Ish-kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të paraqitet në gjykatë një herë në dy javë. Gjykata e Tiranës ka dhënë masa të reja sigurie për personat e akuzuar në lidhje me mbivendosjen e pronave në vendin e quajtur “Plazhi i gjeneralit”, në Golem të Kavajës. Burime nga gjykata thanë se ish-kreu i kthimit të pronave, Tunxh Vatnikaj, është lënë nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Ndërkaq që i akuzuar është dhe biznesmeni Alban Xhillari. Dhe ky është lënë në të njëjtën masë sigurie, atë të “detyrim paraqitjes”. Të njëjtat burime thanë se biznesmeni Xhillari ka lënë një garanci pasurore prej dhjetë milionë lekësh, me qëllim që gjykata të jepte këtë masë sigurie. Për të njëjtën çështje, janë katër persona të tjerë për të cilët Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Ky lajm është publikuar: 14/02/2009