Gjithçka mund të harroj, por jo motrën time, që ka vdekur gjatë hetuesisë! Kjo shprehje e Marije Tuci, martires katolike do të mund të lexohet mbrëmjeve tek Torra e Durrësit. Artistja e njohur e artit bashkëkohor Alketa Xhafa Mripa kërkon të provokojë mbi të shkuarën, përmes projektit Edhe Muret kanë Veshë i cili u prezantua sot nga vetë artistja. E lindur në Kosovë dhe jeton në Angli Alketa ka përqendruar energjitë e saj krijuese mbi kërkimin social, duke hulumtuar artin bashkëkohor me problemet e forta ndërkombëtare në Europë dhe Ballkan.


Kjo vepër bazon kontekstin e saj në formë shumë dimensionale si një instalacion multidimensional i memories kolektive nga e kaluara e dhimbshme e disa individëve intelektualë të cilët humbën lirinë apo jetën e tyre nëpër burgjet e diktaturës komuniste. Artistja do të mbledhë histori në mbarë vendin duke përzgjedhur kontributet më të mprehta nga secili rajon ku kanë ndodhur këto drama çnjerëzore, për tu projektuar në një monument ose pikë referimi në disa qytete të Shqipërisë si: Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Tepelenë, Berat, Elbasan, Burrel etj.


Fraza poetike apo thënie që buronin nga tragjedia njerëzore e shtypjes së cdo forme te lirisë, do të shkëputen nga dorëshkrime, dokumentime apo arkiva personale të personazheve të internuar, që artistja do të hulumtojë nëpër territorin shqiptar. Më pas këto tekste të ndaluara do të projektohen në formate të mëdha, në të njëjtën datë (09 maj 2018), dhe në të njëjtën kohë nëpër lokacione specifike të qyteteve të sipërpërmendura.


Edhe Muret Kanë Veshë është një vepër multidimensionale e para e këtij lloji në Shqipëri për nga përmbajtja sociale dhe dimensionet instalative. Ky projekt do tentojë të japë një shtysë edukimi brezave të rinj, si një impuls shprese dhe njohje mbi pasurinë njerëzore, duke e thyer heshtjen e së kaluarës ndërmjet energjisë së artit bashkëkohor dhe trashëgimlënëse së memories për të mos harruar dramën e individëve të prekur nga diktatura.


Artistes i janë bashkuar themeluesja e Galerisë me seli në Londërs the Balkan Artists Guild Kristale Ivezaj Rama të cilët do ideojnë një fushatë sensibilizuese që përfshin një projekt instilator në mbarë vendin, një libër, dhe një dokumentar për mediat prestigjioze ndërkombëtare. Alketa Xhafa-Mripa është e njohur për veprën artistike dhe angazhimin e saj publik për të sjellë ndryshim social në shoqëri.


Vepra e saj fundit Thinking of You e realizuar në Kosovë, një instalacion që përfshin 5000 veshje në stadiumin e futbollit të kryeqytetit, ndihmoi Kosovën të fliste hapur për përdhunimet gjatë kohës së luftës, kurse vepra me titull Mirëpresim Refugjatët, një instalacion i vendosur në pjesën e prapme të një kamioni, lëvizte në Britaninë e Madhe, duke ftuar publikun për një çaj të ndante reflektimet e veta në lidhje me temën e mikpritjes në Angli.


Të dy këto shembuj tregojnë qasjen e saj si një artiste aktiviste. Puna e saj angazhon hapësirën publike për të adresuar çështje social-politike për të inkurajuar pjesëmarrjen e komunitetit ta bëj artin një mjet për të sjellë ndryshim social. Edhe Muret kanë Vesh është projekti i saj aktual më i madh, që do të shpaloset këtë pranverë në mbarë Shqipërinë.


Artistja Alketa Xhafa-Mripa do të udhëtojë përmes Shqipërisë (periudha 19 – 28 shkurt 2018), duke ftuar njerëzit të ndajnë kujtimet e tyre jetësore nën regjimin komunist. Citime nga të gjitha këto rrëfime do të projektohen në ndërtesa dhe monumente, duke e transformuar peizazhin Shqiptar në një instalacion me dritë, dhe do të shërbejë si nxitje për të filluar një dialog rreth kujtimeve të së kaluarës dramatike nga të cilat vendi ende nuk është çliruar. Gjatë hulumtimit të saj mbi të shkuarën artistja do të shoqërohet nga kuratori Klod Dedja.


19 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)