Historia e familjes Gjika, me origjinë nga Përmeti, që emigroi në Vllahi. Si e sunduan zonën e Vllahisë për disa breza radhazi, që nga viti 1660


Mr.Sc. Nikollë LOKA



Të parët e familjes Gjika largohen prej Zërecit të Përmetit dhe vendosen në Kostandinopojë në kërkim të një jete më të mirë. Ata u morën me tregti dhe arritën të hynin në lagjen Fanari, ku qëndronin të krishterët e pasur të Perandorisë. E vazhduan profesionin e tregtarit, madje edhe Gjergj Gjika, themeluesi i dinastisë, e ushtronte këtë profesion kur u njoh me kryevezirin me origjinë shqiptare, Mehmet Pashë Qypriliu, i cili e ndihmoi të ngjiste shkallët e rangut shoqëror dhe i hapi dyert e pushtetit. Familja Gjika, ndoshta në kohën e Gjergjit, shpërngulet nga Kostandinopoja dhe vendoset në territoret rumune, që përfitonin prej statusit të “Dar al sulli”, - toka e pajtimit, që u lejonte këtyre territoreve të kishin strukturat e tyre politike, administrative dhe ushtarake, pra të kishin vetëqeverisje të plotë të brendshme, ndërsa politikën e jashtme ishin të detyruar ta harmonizonin me shtetin osman, sipas parimit se principatat danubjane do të ishin “miku i mikut dhe armiku i armikut” të Perandorisë Osmane. Me ndihmën e kryevezirit shqiptar Mehmet Pashë Qypriliu e princit shqiptar Vasil Lupi, natyrisht duke patur edhe miratimin e sulltanit, themeluesi i dinastisë Gjika u përzgjodh për të sunduar Moldavinë dhe pastaj Vllahinë. Përgjegjshmëria në kryerjen e detyrës, respekti i madh që kjo familje fitoi, si dhe kontributet që dhanë në konsolidimin e të dyja principatave bënë që pjesëtarë të tjerë të familjes, njëri pas tjetrit, për dyqind e pesëdhjetë vjet radhazi, të drejtojnë fillimisht në principatat e Vllahisë dhe të Moldavisë dhe pastaj në Rumaninë e bashkuar. Pjesëtarë të familjes Gjika u lidhën me anë të martesave me shumë familje të shquara aristokratike europiane dhe dhanë personalitete të shumtë. Për arsye politike, pas vendosjes në Rumani të regjimit komunist, shumë prej tyre u larguan nga Rumania dhe emigruan në qendrat e mëdha botërore: Nju Jork, Uashington, Berlin, Drezden, Vjenë etj., duke lënë gjurmët e tyre në këto qytete. Megjithatë, gjurmët e familjes Gjika në Rumani janë të pranishme kudo dhe pjesëtarët e kësaj dinastie, krenarë për origjinën e tyre, vazhdojnë të japin ndihmesën e tyre për zhvillimin e shtetit dhe të shoqërisë rumune.



Gjergj Gjika, themeluesi i dinastisë Gjergj Gjika lindi rreth vitit 1600 dhe në vitet e para të jetës së tij është marrë me tregti dhe kishte në Kostandinopojë një pozitë për t’u lakmuar. Ai u lidh me kryevezirin shqiptar, Mehmet Pashë Qypriliu, i cili e ndihmon që të ngjitet në rangun shoqëror. Ka të dhëna se gjatë kësaj kohe shkon në principatat rumune, ku njihet me princin me origjinë shqiptare, Vasil Lupi, i cili e futi në radhën e fisnikërisë. Me ndërhyrjen e kryevezirit Qypriliu, princi moldav Stefan Georgiu e emëroi Gjergj Gjikën Kapua Kehaia (përfaqësues i princit të Moldavisë pranë Portës së Lartë). Pastaj Gjergji u bë fillimisht princ i Moldavisë në vitet 1658-1659 dhe i Vllahisë në vitet 1659-1660 dhe 1673-1678. Gjergj Gjika la gjurmë të pashlyera në historinë rumune, pasi e transferoi kryeqytetin prej Tirgovishte për në Bukuresht, ku ndodhet edhe sot. Gjithashtu ai themeloi një dinasti princërore që shkëlqeu për rreth dy shekuj e gjysmë, duke dhënë sundimtarë dhe qeveritarë të shkëlqyer, politikanë dhe diplomatë, njerëz të artit, kulturës dhe të fesë, që kanë dhënë ndihmesën e tyre të madhe në zhvillimin e shoqërisë rumune.

