Gjykata e Lartë pushon çështjen ndaj Fatmir Mediut. Me vendim të trupit gjykues të organit suprem ditën e hënë u është dhënë fund hetimeve dhe procedimit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes i cili ishte i përfshirë në çështjen "Gërdeci" ku akuzohej për shpërdorim detyre. Motivi sipas kryetari të trupit gjykues të Gjykatës së Lartë është fitimi i imunitetit të Fatmir Mediut në zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkohë seanca për të marrë këtë vendim ka nisur në orën 10:00 të paraditës së të hënës dhe ka përfudnuar në orën 13.30 ku i është dhënë fund çështjes.

Por për të arritur në këtë perfundim avokati mbrojtës i Fatmir Mediut,Ardian Visha ka kërkuar që në fillim të seancës mbylljen e çështjes për shkak të imunitetit të Mediut. Më pas Prokuroria e cila ka qenë e përfaqësuar nga grupi hetimor me kryetar Sokol Stojanin e ka quajtur kërkesën e mbrojtjes si të pa bazuar në ligj dhe se kur parlamenti i ka hequr imunitetin Fatmir Mediut nuk ka përcaktuar afat kohorë, por i ka hapur rrugën Prokurorisë për ta hetuar. Por pas gjithë këtyre deklaratave dhe kërkesave Gjykata e Lartë pas tre orësh ka vendosur që të pushojë çështjen "Mediu".