Gjatë dy ditëve të fundit nga Shkodra ka ardhur një paralajmërim i përsëritur prej kryebashkiakes Voltana Ademi për përmbytje të mundshme në shumë zona, e fajtor janë bërë HEC-et, nga ku ka nisur shkarkimet e ujit.


E teksa fshati Obot është i pari që po lundron nën ujë, rreziku është adekuat, por KESH, prefekti i Shkodrës e tanimë edhe ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri kanë ruajtur të njëjtën linjë, duke i lidhur përmbytjet me reshjet e dendura dhe jo me shkarkimet nga HEC-et.


Situata me përmbytjet në Nën-Shkodër jo nga HEC-et por nga reshjet. Kemi një protokoll dhe rregullore të digave që zbatohet me përpikëri. Dëmshpërblimet banorëve ua kemi bërë për përmbytjet e shkuara edhe pse nuk kam qenë dakord me atë që u vendos asokohe pasi ju ngarkua KESH-it, tha Gjiknuri gjatë inspektimit në Vaun e Dejës.


Gjiknuri shprehu madje edhe mosdakordësinë me faturën e përmbytjeve të shkuara që iu ngarkua KESH, por garantoi banorët se pavarësisht se portat e HEC-eve janë hapur, ato po shkarkojnë sasi të kontrolluara uji.


Shkarkimet janë të kontrolluara në 1400 metër/ kub në sekondë. Janë të detyrueshme pasi jemi përballë prurjeve të shumta që ka kaskada nga reshjet dhe shkrirja e borës. Fierza është në kuotën 295 metra, mund të lejohet maksimumi deri 296 metra. Prandaj shkarkime do ketë, por pa rrezik për përmbytje masive si në 2010-2011, deklaroi ministri i Energjisë.


7 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)