Në përfundim të vizitës në Shtetet e Bashkuara, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri u prit në një takim nga Zv.Sekretari i Departamentit të Energjisë, Dan Brouillette.


Brouillette i shprehu Gjiknurit gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të dhënë ekspertizë për ato çështje për të cilat qeveria shqiptare i shikon të nevojshme në sektorin e energjisë elektrike dhe fushën e hidrokarbureve.


Në takim është diskutuar edhe në lidhje me sigurinë energjitike dhe korridoret e gazit, ku Uashingtoni vlerëson bashkëpunimin me Shqipërinë në këtë pjesë.


Gjiknuri dhe Brouillette u ndalën edhe tek sektori hidrokarbur, fusha e kërkimit dhe shfrytëzimit të naftës dhe ecuria e projektit të Korridorit Jugor të Gazit, pjesë e të cilit është dhe gazsjellësi TAP.


Në fund, Ministri i Energjisë i tha zyrtarit amerikan se Shqipëria mirëpret investimet amerikane edhe në fushën e hidrokarbureve ndërsa ofron potenciale në këtë drejtim.


9 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)