Intervistë me ish-drejtorin e arkivave Gjet Ndoj


Arkivat Shqiptare quhet libri që sapo keni nxjerrë në treg.


Cili është qëllimi dhe shkaku i këtij botimi?


Unë kam patur fatin dhe privilegjin të isha për tre vite në krye të Arkivave të Shtetit Shqiptar. Arkivat e Shtetit janë institucioni më unik nëpërmjet të cilit ne mund të përcaktojmë historinë tonë, si popull, si etni, si komb dhe si shtet, deri në ditët tona. Arkivat janë vendi nga ku mund të mësojmë shumë të vërteta. Vetëm në arkiva mund të përcaktohet qartë dhe me vërtetësi identiteti ynë etnik e kombëtar. Ndryshe nga çdo qytetar, madje ndryshe nga çdo studiues sado skurpuloz dhe i palodhur qoftë, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave ka mundësi (për shkak të detyrës), të kundrojë e të shikojë më shumë se kushdo tjetër rreth fondeve arkivore dhe të veprimtarisë së të gjithë sistemit arkivor të Republikës tonë. Duke qenë thellësisht i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm se këto fonde janë pjesë e pasurisë dhe e Trashëgimisë Historike e Kulturore të shqiptarëve, njëherësh pjesë e përjetshme e tyre, e ndjeva për detyrë që këto të vërteta që hedhin dritë mbi arkivat dhe fondet dokumentare, tiathem publikut shqiptar e më gjerë. Duke u karakterizuar nga ndjesia e dashurisë për nacionalitetin tonë Arbnor-Shqiptar dhe përkatësinë evropiane të tij, si dhe duke u ndjerë borxhli ndaj shqiptarëve (pronarit të vërtetë të Arkivave), mendova dhe vendosa që kjo detyrë realizohej në mënyrën më të plotë të mundshme duke bërë këtë libër, titullin e të cilit e përcaktova: ARKIVAT SHQIPTARE. Natyrisht është një sipërmarrje unike. Në lidhje me arkivat më parë janë shkruar disa libra me karakter metodologjik ku pasqyrohen më tepër standardet dhe metodika e punës dhe veprimtarisë arkivore në tërësi, sesa një këndvështrim studimor për Arkivat (Rrjetin Arkivor Kombëtar) dhe fondet dokumentare që ruhen në to. Në këtë kuptim , këto libra e broshura më tepër u shërbejnë specialistëve arkivistë në punën e tyre sesa studiuesve dhe aq më shumë publikut të gjerë.


Kush është struktura dhe përmbajtja e librit Arkivat shqiptare?


Libri strukturohet në tri pjesë, duke përfshirë gjithsej 22 kapituj. – Në pjesën e parë, është trajtuar koncepti institucional e shkencor i arkivave, rrjeti arkivor në Republikën e Shqipërisë dhe fondet dokumentare që ruhen, përpunohen dhe shërbehen, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave si institucion kryesor në këtë rrjet, Arkivi Qendror i Shtetit, Arkivat Shtetërore vendore, Arkivat e Sistemit, Arkivat që ruajnë dokumente të së njëjtës tipologji, arkivat private, hapja e arkivave për studiuesit dhe qytetarët, etj. – Në pjesën e dytë janë trajtuar shkurtimisht Arkivat shqiptare jashtë republikës së Shqipërisë, ku arkivat e Kosovës zënë pjesën kryesore, më shkurt trajtohen arkivat e Maqedonisë dhe të Malit të Zi, fondet dokumentare që ruhen dhe shërbehen prej tyre, etj. – Në pjesën e tretë: Tre vjet në krye të arkivave, gjendet e shtjelluar problematika dhe prioritetet që identifikuam e u përpoqëm të përmbushnim me stafi n e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, por dhe me të gjithë stafet e tjera të institucioneve arkivore në vendin tonë. Kam bindjen se lexuesi kur të njihet me përmbajtjen e kësaj pjese do të kuptojë se nuk është thjeshtë një raportim mbi punën që unë me stafet arkivore kryem për tre vite, por duke raportuar përmbushjen sa mundëm të misionit tonë, mësohet dhe hidhet dritë mbi shumë problematika të veprimtarisë arkivore në Shqipëri që kanë karakter të përgjithshëm dhe janë tepër të rëndësishme.


