19/04/2012  Vdiq pacienti, mjeku: Nuk kam asnjë çështje të hapur në gjykatën e Elbasanit


ELBASAN- Të jepet 1 vit burg për një mjek në Elbasan, sot drejtor i qendrës shëndetësore në komunën Gjergjan. Kjo ka qenë kërkesa e prokurorit të çështjes Binas Nina, i cili ka deklaruar se gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për të dënuar me një vit heqje lirie mjekun për vonesë në mjekim dhe mjekim të gabuar. Sipas të dhënave, gjyqtari Taulant Tafa ka marrë vendimin duke lënë në fuqi kërkesën e prokurorit. Por mjeku deklaron se ai nuk asnjë çështje gjyqësore të hapur në ngarkim të tij dhe se ai vazhdon punën i qetë.


Ngjarja


Ngjarja është shënuar më 5 shtator të vitit 2008 në Gjegjan të Elbasanit, kur shtetasi Hajri Nasufi 45 vjeç, babai i tre fëmijëve është dërguar i sëmurë në spitalin e Cërrikut. Mësohet se Nasufi për 15 orë nuk mori asnjë ndihmë mjekësore dhe më pas u mjekua, mjekim që rezultoi nga hetimet i gabuar. Nasufi është dërguar në gjendje kome në Tiranë ku dhe ndërroi jetë në spital.


Familjarët e Nasufit akuzuan mjekun që e mjekoi, Ylli Muçën. Por ndërkohë i kontaktuar Ylli Muça, drejtor i Qendrës Shëndetësore Gjergjan, antar i Këshillit të Komunës dhe i Këshillit të Qarkut ka deklaruar se nuk ka asnjë dijeni për këtë vendim. Ai ka thënë se ka pasur një çështje të tillë në gjykatën e Tiranës, e cila ka përfunduar dhe ai është shpallur i pafajshëm. Muça ka deklaruar se në një karrierë prej 18 vjetësh si mjek është i respektuar dhe vlerësuar nga të gjithë. Ai ka mohuar ekzistencën e një çështje në Gjykatën e Elbasanit duke mohuar edhe një vendim të tillë që sipas tij është i pavërtetë dhe është bërë për të cenuar pozicionin e tij në shërbimin shëndetësor.