Grigori I Gjika

Grigori i Gjika ishte djali i Gjergj Gjikës, që sundoi në Vllahi në vitet 1660-1664 dhe 1672-1673, si dhe në Moldavi në vitet 1672-1673. Ai u lidh së pari me familjen e Cantacuzino-ve, por pastaj u armiqësua me ta, duke urdhëruar ekzekutimin e Senechal Constantin Cantazino-s dhe përndjekjen e të gjithë familjes.

Grigori II Gjika Grigori II Gjika ka qenë princ i Moldavisë katër herë, përkatësisht nga tetori i vitit 1726 deri më 16 prill 1733, pastaj prej 27 nëntorit 1735 deri më 14 shtator 1739; herën e tretë, prej tetorit të vitit 1739 deri në shtator të vitit 1741 dhe herën e fundit, prej majit të vitit 1747 deri në prill të vitit 1748. Gjithashtu ka qenë dy herë princ i Vllahisë: herën e parë, nga 16 prilli 1733 deri më 27 nëntor 1735 dhe herën e dytë, nga prilli i vitit 1748 deri më 3 shtator 1752. Grigori II Gjika e zuri fronin e Moldavisë me ndihmën e princit të mëparshëm, Nicolae Mavrocordati, pas shkarkimit të Mihail Racovita-s nga Porta e Lartë. Grigori uli taksat, por zgjodhi të ndjekë politikën e mëparshme të dhënies së funksioneve shtetërore për grekët dhe levantinët, në vend që të përkrahte fisnikët lokalë. Ai futi përdorimin e gjuhës greke në administratë. Për shkak të këtyre qëndrimeve u përballë me kundërshtimin e Dimitrie Racovita-s, që u përpoq ta largonte Grigorin nga froni me ndihmën e tartarëve. Me shpërthimin e Luftës ruso-turke dhe pushtimin rus, Grigori II Gjika u detyrua që ta lëshonte fronin për një periudhë të shkurtër në muajt shtator-tetor 1739. Megjithëse kishte dijeni për intrigat e Konstandin Mavrokordatit me Portën e Lartë, Gjika u largua nga detyra vetëm në vitin 1741, kur shkoi në ekzil, për t’u kthyer përsëri në fron në vitet 1747-1748. Gjatë sundimit të Grigorit II Gjika iu kushtua rëndësi zhvillimit të sistemit arsimor të vendit. Si pjesë e trashëgimisë së tij është manastiri në Frumoasa të Iasit dhe një spital për të sëmurët, ku shërbenin murgët ortodoksë. Përmendet edhe për punën që bëri për forcimin e strukturave shtetërore në të dy principatat ku sundoi.

Matei Grigor Gjika Djali i Grigorit II Gjika u bë sundimtar i Vllahisë nga 4 shtatori 1752 deri më 3 korrik 1753 dhe i Moldavisë nga 3 korriku 1753 deri më 19 shkurt 1756. Përmendet për taksat e rënda që vendosi mbi popullin. Ai ndërtoi në kodrën Frumoasa një manastir, në themelet e të cilit kishte qenë një kishë dhe një pallat mbretëror. Matei mbështeti botimin e kronikave Ghiculesti.

Skarlat Grigor Gjika Skarlat Gjika u bë princ i Moldavisë nga 2 marsi 1757 deri më 7 gusht 1758 dhe dy herë princ i Vllahisë nga gushti i vitit 1758 deri më 5 qershor 1761 dhe nga 18 gushti 1765 deri më 2 dhjetor 1766. Ishte djali i Grigorit II Gjika dhe vëllai i Matei Gjikës. Vdiq në detyrë më 2 dhjetor 1766 dhe u varros në bazilikën e Shën Spiridonit në Bukuresht.

Aleksandër Skarlat Gjika Djali i princit Skarlat Gjika sundoi në Vllahi prej 13 dhjetorit të vitit 1766 dhe deri më 26 tetor 1768.