Për gati tre vite ju keni qenë në krye të Arkivit të Shtetit. Cilët qenë prioritetet e punës, qëllimi dhe çfarë ka ndryshuar kjo periudhë në këndvështrimin tuaj për arkivat.


Nga vlerësimet e bëra të gjendjes dhe dinamikës së punës, që kur u themelua institucioni ynë e deri në ditët tona, kemi planifikuar një punë të gjithanshme, me qëllim që arkivat të cilat përfaqësojnë memorien e Shtetit dhe të Kombit Shqiptar, ti përgjigjen sa më mirë sfidave të së tashmes dhe të ardhmes së tyre. Në kuadrin e kësaj veprimtarie, ne kemi identifikuar disa prioritete, realizimi me sukses i të cilave do ta vendoste DPA-në në një nivel historik të ri. Baza e programit të veprimtarisë arkivore në vend do të përcaktohej nga ky identifikim realist prioritetesh, për ta shndërruar Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave në një institucion udhëheqës në gjithë Sistemin Arkivor Kombëtar (kjo e parë në ligjin për arkivat, por i papërmbushur si mision), me qëllimin e vetëm: përmirësimin rrënjësor të veprimtarisë arkivore në Shqipëri (ruajtjes, përpunimit, evidentimit, restaurimit dhe shërbimit për publikun të dokumenteve). Kështu që në krye të herës, unë bashkë me stafin punuam dhe hartuam këto detyra prioritare: 1. Forcimin e disiplinës institucionale dhe profesionale-metodike, duke përmbushur misionin udhëheqës të DPA-së në rrjetin arkivor të vendit. Vënia në veprim e të gjitha hallkave ligjore dhe puna në ekip. 2. Edukimi profesional i të gjithë personelit të rrjetit arkivor. Organizimi i kurseve të trajnimit dhe të seminareve në AQSH dhe në ASHV sipas qarqeve. Në total, që nga fundi i vitit 2013 e deri në shtator të vitit 2016 u trajnuan dhe u certifikuan pranë DPA-së në kurse 2-javore 339 punonjës. Ndërsa përfituan nga trajnimi në seminaret 2-ditore pranë ASHV-së në qarqe, mbi 3 500 punonjës sekretari-arkivash. Gjithsesi, në konkluzionin përfundimtar, e them me bindje se: Për tre vitet e drejtimit tim në krye të saj, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, si kurrë më parë në historinë e saj, u transformua edhe në këtë drejtim, duke u dimensionuar si një institut i vërtetë, ku realizohej edukimi profesional i punonjësve të arkivave shtetërore, deri tek të gjithë punonjësit e sekretari-arkivave të Republikës. 3. Hartimi i planeve për inspektimin e rrjetit arkivor të vendit, duke përmbushur misionin ligjor që ka DPA-ja, me qëllim përmirësimin e gjendjes tërësore në arkivat shqiptare. Pikërisht në këtë kohë arritëm të bëjmë për herë të pare inspektimin e Arkivave Qendrorë të Sistemit, Arkivave Qendrorë që mbajnë dokumente të së njëjtës tipologji dhe nëpërmjet tyre të gjithë rrjetit arkivor të Shqipërisë. 4. Pasurimi i Arkivave Shqiptare me fonde të cilat janë në arkivat e huaja, apo tek familje ose individë brenda vendit. Kanë ardhur nga bashkëpunimi me arkivat e huaja (Arkivat e Turqisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Londrës, Austrisë, Italisë etj) mbi 25 mijë dokumente duke ju bashkuar Fondit Kombëtar Arkivor. Ndërsa nga bashkëpunimi me familje dhe persona privatë (Tomorr Dosti, Pjetër Logoreci, Bejtulla Destani, Elez Biberaj, Skënder Hasani, Francesco Altimari, Musa Ahmeti, Qerim Lita, Mark Palnikaj, etj, kemi siguruar mbi 7 mijë dokumente, duke i shërbyer pasurimit të Fondit Kombëtar Arkivor. 5. Digjitalizimi i fondeve dokumentare në AQSH mbetet një nga sfidat më të rëndësishme që i shërben modernizimit të arkivave sinë drejtim të ruajtjes së fondeve dokumentare, por dhe ne rritjen e shpejtësisë dhe të cilësisë së shërbimit ndaj studiuesve,qytetarëve , institucioneve etj. vetëm nga bashkëpunimi me të tretët ne digjitalizuam mbi 500 mijë dokumente dhe krijuam kushtet për një plan tepër ambicioz e të përgjithshëm për digjitalizimin e miliona dokumenteve në një të ardhme të afërt. 6. Rritja e cilësisë së shërbimit për qytetarët dhe studiuesit dhe lufta kundër korrupsionit në arkiva ishte prioritet kryesor, i cili konsistonte në uljen e tarifave të shërbimit dhe në shkurtimin drastik te afateve të kthimit të prgjigjeve për qytetarët dhe studiuesit. Konkretisht afati i kthimit të përgjigjeve mund të zgjaste deri në 90 ditë, ne sa isha në drejtim të DPA, e ulëm respektivisht në 30 ditë, pas disa muajsh në 22 ditë dhe në qershor të v 2016 në 12 ditë. Edhe tarifat u ulën në mënyrë të ndjeshme. Qytetarët sa isha në krye të arkivave shqiptare e morën shërbimin në mënyrën më të merituar të mundshme, duke i shporrur gjithnjë e më tepër sekserët që e kishin rrethuar atë institucion si kudo gjetkë edhe institucionet e tjera që japin shërbim për qytetarët.


