazimi. Shumë pranë kualifikimit për në fazën gjysmëfinale të edicionit të parë të Ligës së Kombeve është gjithashtu edhe Maqedonia, që në kategorinë më të ulët, pra divizionin D kryeson Grupin e Katërt me 9 pikë pas tre ndeshjeve të para.


Këtë herë gjithsesi skuadrën e Igor Angelovskit e pret një mision i vështirë, pasi Maqedonia do të vizitojë Armeninë në orën 18:00. Tre skuadrat e tjera ndjekin nga prapa me nga 3 pikë, sidoqoftë Maqedonia po kalon një formë të shkëlqyer, teksa nuk njeh humbje në 10 ndeshjet e fundit, kështu që edhe një pikë në Yerevan do ti afronte ndjeshëm miqtë me kualifikimin për në final four. Po në Supersport në orën 20:45 gjithë abonentët do të kenë gjithashtu rastin për të ndjekur edhe takimin miqësor Belgjikë-Holandë.


Ndeshja do të luhet në Bruksel dhe për shkak të afërsisë gjeografike, apo dhe rivalitetit historik, përballjet ndërmjet tyre nuk konsiderohen kurrë si miqësore. Kjo është sfida e 127 në histori ndërmjet tyre dhe Holanda kryeson 55-41 me fitore, por sidoqoftë djajtë e kuq nuk njohin humbje në shtatë ndeshjet e fundit dhe nuk munden prej plot 21 vjetësh, më saktë që nga viti 1997 kur portokallinjtë nën drejtimin e trajnerit Guus Hiddink fituan 3-1 në një ndeshje të vlefshme për fazën eliminatore të Kupës së Botës Francë 1998.


16 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)