Gjeneralmajor Gjunkshi dhe ambasadori britanik Cannon inspektuan stërvitjen “Albanian Lion-13” në Sazan. 3 mijë forca britanike stërvitje me FA-të
Në ishullin e Sazanit janë dislokuar rreth 400 trupa britanike dhe një kompani këmbësorie e batalionit të Këmbësorisë të Poshnjës, të cilët po punojnë së bashku me trupat britanike në stërvitjen që po zhvillohet në Sazan. E gjithë stërvitja është e ndërtuar për t’iu përgjigjur terrorizmit
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nicholas Cannon kanë inspektuar pasditen e djeshme në ishullin e Sazanit zhvillimin e stërvitje së përbashkët shqiptaro-britanike të koduar “Albanian Lion-13”. Në ishullin e Sazanit janë dislokuar rreth 400 trupa britanike dhe një kompani këmbësorie e batalionit të Këmbësorisë të Poshnjës, të cilët po punojnë së bashku me trupat britanike në stërvitjen që po zhvillohet në Sazan. E gjithë stërvitja është e ndërtuar për t’iu përgjigjur terrorizmit. Skenari i kësaj stërvitje të përbashkët është ndërtuar në mënyrë të tillë, trupat britanikët në sulm dhe trupat shqiptare në mbrojtje. Me trupat britanike, që janë çlirimtare, dhe trupat shqiptare, që luajnë rolin e mbrojtësve të territorit të ishullit të Sazanit. Në fjalën e tij shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, pasi ka përshëndetur trupat pjesëmarrëse në këtë stërvitje mjaft të rëndësishme u shpreh: “Kjo stërvitje ka për qëllim të trajnojë trupat me elementë të zbulimit, të rikonjicionit, të evakuimit të të plagosurve, të zbarkimit dhe imbarkimit. Më tej gjeneralmajor, Xhemal Gjunkshi ka nënvizuar faktin se në këtë stërvitje, njerëzit tanë aftësohen e mbi të gjitha të komunikojnë, që të njihen me gjuhën e NATO-s dhe të operacioneve”. Në vijim të fjalës së tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi u shpreh se Forcat e Armatosura shqiptare janë të gatshme dhe të trajnuara mirë për t’ju përgjigjur lidershipit politik dhe Aleancës së NATO-s për të vepruar në çfarëdo lloj operacioni, që do të bëhet në të ardhmen. “Këto trupa sot po stërviten për këto lloj operacionesh dhe sigurisht, koha do të tregojë se për çfarë do të ketë nevojë, që ne të shërbejmë brenda Aleancës”, ka përfunduar fjalën e tij gjeneralmajor Gjunkshi. Ndërsa ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, z. Nicholas Cannon në fjalën e tij u shpreh se kjo stërvitje ka tre vite, që kryhet në Shqipëri dhe se nuk ka lidhje me ndonjë zhvillim konkret. Me tej ambasadori Cannon theksoi se: - “Nga raportet që patëm nga forcat tona në terren, them se trupat tona e kanë parë shumë sfidues dhe shumë interesant operimin në këtë ishull. Mendoj se ushtrimet janë me vlerë për të dyja forcat, si ato shqiptare dhe ato britanike”, ka përfunduar fjalën e tij ambasadori, Nicholas Cannon. Një vlerësim i veçantë për stërvitjen u bë edhe nga Kevin Oliver, zv/komandat i brigadës komando të “Royal Marine”.