Nëse ne flasim sot për një identiteti historiko-kulturor sa e pasqyrojnë këtë identitet fondi ynë arkivor?


Tërësia e fondeve dokumentare që gjendet në institucionet arkivore përcaktojnënatyrën dhe idenditetin etnik e nacional të shqiptarëve. Në përgjigje të kësaj pyetje do të shtoja se këto dokumente e fonde arkivore nuk plotësojnë tërësisht dhe plotësisht gjurmën historike të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Ballkanin Perëndimor. Konkretisht në periudhën e Antikitetit të Vonë dhe të Mesjetës së Hershme , që përkon kryesisht me sundimin bizantin(Shek. IV deri në shekullin e XI), pikërisht në kohën e procesit të kalimit nga ilirët tek arbërit, kur krijohet Etnia Arbnore- Shqiptare, si kombësi, por dhe kur fillon lindja e shtetformimit të tyre kemi një boshllëk dokumentar arkivor. Në Arkivat tona nuk ka dokumente që të na informojnë për jetën ekonomike, shoqërore , kulturore- fetare , politiko- shtetërore të botës iliro- arbnore të asaj periudhe. Kemi vetëm kodikët, njëri prej të cilëve i takon shekullit të VI (Kodiku i Purpurit i gjetur në Berat), i cili ka informacion me përmbajtje fetare- kristiane. Po kështu ka varfëri të theksuar dokumentare edhe në periudhën e Mesjetës së Mesme (shek. XII deri në Shek. XV) , një periudhë mjaft e rëndësishme për botën Arbnore Mesjetare. Është një periudhë e rëndësishme , pasi pikërisht është kur nis dhe konsolidohet procesi i lindjes së principatave arbnore mesjetare dhe bashkë me to mori rrugë procesi shtetformimit të Etnisë tonë. Kështu gjatë kësaj periudhe ky proces themelorë historic lindi e u konsolidua Fisnikëria arbnore e cila në marrdhënie të ngushtë tregtare e politike me republikat tregtare të Venedikut e të Raguzës, Mbretërinë e Napolit, Papatin, etj konsoliduan jetën dhe frymën evropiane, frymë kjo që ishte në themelet kulturore, zakonore e linguistike të Arbërisë mesjetare, pjesë natyrale qytetërimit evropian të saj. Më vonë, gjatë periudhës së pushtimit dhe të sundimit Perandorak Osman (1479- 1912), ka dokumente të shumta të karakterit administrativ, kronika të shumta, etj. që janë dokumente me rëndësi historike kombëtare, por gjithsesi ka mangësi serioze dokumentare. Më vonë pas pavarësisë Shqipërisë, ka një situatë dhe një panoramë më të plotë me dokumente që plotësojnë deri diku tablonë historike e kulturore të shqiptarëve deri në ditët tona. Gjithsesi në konkluzionin e përgjithshëm duhet thënë se arkivat shqiptare janë nga arkivat më të pasur të rajonit të Ballkanit, ku ka me mijëra e qindra mijëra dokumente që flasin edhe për historinë e popujve dhe të vendeve të tjera. Kjo është një premisë mjaft pozitive për të bashkëpunuar ngushtë me arkivat e vendeve të tjera, duke shfrytëzuar dhe ne interesin e atyre vendeve për të marrë në rrugë digjitale dokumentet që flasin për historinë e tyre.


