PRISHTINë- Komisioni Qeveritar i Prishtinës për Persona të Pagjetur bëri të ditur sot pasdite se ka informacione për më se 450 shqiptarë kosovarë të groposur në rajonin e Rudnicës, afër Rashkës në Serbi, pranë kufirit verior të Kosovës, ku Beogradi njoftoi dje zbulimin e varrezës masive me rreth 250 trupa.
"Ne kemi informacione se atje janë dy varreza masive, njëra me 300, ndërsa tjetra me 150 trupa. Pra, bëhet fjalë për një numër shumë të madh, mbi 400 trupa", tha kryetari i Komisionit, Prenk Gjetaj, në një konferencë shtypi.
Ai tha se informacioni ka ardhur nga një dëshmitar, i cili mbetet konfidencial, dhe që nga viti 2005 i është kërkuar Beogradit të zbardhet rasti, ndërsa në vitin 2007 kishte një gërmim atje, por ishte ndërprerë kërkimi.
Gjetaj tha se janë edhe më se 1860 të pagjetur në Kosovë, prandaj duhet të hulumtohen e zbulohen të gjitha varrezat masive dhe vendet ku dyshohet se janë djegur kufomat për të zhdukur gjurmët e krimeve.
Në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe vranë e masakruan rreth 12 mijë shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë i zhdukën, duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur. Menjëherë pas luftës kanë rezultuar 5.650 persona të zhdukur.
Pas zbulimit të disa varrezave masive në Serbi, autoritetet e Beogradit kanë kthyer në Kosovë mbetjet mortore të 707 shqiptarëve në 18 kontigjente të veçanta, si dhe 90 qeske me mbetje mortore.
Në një konferencë ndërkombëtare për persona të pagjetur, mbajtur para më se një muaji në Prishtinë, u kërkua që për zbardhjen e fatit të të zhdukurve të luftës në Kosovë, Këshilli i Sigurimit i OKB ta detyrojë Beogradin që t’i tregojë varrezat masive ende të pazbuluara.
(e.n/ata/BalkanWeb)