Grigor Aleksandër Gjika, ose Grigori III Gjika Grigor Aleksandër Gjika, ose Grigori III Gjika është djali i vëllait të Grigorit II Gjika. Grigori III Gjika ishte dy herë princ i Moldavisë midis 29 marsit 1764 e 3 shkurtit 1767 dhe shtatorit të vitit 1774 e 10 tetorit të vitit 1777. Sundoi edhe në fronin e Vllahisë prej 28 tetorit të vitit 1768 deri në nëntor të vitit 1769. Në luftimet e zhvilluara kundër rusëve në vitin 1769, kapet rob dhe mbahet në burg deri në vitin 1774. Pastaj rikthehet në detyrë. Paqja e Kutçuk-Kanardja-s u njihte të drejtën princave të Vllahisë dhe të Moldavisë të kishin në Stamboll një ambasador të vetin, por kjo nuk e pengoi Portën e Lartë që përballë presionit rus, pa miratimin e princit Gjika t’i japë Rusisë rajonin e Bukovinës. Kjo hasi në rezistencën e armatosur të udhëhequr nga princi, i cili mori mbi vete zemërimin e sulltanit dhe u dënua me vdekje. Grigori III Gjika la si trashëgimi të sundimit të tij një sistem të ri fiskal dhe rregulla të reja për marrjen e punonjësve në punë, në përpjekje për pakësimin e abuzimeve në administratë.

Grigor Dhimitër Gjika, ose Grigori IV Gjika Grigor Dhimitër Gjika, ose Grigori IV Gjika lindi më 30 qershor 1755 dhe vdiq më 29 prill 1834. Ishte djali Dhimitrit, vëllait të Grigorit III Gjika, vëllai i princit Aleksandër Gjika dhe xhaxhai i Elena Gjikës. Grigori IV Gjika u martua me Maria Hangerly, me të cilën pati gjashtë djem: Costache, Iorgu, Scarlat, Grigor, Panait dhe Dimiter. Në martesën e dytë me Eufrosina Saveskun pati dy vajza: Maria dhe Aleksandrina. Grigori ishte princ i Vllahisë midis viteve 1822-1828 dhe është konsideruar si i pari në linjën e sunduesve që nuk vinin nga Fanari. Gjatë sundimit të tij filloi një periudhë qytetërimi dhe u zhvillua letërsia e vërtetë kombëtare rumune.

Aleksandër Dhimitër Gjika, ose Aleksandri II Gjika Aleksandri II Gjika lindi në vitin 1796. U bë princ i Vllahisë më 2 prill të vitit 1834 deri më 19 tetor 1842. E rimerr fronin princëror për pak më shumë se dy vjet të tjera nga 29 korriku 1856 deri më 30 tetor 1858. Gjatë sundimit të Aleksandrit Principata e Vllahisë pati ndryshime të rëndësishme. U hapën rreth njëmijë shkolla dhe u krijua sistemi postar i Principatës. Ai ishte i interesuar për afirmimin e kombit rumun; nxiti rritjen dhe zhvillimin e qyteteve përgjatë Danubit, modernizimin e Bukureshtit dhe zhvillimin e arsimit të lartë në kolegjin “Shën Sava” në Bukuresht. Ndryshe nga paraardhësit e tij, ai veshi së pari uniformën ushtarake moderne, duke hequr rrobat orientale. Nën sundimin e tij porti Breila deklarohet port frëng, çka do të thotë se atje mund të eksportoheshin, importoheshin dhe depozitoheshin mallra pa paguar doganë. Bënin përjashtim vetëm duhani dhe pijet alkoolike, për të cilat Këshilli Bashkiak mblidhte një taksë. Zhvillim më të madh këtij qyteti-port i dha dekreti princëror i datës 1 maj 1836 sipas të cilit shtetasit e huaj fitonin të drejtën të blinin shtëpi dhe magazina në qytet, duke qenë të detyruar tu bindeshin ligjeve të vendit. Ky ligj favorizues nxiti emigrimin e shqiptarëve, të cilët u vendosën me shumicë në këtë qytet dhe falë lidhjeve me bashkatdhetarët e tyre që ishin vendosur më parë përballuan me sukses problemet e shumta në periudhën e parë të emigrimit. Megjithatë duhet theksuar se sundimi i Aleksandrit II Gjika nuk kaloi pa probleme. Ushtrimi i pushtetit të tij u kufizua nga prania e konsullit rus. Gjithashtu klanet rusofile në vend kundërshtuan me ashpërsi çdo afrim me Anglinë dhe me Francën. Megjithatë Aleksandri ndoqi një politikë të pavarur dhe ndihmoi në bashkimin e principatave rumune në një shtet të vetëm. Vdiq në vitin 1862.



Vijon në numrin e ardhshëm







8 Maj 2009