Është folur shpesh që pjesa më e mirë e historisë sonë ruhet në arkivat e huaja. A ka pasur përpjekje për të kthyer këtë pjesë të historisë në arkivat shqiptare?


Mangësia e fondeve dokumentare për periudha të veçanta historike në arkivat shqiptare mund të plotësohet më së miri me dokumente e fonde arkivore që përmbajnë informacione me shumë vlerë për shqiptarët dhe historinë e tyre, që ndodhen në Arkivat e vendeve me të cilët shqiptarët ndajnë historinë e tyre. Të tilla janë arkivat e Turqisë, Austrisë, Hungarisë, të Vatikanit, të Napolit, të Venecias , të Dalmacisë, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës, Rusisë, Anglisë, Francës, etj etj. Pikërisht periudhat më të errëta, për të cilat ka shumë pak informacione dokumentare, sikurse është periudha e Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës së hershme, por dhe Mesjeta e Mesme,sikurse e përmendëm më sipër, mund të plotësohen e ndriçohen me dokumente që përmbajnë informacione interesante dhe që ekzistojnë në Vatikan, në arkivat veneciane, Dubrovnik, Beograd, Aragonë (Spanjë), për kohë të mëvonshme edhe në Turqi etj. Ishte kjo arsyeja pse ne e shpallëm si prioritet madhorë vendosjen e një bashkëpunimi me këto arkiva. Në libër shtjellohet qartë jo vetëm nënshkrimi i shumë marrëveshjeve me arkivat e këtyre vendeve, por pasqyrohet me fakte dhe produkti i këtij bashkëpunimi i cili pati filluar të materializohej në qindra e mijëra dokumente që ne i përfituam. Në këtë kuadër ne përfituam nga arkivat turke fondin e regjistrave me të dhëna administrative për të gjithë hapësirën gjeografike të banuara në katër vilajetet shqiptare (56 regjistra) që mbulojnë periudhën nga v. 1431 e deri në gjysmën e dytë të shekullit të XIX- të., përfituam dokumente nga arkivat e Austrisë, Vatikanit, të Londrës, Malit të Zi, Maqedonisë, Kozencës, Hungarisë… natyrisht ishim vetëm në fillimet e përfitimit të jashtëzakonshëm nga këto arkiva, kur u ndërpre pozita ime në krye të Drejtorisë Përgjithshme të Arkivave. Shpresoj e dëshiroj që të vazhdojë ajo punë e nisur me aq përkushtim e delikatesë, me qëllim pasurimin e mëtejshëm të Fondit Kombëtar Arkivor, pikërisht për ti shërbyer zbardhjes së vërtetave historike për shqiptarët në Ballkanin Perëndimore.


8 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)