Fiks Fare denoncon sesi nuk zbatohen vendimet e gjyqësorit nga Doganat dhe Drejtoria e Pronësisë Intelektuale.


Fiks Fare denoncon sonte sesi tre vendime të formës së prerë të gjykatës për çregjistrimin e tre markave të pijes energjike B52 nuk zbatohen nga institucionet shqiptare. Konkretisht janë tre vendime gjykate të formës së prerë, që kanë shfuqizuar tre markat e Bavaria NV për produktin B52.


Vendimi i parë lidhet me markën e vitit 2009 të Bavaria NV. Më 5 shtator 2013, Gjykata e Apelit Tiranë çregjistroi produktin e Bavaria NV, vendim i cili u la në fuqi nga Gjykata e Lartë më 9 mars 2016.


Ndërsa më 6 maj 2014, Gjykata e Apelit Tiranë vendosi të shfuqizojë markën e dytë të Bavaria NV, i cili ishte B52, me sfondin gri. Më 5 tetor 2017 u rrëzua edhe marka e dytë nga Gjykata e Lartë.


Gjykata vendosi shfuqizimin e mbrojtjes së markës B52, me pronar Bavaria NV dhe regjistrimin e këtij vendimi shfuqizimi në regjistrin e markave të DPPI. Pra, me këtë vendim gjykate rrëzohet edhe marka B52 gri.


Më 19 dhjetor 2013, Bavaria NV aplikon për markën e tretë, atë me emrin 852. Kjo markë ishte pothuajse identike me markën B52, që ia kishte rrëzuar gjykata. DPPI ia pranon sërish këtë markë. Ligji parashikon se aplikimet për marka kundërshtohen nga të interesuarit, kur cenohen të drejtat e fituara më parë. Kjo markë kundërshtohet nga Arseni shpk, por DPPI nuk e merr parasysh kundërshtimin. Kompania Bavaria përfundon sërish në gjykatë edhe për produktin 852. Gjykata e Apelit, me vendim të formës së prerë çregjistron edhe këtë produkt. Më 23 janar të këtij viti, Bavaria NV ka aplikuar dhe për markën e katërt, pikërisht 8 S 2, të ngjashme me B52 dhe 852, që janë çregjistruar nga gjykata. Marka 8S2, ende nuk është pranuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Intelektuale, por është në proces ekzaminimi.


Kompania Bavaria ka vijuar të nxjerrë në treg të gjitha markat e rrëzuara nga gjykata, duke i shitur si B52. B kthehet ne 8, 5 kthehet ne S. Pra, ajo ka nxjerrë në treg jo vetëm dy markat B-52, që janë shfuqizuar nga gjykata, por ka shitur si B52 edhe pijet 852 dhe tashmë ka filluar me pijen 8S2, e cila ende nuk është miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Markave.






























Madje, në panairin Horeca që u zhvillua në Tiranë në muajin mars të këtij viti ,ata kanë reklamuar pije të çregjistruara nga gjykata, duke i prezantuar si B52 dhe asnjë institucion shtetëror nuk i ka ndaluar për këtë produkt të paligjshëm. Për të kuptuar sesi lejohet që kjo pije e çregjistruar nga gjykata lejohet të tregtohet në Shqipëri, Fiks Fare u interesua pranë institucioneve përkatëse. Fillimisht, Fiksi kontaktoi me Drejtorin e Përgjithshëm të Pronësisë Intelektuale, Elvin Lako.


Ai pranon se Holanda ka ushtruar presion politikisht nëse ndalohet ky produkt, ndërkohë që politikanët shqiptarë i kërkojnë të gjejë një zgjidhje. Sipas tij, kjo vjen, pasi BM shpk ankohet në të gjitha institucionet. Madje, edhe ditën e bisedës me Fiksin, atij i vjen një shkresë që kompania që përfaqëson Bavaria NV në Shqipëri ka dërguar në institucionet shqiptare, duke e konsideruar Arsenin shpk si kompani që ka korruptuar gjykatat. Sipas tij, gabimi është bërë në fillim, kur marka B52 nga Bavaria NV është regjistruar në heshtje në Shqipëri.


Por, tashmë që janë dhënë të gjitha vendimet e gjykatës, DPPI ka çregjistruar markat që përdor Bavaria NV në Shqipëri, nëpërmjet kompanisë BM shpk. Madje, kjo vërtetohet edhe me një shkresë të datës më 23 janar 2018 të DPPI. Fiks Fare u interesua edhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, sesi lejohet të hyjë në Shqipëri një pije pa identitet, marka e së cilës është shfuqizuar nga gjykata. Nga informacioni që morëm rezultoi se Bavaria NV vijon të sjellë në Shqipëri imitimet e B52, por në një formë të re, me markën e paregjistruar 8S2.


Nga informacioni zyrtar mësuam se vendimet e gjykatave për të mbrojtur kompaninë shqiptare nga imitimet e tjera, janë regjistruar në doganë që me datë 19 janar 2018. Madje, është ngritur dhe një profil risku me kërkesë nga Arseni shpk.


Por, pas regjistrimit të këtij vendimi, Bavaria NV, në bashkëpunim me BM shpk. kanë deklaruar në doganë se nuk po importojnë B52, as 852, por 8S2. Kjo vërtetohet edhe nga një deklaratë doganore e datës 6 mars në doganën e Kukësit, kur është zhdoganuar një trajler.


Menjëherë, doganat janë njoftuar nga profili i riskut i ngritur për këtë çështje, prandaj, më 12 mars 2018 i kanë dërguar kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Intelektuale për të interpretuar nëse produkti 8S2 cenonte të drejtën e B 52, të fituar nga Arseni shpk. Por, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave deklaroi se deri më sot nuk ka marrë një përgjigje nga Drejtoria e Pronësisë Intelektuale.


Pra, këto janë tre pijet që vijnë në Shqipëri pa markë, B52, 852 dhe 8S2. Dy të parat, B52 dhe 852 janë shfuqizuar nga gjykata, ndërsa 8S2 nuk ka markë, por siç e shikoni ndryshimi mes tyre është pothuajse zero. Megjithatë, derisa të koordinohen institucionet shqiptare, këto tre marka të B52, do të hyjnë në Shqipëri, duke konkurruar kompaninë Arseni shpk, i cili ka fituar të gjitha të drejtat nga gjykata.


22 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)